Lajme

Prishtinën, fitorja në derbi e ngjit në krye

Prishtinën, fitorja në derbi e ngjit në krye

Interesim i madh për ndeshje

Prishtinë, 22 tetor 2019 - Të enjten nga ora 18:00 në “Fadil Vokrri” takohen dy rivalët e përbetuar të dy edicioneve të fundit, Prishtina dhe Drita. Gjilanasit, pothuajse ishin “shkaktarët” kryesor që Prishtinës edhe për dy edicione tjera ia pamundësuan titullin. Edhe këtë edicion, sërish, dy skuadrat janë pretendente për titull.

Drita, lider i klasifikimit me 21 pikë, nga 4 udhëtime kanë 2 fitore e 2 barazime duke qenë skuadra më në formë ku nga 10 ndeshjet kampionale, përveç javës së parë nuk kanë pësuar më humbje.

Prishtina me formë më të luhatur, pozicionohet (momentalisht) e 6-ta me 17 pikë dhe nga 4 takime si vendas ka fituar vetëm 2 duke luajtur 1 herë baras dhe 1 humbje.

Por, fitorja me Dritën do ta ofronte skuadrën në vetëm 1 pikë larg.

Në dy sezonet e fundit, nga 6 përballje kampionale, Drita ka fituar 2 ndeshje, Prishtina 1 dhe 3 herë ndeshjet tjera janë mbyllur baras.

Ndeshjen do ta gjykoj Tefik Maloku (Pd) me ndihmësit me emblemë të FIFA-s, Fatlum Berisha (FK) e Bujar Selimaj (Pz).

Çmimi i biletave nuk ndryshon nga përballjet tjera, varion nga 3 euro në tribunën lindore dhe tribunën veriore (për tifozët mysafir), 5 euro në tribunën perëndimore dhe 10 euro në VIP. Biletat dalin në shitje në ditën e ndeshjen dhe do të shiten përreth stadiumit dhe në disa lokacione tjera (iu njoftojmë me kohë).