Lajme

Prishtinë e dobët

Prishtinë e dobët

Besa me meritë shkon në gjysmëfinale

Prishtinë, 15 mars, 2017 – Sot Prishtina vetëm në ekip nuk ngjante. Me dëshirën më të madhe të pejanëve dhe me autogolin e shënuar, Besa, me meritë shkon në gjysmëfinale të Kupës.

Çerekfinalja e Kupës

Besa – Prishtina 1:0 (1:0)

Golashënues: Gentrit Dumani 35’ (autogol)

Shikues: afër 1.000

Gjyqtarë: Kreshnik Vula (Gjk), Besnik Morina (Vu), Artan Latifi (Pd) – Vehbi Ibrahimi (Mt)

KV: F. Kasapi – L. Maxhuni, A. Dallku, L. Leci, L. Boshnjaku, M. Pefqeli

KK: F. Kasapi (2KV min. 86’)

Pozita jashtë lojës: Besa 1-3 Pri

Kornerët: Besa 9-2 Pri

Gjuajtjet totale: Besa 7-6 Pri

Gjuajtjet në portë: Besa 3-3 Pri

Besa: 12. Arben Beqiri – 22. 8. Përparim Osmani, 33. Arbër Prekazi, 22. Edmond Turku, 5. Fisnik Papuqi /c/, 4. Diar Miftaraj, 14. Albert Dabiqaj, 77. Leart Emini (17. Florent Qorraj – 90+2’), 11. Qemail Elshani (10. Fetim Kasapi – 78’), Xhevdet Shabani, 19. Fatih Karahoda. Kryetrajner: Astrit Imami.

Prishtina (4-3-3): 1. Alban Muqiqi – 22. Lorik Maxhuni, 4. Armend Dallku /c/, 13. Liridon Leci, 18. Gentrit Dumani (93. Mergim Neziri – 46’) – 6. Debatik Curri (10. Gentrit Begolli – 82’), 7. Lorik Boshnjaku (77. Mergim Pefqeli – 73’), 8. Endrit Krasniqi – 15. Gauthier Mankenda, 9. Shend Kelmendi, 25. Basit Abdul Khalid. Zëvendësues: Visar Bekaj, Liridon Kukaj, Arbër Hoxha, Genc Hamiti. Kryetrajner: Lutz Lindemann.

Komenti:

Prishtina sot udhëtoi me shpresë të madhe në Pejë, por nga ajo çka (nuk) ofroi me meritë u eliminua. Edhe pse, Prishtina pati një rast ideal me Khalid pas pasimit të Kelmendit. Por, në fakt, mbase kjo ishte e tëra nga Prishtina. Vendasit shënuan me fat, pas autogolit të Dumanit, por as pas kësaj nuk u ndalen dhe insistuan edhe në golin e dytë që nuk e arritën, por u mjaftoi ai gol i pjesës së parë dhe tani vazhdojnë tutje në gjysmëfinale.

Minutë pas minute:

1’ Dabiqaj provon me gjuajtje ballore të fortë pranë pingules.

11’ Krasniqi provon nga distanca, reagim jo i sigurt i portierit Beqiri, por megjithatë e kap topin.

19’ Curri diagonale nga mesfusha për Kelmendin në krahun e majtë i cili afër fundores kalon Osmanin dhe e gjen Khalid në krahun tjetër i cili kishte mundësi të artë, por gjuajtja me kokë përfundon afër pingules.

22’ Aksion paksa më i gjatë dhe në fund mbyllet me gjuajtjen e Boshnjakut nga 22-24 metra, por e lartë.

30’ Shabani nga e majta harkon në shtyllën tjetër te Karahoda që gjuan me kokë, por kap portieri Muqiqi.

35’ Krosim nga Leart Emini pothuajse nga këndorja e majtë, Gentrit Dumani duke dashur të largoj në këndore dërgon topin në rrjetë dhe 1:0 për skuadrën vendase.

40’ Shabani nis aksion tjetër e vazhdon te Emini e ky te Karahoda që u gjend mirë dhe gjuajtja e tij pengohet nga portieri Muqiqi, këndore.

57’ Dallku rinis lojën nga vija anësore, Mankenda e gjen Khalid në zonë që e kthen për Boshnjakun dhe gjuan ballore të fortë, por intervenon dhe pas tentimit të dytë e kap topin.

69’ Aksion i vendasve, në fund me të parën gjuan fort Elshanit dhe shpëton Muqiqi, këndore.

75’ Turku gjuan me kokë pas aksionit në vazhdim të ekzekutimit të këndores, jashtë.

78’ Kasapi kroson nga e majta, Papuqi nga pozitë e mirë gjuan mbi kokë.

80’ Leci nga majta ekzekuton gjuajtjen e lirë, para zonës Pefqeli gjuan gërshërë, topi ndalet nga vija e portës nga njëri prej mbrojtësve vendas. Bardhekaltrit kërkuan zëshëm prekje me dorë.

82’ Shabani provon gjuajtjen nga e djathta, jashtë.

85’ Kundërzbritja e shpejtë e Prishtinës përfundon me gjuajtjen e Lecit larg mbi tra.

86’ Kasapi ndëshkohet me karton të verdhë përshkak kundërshtimit të zëshëm, e pastaj edhe përshkak ofendimit edhe me kartonin e dytë verdhë, respektivisht të kuq.

90+4 Dallku harkon nga e djathta, Khalid deshpërimisht tenton me kokë, por plogësht, kap portieri vendas.

Deklaruan:

Lutz Lindemann, kryetrajner i Prishtinës: Tridhjetë minutat e para kemi qenë ekip më i mirë ku edhe është dashur të shënojmë. Por, nga pranimi i golit kemi humbur kontrollin e lojës. Neve na duhen shumë raste për të shënuar, kurse Besës i mjaftoi një gol dhe e urojmë për fitore. Nervoze kanë qenë dy ekipet, jo vetëm Prishtina, sepse ajo çfarë ndodhte me mbledhësit e topave kurrkund në botë nuk ndodh. Nuk e di a ka përfunduar gjithçka, sepse për kampionat ka edhe 12 ndeshje, ka ndeshje mjaft dhe duhet të vazhdojmë të luajmë.

Astrit Imami, kryetrajner i Besës: Si ndeshje e para e imja, padyshim është sukses i madh të fitojmë kundër një ekipe me traditë siç është Prishtina. Nuk kam pasur shumë kohë të përgatit ekipin, kam pasur vetëm një stërvitje, pastaj kemi qenë në karantinë dhe nuk kam guxuar të ndërroj shumë në skuadër. Besoj se faktikisht kemi luajtur të dy skuadrat njësoj, nuk kam guxuar, siç thash të ndërroj shumë, por doli të ishte e suksesshme. 

Avni Durmishi