Lajme

Prishtina edhe më herët është takuar me skuadra hungareze

Prishtina edhe më herët është takuar me skuadra hungareze

(Foto e gjeneratës së Prishtinës në vjeshtë të vitit 1983 në “Marakanë” kundër Crvena zvezdës në ndeshje për Kupë)

Në edicionin 1983/84, Prishtina kishte marrë ftesë të përfaqësonte ish-Jugosllavinë në “Mitro Cup” apo kompetecioni më i vjetër i Evropës qendrore e që nuk ishte nën ombrellën e UEFA-s. Në këtë kompeticion i cili është mbajtur nga viti 1927 deri me 1992, kanë marrë pjesë skuadrat e Hungarisë, Austrisë, ish-Çekosllovakisë, ish-Jugosllavisë, por shpesh janë paraqitur edhe skuadrat e Italisë.

Prishtina, më 1983, si debutuese në Ligën e parë kishte marrë ftesë dhe kishte garuar në gjashtë ndeshje vajtje-ardhje, së bashku me fituesit e Eisenstad të Austrisë, Teplice të Çekisë dhe Vasas të Hungarisë.

Prishtina kishte arritur 2 fitore, 3 barazime dhe 1 humbje kundër fituesit të trofeut, skuadrës austriake në Austri, 4-2.

Prishtina ishte takuar në dy ndeshje edhe me skuadrën hungareze, 6-herë kampione e Hungarisë, Vasas Budapest.

Bardhekaltrit kishin arritur një barazim dhe nj fitore.

Ndeshja e parë ishte zhvilluar më 22 nëntor 1983, në stadiumin “Fay utca” para 500 të pranishmëve nën gjykimin e austriakut, Adolf Mathias.

Ndeshja ishte mbyllur 1-1, kurse golin e parë kishte shënuar Prishtina me Ramiz Krasniqin (64’), kurse vendasit kishin barazuar katër minuta para fundit me Laszlo Pecha (86’).

Prishtina ishte paraqitur me përbërjen: Slobodan Shujica, Skender Shëngyli, Rifat Mehinoviç, Ljubisha Trajkoviç, Shefqet Sinani, Jusuf Tortoshi, Ramadan Cimili, Zoran Batroviç, Edmond Rugova, Fadil Vokrri (Vahedin Ajeti - 63’) dhe Ramiz Krasniqi (Goran Pupovac - 64’).

Më 21 mars të 1984 ishte zhvilluar ndeshja e dytë në stadiumin e qytetit në Prishtinë para 8.000 shikuesve me gjyqtarin austriak, Adolf Mathias.

Prishtina kishte triumfuar 4-2 (2-2). Golat për bardhekaltrit kishin shënuar Zoran Batroviç (18’), Smajiç (31’), Rifat Mehinoviç (85’) dhe Jusuf Tortoshi (87’). Për skuadrën hungareze kishin shënuar Laszlo Kuti (24’) dhe Gyorgy Katana (26’).

Kryetrajner i skuadrës ishte Fuad Muzuroviç.

Prishtina edicionin 1983/84 kishte mbyllur në ish-Ligën e parë në vendin e 8-të  ndërsa Vasas e kishte mbyllur në vendin e 6-të, 7 pikë larg kampionëve të Honvedit, kurse 6 pikë më shumë se Ferencvarosh, rivali i Prishtinës në raundin e parë kualifikues të Ligës së kampionëve.