Lajme

Prishtina është gati për Norrkoping

Prishtina është gati për Norrkoping

Premtohet rezultat pozitiv në Suedi


Prishtinë, 27 qershor, 2017 – FC Prishtina udhëton në Suedi në mëngjesin e së mërkurës. Para nisjes, klubi ka mbajtur konferencën e fundit për shtyp. Me gjithë vështirësitë e mëdha për organizim, klubi ka thënë që gjithçka është gati.

Ejupi: Do të ndjehemi si në shtëpi – diasporën e kemi mbështetës të fuqishëm

“Jemi mundur të organizohemi sa më mirë. Me ndihmën e anëtarëve të bordit dhe sponsorëve, me gjithë mungesën e infrastrukturës përcjellëse e që ka qenë shumë vështirë e çka me përmirësimin e saj në të ardhmen do të jetë edhe më lehtë”.

“Është shumë pozitive që ndeshjen e kemi në Suedi, vend që kemi diasporë të fuqishme dhe futbollistët tanë do të ndihen si në shtëpi”.

“Po është e vërtet që jemi në biseda me Anel Rashkajn. Sepse, ne nuk e kemi vetëm këtë ndeshje, por duhet menduar për vitin e ardhshëm, për kampion e shumë besojmë për Ligën e kampionëve dhe për këtë na duhen futbollistë cilësor si nga vendi dhe nga jashtë”, ka thënë në hapjen e konferencës, kryetari i FC Prishtina, Remzi Ejupi.

Thaqi: Të vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes – të motivuar maksimalisht

“Kuptohet që lojtarët janë të vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes dhe janë të motivuar dhe po ashtu edhe të gëzuar që janë pjesë e historisë së futbollit të Kosovës dhe Prishtinës si klub. Dhe për mua çka është me interes është interes profesional dhe jemi marr me kundërshtarin duke e falënderuar publikisht kompaninë “Instand” duke na i dhënë të gjitha analizat e hollësishme për skuadrën tonë kundërshtare. Tani krejt çfarë është me rëndësi është që ekipi ynë të jetë i përqendruar dhe mos të marr presionin e lojës dhe të luaj e të kënaqet në ndeshje që besoj se i tejkalon përmasat e nivelit të futbollit çfarë ne kemi zhvilluar në Kosovë”.

“Faktikisht për neve ka vendosur tjetër kush të marrim pjesë në Evropë dhe e kemi pasur kohën e kufizuar që të përgatitemi për dallim prej Trepçës ’89 që e ka ditur më herët dhe që me kohë i ka kryer të gjitha si dhe fazë përgatitore sikurse çdo skuadër në Evropë. Por, edhe ne kemi provuar të bëjmë fazë, por ajo çfarë na kanë munguar kanë qenë ndeshjet miqësore të nivelit çfarë kërkohet dhe i kemi dilemat te ekipi duke e zhvilluar vetëm një ndeshje me Partizanin që është  i nivelit që përafrohet me atë nivel. Por, vetëm me një ndeshje nuk mund ta vlerësoj nivelin. Sidoqoftë, kemi ekip që mendon të ngrit nivelin dhe të motivuar maksimalisht për zhvillimin e ndeshjes që ta prezantojmë futbollin e Kosovës sa më mirë”.

“Kundërshtari është ndër skuadrat më të mira në Suedi, jashtëzakonisht mirë e përgatitur fizikisht dhe e kemi vështirë të nxjerrim pika të dobëta, sepse dallimi është i madh i nivelit i futbollit në dy vendet. Por, ne do të provojmë t’i shfrytëzojmë pikat tona të forta për të mundur për t’iu kundërvu Norrkopingut. Normalisht pika tona të forta janë lojtarët më përvojë që kemi që kanë luajtur në atë nivel e që realisht përgatitjen fizike nuk e kanë përshkak të nivelit të kampionatit tonë dhe orientimin e kemi te Dallku, Leci e Curri si dhe Khalid që në ndeshjet e fundit ka lënë përshtypje që mund të përballet edhe përshkak fizikut që ka”.

“Krejt ideja jonë e lojës dhe e angazhimit atje ka të bëjë për ndeshjen e kthimit. Pra, tifozëve tanë të paktën do t’iu premtojmë që në ndeshjen e parë të nxjerrim rezultat pozitiv që në ndeshjen e dytë të jemi të gatshëm për adhuruesit tanë”, ka përfunduar kryetrajneri, Arsim Thaqi.


Dallku: Kemi gërshetim të përvojës së gjeneratës – jemi përgatitur për rezultat pozitiv

“Me kushtet që i kemi në dispozicion ne jemi munduar të përgatitemi maksimalisht, duke mos pasur mundësi të udhëtonim për arsye të ndryshme. Pra, përgatitjet i kemi bërë në Gjakovë në fushën e Vëllaznimit çka i falënderoj shumë punëtorët e stadiumit që çdo ditë janë përkujdesur për kushtet optimale për punë. Ndërsa kjo ndeshje është moment historik si për klubin po ashtu edhe për futbollin kosovar. Është hera e parë dhe kemi kundërshtar mjaft të vështirë, por nëse ekziston dëshira dhe vullneti asgjë nuk është e paarritshme. Çdo ditë kemi biseduar që të jemi të përgatitur psiqikisht për ‘tiu kundërvu këtij kundërshtari shumë të papërshtatshëm dhe i vështirë, por ne do të japim maksimumin që nga ndeshja e parë të dalim me rezultat pozitiv”.


“Ne kemi lojtarë që kanë luajtur në këso kompeticione çka e kemi përparësi, por kemi edhe lojtarë të rinj që për ta është ambient ndryshe dhe jemi duke biseduar me ta që mos të kenë eufori dhe nuk është gjithçka e paarritshme, por gjithçka vendoset në fushë. Pra, e them që kemi kundërshtar të fortë, por ia lëmë fushës që ajo të tregoj cilësitë dhe me 29 qershor të japim atomin e fundit që t’ia lëmë të vendos kualifikimin ndeshja e dytë”.


“Fusha apo koha nuk luajnë rol. Ajo fushë nuk është siç jemi mësuar ne këtu me disa fusha tona, por mund të luhet edhe me taka hekuri dhe ajo nuk është faktor. Mbase klima mund të jetë pak, por edhe ajo është e njëjtë për të dyja ekipet, por duhet të vendos vullneti angazhimi i gjithsecilit”, ka thënë kapiteni, Armend Dallku.


Curri: Nënvlerësimi nga Norrkoping do të jetë forca jonë

“Ne nuk e kemi ditur deri në momentin e fundit se kush do të marr pjesë në Evropë dhe s’kemi qenë aq të përgatitur për atë aspekt. Por, përgatitjet e pastajme kanë shkuar shumë mirë, si në Gjakovë po ashtu edhe në Kastriot duke luajtur edhe disa miqësore. Unë besoj se jemi gati dhe padyshim se do të udhëtojmë për rezultat pozitiv për çka neve na duhet të japim maksimumin që për ndeshjen e dytë të kemi për çka të luajmë dhe ta kemi përkrahjen e madhe të adhuruesve tanë. Unë besoj se asgjë nuk do të përfundoj në ndeshjen e parë, sepse i kemi të gjitha mundësitë që me lojtarë me përvojë që kanë luajtur në Evropë dhe futbollistëve të rinj. Pra e kemi një ekip të përzier të mirë që të luajmë futboll. Ne nuk kemi ekip të mirë sa Norrkoping, por jemi klub i madh dhe me nënvlerësimin që besoj se do të na bëjnë ne duhet të shkojmë t’i suprimojmë”.
“Ne duhet të paktën mos të pësojmë gol, duhet të marrim ndeshjen me qetësi, të disiplinuar dhe t’i përmbushim detyrat e dhëna nga kryetrajneri”, ka pohuar, Debatik Curri.


Lindemann: Nuk ka lojë që nuk fitohet - nuk duhet dorëzuar

“Është ndeshje historike, sukses i madh, sepse deri tani është luajtur vetëm në kampionat vendor, kurse tani edhe në Evropë. Nuk ka lojë që nuk fitohet, nuk duhet dorëzuar, duhet që të jemi të fortë mentalisht. Jo vetëm futbollistët me përvojë si Dallku, Curri e Leci, por duhet të gjithë futbollistët tjerë të japin maksimumin. E them nga përvoja kur kam luajtur me Jenën dhe na kanë nënvlerësuar dhe e kemi mposhtur nga Roma, Valencia e Benfika e kemi luajtur në finale. Pra, duhet vullnet për angazhim maksimal dhe mund t’ia dalësh”, ka thënë drejtori sportiv, Lindemann.