Lajme

Prishtina e gatshme t’i marrë përgjegjësitë për stadiumin “Fadil Vokrrin”

Prishtina e gatshme t’i marrë përgjegjësitë për stadiumin “Fadil Vokrrin”

Me Gjilanin dhe Drenicën do të luhet në shtëpinë tonë

Prishtinë, 23 gusht 2018 - Pas lajmit se Ministria e Sportit është e gatshme të lejojë Prishtinën të luajë në stadiumin “Fadil Vokrri” nëse Federata ose Komuna i mban përgjegjësitë në rast të dëmtimeve, ka reaguar edhe kryetari i klubit të Prishtinës, Remzi Ejupi.

Ai ka thënë për KTV-në se janë të gatshëm të marrin të gjithë përgjegjësitë.

“Ne jemi të gatshëm të marrim përgjegjësitë për organizmin e dy ndeshjeve, kundër Gjilanit dhe Drenicës, edhe nëse nuk bëhet pranimi teknik nga Ministria. Jam takuar me ministrin, Kujtim Gashi dhe ai ka shprehur gatishmërinë që të na lejojë që të luajmë në shtëpinë tonë. Ai kërkon që nëse ka dëmtime të dihet se kush i merr përgjegjësitë dhe ne jemi të gatshëm që të marrim përgjegjësinë që na takojnë”, ka thënë Ejupi.

Sipas tij, vendimi përfundimtarë do të merret gjatë së enjtes dhe ai është optimist se do të jetë pozitiv.

Sporti në KTV nga burime brenda klubit “bardhekatër”, mëson se FC Prishtina dyshon se zyrtari Ligjor në Federatën e futbollit të Kosovës, Arianit Ahmeti, ka ndikuar direkt që të mos lejohet zhvillimi i ndeshjes kundër Gjilanit, e cila ishte planifikuar të zhvillohet të hënën.

Ndërkohë, i kontaktuar nga Kohavisioni, Arianit Ahmeti i ka mohuar akuzat, duke thënë se cdo herë ka qenë dhe do të jetë pro zhvillimit të ndeshjeve në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Ai ka thënë se Federata e futbollit nuk është as investitor, as pronare dhe nuk ka në ndikim në vendimet që merren nga Ministria e Sportit.
© KOHA