Lajme

Prishtina ka fituar miqësoren e parë me Llapin, 3-1

Prishtina ka fituar miqësoren e parë me Llapin, 3-1

Të mërkurën miqësorja me Shkëndijën

Gjakovë, 12 qershor, 2021 - Prishtina sot ka zhvilluar ndeshjen e parë testuese para udhëtimit në Elbasan në turnirin preliminar të “Championsit”.

Bardhekaltrit, që sot u paraqitën me fanella të kuqe, mposhtën fituesit e Kupës së Kosovës, Llapin, 3-1.

Ishte skuadra e Prishtinës që udhëhoqi e para pas një aksioni më të gjatë, asistimit të Tun Bardhokut që sot luajti në pjesën e parë si mbrojtës i djathtë, e në pjesën e dytë si mesfushor qendror, kurse realizoi përforcimi më i ri, Bleart Tolaj (17’).

Bleart Tolaj

Llapjanët barazuan nëpërmjet Firmino-s (40’).

Në pjesën e dytë për skuadrën u paraqitën të gjithë titullarët e edicionit e fundit, kurse në ndeshje luajtën të gjithë futbollistët e disponueshëm, veç të lënduarve, Abazi, Zyba dhe Mone.

Pjesëloja e dytë foli në tërësi për Prishtinën. Shënoi dy gola me Oto John (47’ - asistoi E. Krasniqi dhe 55’ - asistoi Kryeziu). Prishtina kishte edhe tre mundësi vetëm me portier, në dy herët nuk ia doli John, kurse një të tillë e pati edhe Kryeziu.

Oto John

Prishtina të mërkurën zhvillon ndeshjen e dytë dhe të fundit para udhëtimit në Shqipëri. Në “Fadil Vokrri” nga ora 17 e 30 i presim kampionët e Maqedonisë së Veriut, Shkëndijën nga Tetova.

Leutrim Kryeziu

Prishtina - Llapi 3-1 (1-1)

Golat: Bleart Tolaj 17’, Oto John 47’, 55’ - Firmino 40’

Prishtina: Ardit Nika (Laurit Behluli - 36’ - Eglant Haxho - 53’) - Tun Bardhoku (Besnik Krasniqi - 46’), Lumbardh Dellova, Gentjan Muça (Leotrim Bekteshi - 46’), Erdin Dushi (Gledi Mici - 46’) - Lorik Boshnjaku (Tun Bardhoku - 67’), Albin Prapashtica (Sabien Lilaj - 46’), Mendurim Hoti (Endrit Krasniqi - 46’), Xhevdet Shabani (Leutrim Kryeziu - 46’), Bleart Tolaj (Gauthier Mankenda - 46’), Alban Shillova (Oto John - 46’).