Lajme

Prishtina fiton Superkupën e Kosovës për herë të nëntë!

Prishtina fiton Superkupën e Kosovës për herë të nëntë!


Me golat e Endrit Krasniqit dhe Ahmed Januzit, Prishtina ka fituar ndaj kampionëve aktual – 2:1

Pejë, 13 gusht 2016 – FC Prishtina vazhdon të mbesë jo vetëm klubi më i trofeshëm në vend, por edhe t’i shtoj akoma më shumë trofetë në sirtarët e vet.

Me fitoren ndaj kampionëve aktual, Feronikelit nga Drenasi, Prishtina jo vetëm që ka fituar Superkupën, por edhe hedh kandidaturën serioze për titull të kampionit.

Basit Abdul Khalid

Prishtina sot gjuajti plot 10-të herë në portën rivale, kurse drenicasit vetëm tre herë dhe pothuajse fare nuk i hyri në punë mbajta më e shumtë e topit, sepse aq e sigurt ishte mbrojtja prishtinase, sa vetëm prekja me dorë e pafat e mbrojtësit Leci iu dha mundësi që të shënonin gol nga pika e bardhë.

Armend Dallku

Prishtina u tregua dominonte në raste, në taktikë, në forcë duke e rikthyer pas një viti vetëbesimin e skuadrës më të madhe në vend që e kënaq dhe e gëzon vetëm trofeu. E këtë e arriti me rikthimin e madh të kapitenit, Armend Dallku dhe dy legjionarëve, Debatik Curri e realizuesit të golit të fitores në debutimin e tij, Ahmed Januzi. Ndërsa, futbollistët tjerë të rinj të Prishtinës treguan se e ardhmja e futbollit kosovar është e tyre e mbështetur edhe nga futbollistët tjerë më përvojë të skuadrës.

Andaj, Prishtina, para më shumë se 1.000 shikuesve tregoi qartë fuqinë e saj, e cila duhet pranuar, do ende edhe pak kohë të komponohet – kuptueshëm.

Pas ndeshjes, trofeun e çmuar e ndau, kryetari i FFK-s, z. Fadil Vokrri.

Superkupa

Feronikeli – Prishtina 1:2 (0:1)

Golat: Behar Maliqi (p) 51’ – Endrit Krasniqi 36’, Ahmed Januzi 72’

Shikues: mbi 1.000

Gjyqtarë: Fatmir Tahiri (Mt), Bujar Selimaj (Pz), Fatlum Berisha (FK) – Gramoz Shala (Pe)

KV: L. Leci, K. Lushtaku

Pozitat jashtë lojës: Frn 0-1 Pri

Kornerët: Frn 1-2 Pri

Gjuajtjet në portë: Frn 2-4 Pri

Gjuajtjet totale: Frn 3-10 Pri

Feronikeli (4-3-3): 1. Flamur Neziri – 29. Besnik Krasniqi, 4. Fidan Gerbeshi /c/, 5. Ardian Limani, 18. Haxhi Shala – 25. Bujar Shabani (88. Ahmet Haliti – 89’), 20. Behar Maliqi, 7. Mentor Zhdrella – 8. Mark Milicaj (9. Mevlan Zeka – 87’), 17. Mendurim Hoti (11. Përparim Livoreka – 81’), 10. Blerand Kurtishaj. Kryetrajner: Afrim Tovërlani.

Prishtina (4-3-3): 1. Alban Muqiqi – 22. Lorik Maxhuni, 4. Armend Dallku /c/, 21. Liridon Kukaj, 13. Liridon Leci – 6. Debatik Curri (1. Milosh Miloviç – 90+1’), 7. Lorik Boshnjaku, 8. Endrit Krasniqi – 15. Gauthier Mankenda, 77. Mergim Pefqeli (99. Kreshnik Lushtaku – 83’), 25. Basit Abdul Khalid (27. Ahmed Januzi – 65’). Zëvendësues: Visar Bekaj, Genc Hamiti, Gentrit Begolli, Labinot Osmani. Kryetrajner: Kushtrim Munishi.


Komenti:

Prishtina sot ndeshjes i kishte hyrë me të vetmin qëllim, fitoren dhe trofeun – çka edhe ia arriti. Taktikisht, duke ia lëshuar mbajtjen e topit, por edhe për meritë të imponimit nga vetë skuadra kampione, Prishtina u mbrojt çeliktë dhe nga kundërzbritjet e shpejta ka mundur të shënoj edhe më shumë se tre gola, e jo vetëm dy sa shënoi sot. Por, edhe kjo mjaftoi për trofeun e 9-të të Superkupës në histori të klubit.

Prishtinën tani nga e premtja e ardhshme e pret punë e vështirë për ta rikthyer titullin e kampionit pas dy viteve mungesë. Kjo luftë e ashpër fillon nga e premtja më 19 gusht kur e zhvillon ndeshjen e parë kampionale si vendase në Kastriot, fushën e KEK-ut. 

Endrit Krasniqi

Minutë pas minute:

4’ Endrit Krasniqi kalon si mjeshtër i vërtet ish-kapitenin e Prishtinës, Behar Maliqin dhe depërton deri në zonë kur disi ndalet nga tre futbollistë vendas dhe topi dëbohet deri te Debatik Curri që gjuan nga distanca, por larg.

11. Gauthier Mankenda sot i pandalshëm, kalon nga e djathta deri në zonë kur edhe e kthen para zonës për Lorik Boshnjakun i cili gjuan direkte, por pret dhe kap ish-portieri i Prishtinës, Flamur Neziri.

Gauthier Mankenda

15’ Ish-futbollisti i Prishtinës, Mentor Zhdrella kërcënon nga distanca prej ndërprerjes, por portieri Alban Muqiqi sigurt grushton tutje.

15’ Edhe Behar Maliqi provon gjuajtjen nga distanca, por shumë lartë.

20’ Zhdrella si me dorë pason për Mendurim Hotin, i cili ishte në pozitë të pastër, por e komplikon dhe mbrojtja prishtinase shpejtë merr pozicionin dhe pengon të gjuaj sulmuesin e krahut drenicas.

Liridon Leci

33’ Endrit Krasniqi harkon nga pozita ballore prej gjuajtjes së lirë, Liridon Leci fiton duelin në ajër, por gjuajtja e tij përfundon jashtë portës.

Endrit Krasniqi

36’ Prishtina organizon një sulm të mirë, në fund Curri gjen anash Lorik Maxhunin i cili insiston dhe lufton për topin që ishte duke dalë jashtë vijës fundore, ia del të fus në zonë dhe pastaj vije deri te Basit Abdul Khalid i cili u vonua të gjuante, por me saktësi iu përgjigj thirrjes së Endrit Krasniqit të cilit ia pason, kurse mesfushori prishtinas, Krasniqi me elokuencë nga 15-17 metra gjuan saktë në këndin e majtë të pambrojtur nga portieri Neziri – 0:1.

Superkupa FC Prishtina

44’ Abdul bukur fut përpara Mankenden i cili pas depërtimit gjuan ballore, por jo saktë, skaj pingules së djathtë.

50’ Ndoshta ishte hera e vetme që disi Mark Milicaj nuk ishte i mbuluar nga afër prej Liridon Lecit, dhe gjuajtja e Milicajt prek padashje dorën e Lecit dhe gjyqtari Tahiri jep penallti.


51’ Nga pika e bardhë i saktë ishte Behar Maliqi, por edhe portieri Alban Muqiqi e lexoi gjuajtjen dhe e preki paksa topin, por jo mjaftueshëm sa të shpëtonte portën e paprekur.

Ahmed Januzi

72’ Ahmed Januzi pranon top para zonës, e pastaj me eksperiencën prej sulmuesit me shumë përvojë ndërkombëtare, e gjen momentin të gjuaj, e reagimi i mbrojtësit dhe kapitenit, Gerbeshi ishte aq sa ta prekte topin e ta parabolonte edhe më saktë portierin e tij, Neziri. Ishte kjo mrekulli e vërtetë që sulmuesi, Ahmed Januzi të shënon në debutimin e tij në ndeshje zyrtare. Festa ishte e arsyeshme, goli i tij doli të ishte vendimtar – 1:2.

Ahmed Januzi

77’ Tani Mergim Pefqeli pranon top nga thellësia dhe ikën pothuajse nga mbrojtësi një-me-një dhe gjuan ballore, por për paksa jo i saktë.

85’ Kreshnik Lushtaku gjuan nga distanca, jashtë.

85’ Tani Endrit Krasniqi depërton vija-vijë zonës nga e majta dhe pastaj me saktësi qet në krahun e djathtë Mankendën pothuajse vetëm me portier, por gjuajtja s’doli e saktë dhe jashtë. 

Deklaruan:


Kushtrim Munishi, kryetrajner: Është me rëndësi që kemi punuar gjatë fazës përgatitore dhe nuk na ka interesuar asgjë tjetër, përveç punë dhe vetëm punë. Kemi punuar të përgatitemi sa më shumë për tërë kampionatin, jo vetëm për këtë lojë. Pastaj, loja ka treguar realisht se ku jemi dhe tani mund të nxjerrim shumë  nga kjo ndeshje për ndeshjet tjera. Trofeu normalisht që është i çmuar, Prishtina është për trofe. Ndërsa, për kameramanët që konstant më kanë lodhur sot, iu them se është shumë normale të marr konsulta nga tribuna dhe nga drejtori sportiv i skuadrës. Thjesht as që merrem me ta e as nuk ja vlen të merrem me ta.

Liridon Kukaj: Ndoshta na duhet edhe pak kohë të komponohemi, mirëpo u pa fuqia jonë edhe pse ka një kohë të shkurtër që jemi bashkë, por kemi arritur të bëjmë ekip solid të fortë për kampionat. Besoj që deri në fund të kampionatit do të arrijmë t’i fitojmë të gjithë trofet.

Debatik Curri: Jam mësuar me trofe, por që nuk kam fituar një kohë të gjatë dhe erdha sërish e mora me Prishtinën, sepse Prishtina gjithmonë lufton për trofe dhe tani jam mëse i sigurt se në fund të kampionatit do të marrim edhe titullin e kampionit edhe Kupën e Kosovës. Ndërsa, çdo lojë e ardhshme që vije, do të shohim një Prishtinë ndryshe e më të përgatitur, ndërsa sot treguam se kemi një ekip të bashkuar edhe pse u dashtë të shënonim edhe gola tjerë, por shumë shpejtë për dy-tre javë do të arrijë formën optimale dhe të luajmë ashtu siç dëshiron të na shoh çdo tifoz i Prishtinës. 

Ahmed Januzi
: Normalisht që për mua është debutim shumë i rëndësishëm shënimi i golit. E për mua ka rëndësi që ende të marrë vetëm me kondicion e përgatitje, sepse kam pasur paksa probleme gjatë fazës, por me punë të gjitha do t’i arrijë. Ndërsa, trofeu ka vlerën si për çdo lojtar, ashtu edhe për klub dhe ky ka qenë synimi ynë dhe me lojë të mirë e arritëm. Kuptohet, që golin dhe trofeun ia dedikoj vetë klubit, Prishtinës dhe të gjithë adhuruesve të saj.

Avni Durmishi