Lajme

Prishtinës po i jetësohet ëndrra të ketë kompleksin e vetë stërvitor

Prishtinës po i jetësohet ëndrra të ketë kompleksin e vetë stërvitor

Flasin, Mirel Josa, Armend Thaqi, Sami Sermaxhaj, Arsim Thaqi

Prishtinë, 2 mars 2018 – Pardje në mbledhjen e 33-të të Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Kryeministri, Ramush Haradinaj dhe me arsyetimin të dhënë me sqarim nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, FC Prishtinës iu është dhënë në shfrytëzim parcela 1197-7, e cila ndodhet në Bërnicë, apo në krah të fshatit Bardhosh afër qendrës së panairit. Kjo parcelë e kërkuar me vite të tëra dhe e parealizuar nga asnjë qeveri qendrore apo qeveri tjetër komunale më parë, ka gëzuar jashtëzakonisht shumë klubin, administratën, punëtorët, trajnerët, futbollistët, fëmijët e FC Prishtina.

Kjo është ëndrra e shumëkujt, që klubi të ketë shtëpinë e vet dhe pa dyshim prej vitit 1986 kur Komuna e Prishtinës i kishte falur stadiumin klubit, ky tani është lajmi më i madh në histori të klubit nga themelimi i saj.

Josa: Të kesh qendrën tënde i largon vuajtjet që janë, të kursen të mira ekonomike

“Kjo është gjë shumë e mirë. Është pasuri e madhe, e kur e themi këtë do të thotë që klubi të ndërtoj Akademinë, të ketë shtëpinë, sepse unë e shoh vetë se si klubi po vuan këtë periudhë, sa i përket qoftë terrenit të lojës, qoftë terreneve sportive. Klubi po vuan dhe po lodhet sikur nga organizimi, por edhe nga ana ekonomike, e cila do të jetë shumë e mirë për klubin në të ardhmen. Kryesorja, nga ana profesionale, është gjë shumë e madhe që klubi të ketë qendrën e saj ku stërvitet, grumbullohet, e shkon e diskutohet, e krejt kjo në një qendër si kjo për të cilën uroj të bëhet sa më shpejtë. Shumë klube tjera që i kanë këto qendra dhe tani mundohen t’i rinovojnë apo edhe bëjnë tjera.
Unë personalisht u gëzova shumë, jo më ata të cilët do të jenë këtu, sepse puna e trajnerëve është e tillë që sot është këtu, e nesër nuk është. Sepse, unë kam punuar edhe në klube tjera të cilat kanë qenë shumë të shpërndara dhe shpërndarja e punëve në disa drejtime nuk është gjë e mirë”, ka thënë shefi i shtabit teknik, Mirel Josa.   

Dallku: Pa këmbëngulësinë e kryetarit Ejupi s’ishte arritur kjo – falënderim të madh përgjegjësve

“Për mua si ish-lojtar i ri i Prishtinës, e tani kapiten i saj, është një arritje shumë e madhe, jo vetëm për FC Prishtina, por për tërë futbollin kryeqytetas e sidomos për gjeneratat pasardhëse, sepse ky kompleks do të iu mundësoj futbollistëve të ardhshëm kushte ideale për punë, që të formohen si profesionist. Unë kam stërvitur shumë vite në këso kompleksesh, ia di vlerën, e di mirë se çka do të thotë kjo për një klub pretendime të larta. Unë si kapiten i kësaj gjenerate futbollistësh, i uroj të gjithë futbolldashësve prishtinas e në veçanti futbollistëve të rinj të gjitha grupmoshave duke filluar nga ata të shumtë prej 7-8 vjeç e deri te skuadra e parë. Falënderim nga zemra për Kryeministrin Haradinaj e Ministrin Gashi që iu ka mundësuar klubit t’i ndahet parcela në fjalë dhe në fund kam urimin më të përzemërt të gjithë punëtorëve në klub, e posaçërisht kryetarit Ejupi që pa këmbëngulësinë e tij të pareshtur nuk ishte arritur kjo”, tha Armend Dallku, kapiten i skuadrës.

Sermaxhaj: Lutem sa më shpejtë të jetësohet – rinia jonë e shëndosh e meriton këtë

“Duke qenë pjesëmarrës aktiv që nga paslufta, qoftë me të rinj, qoftë me ekip të parë pran FC Prishtina, mendoj se ky veprim është më i rëndësishmi, më i nevojshmi dhe me vlerën më të lartë për të gjitha sukseset sportive dhe menaxheriale të klubit deri më tani. Lutem që ky projekt të jetësohet sa më shpejtë, ngase kësaj rinie të shëndosh i kemi obligim për t’i krijuar kushte optimale për zhvillimin e tyre. E uroj çdo anëtar të FC Prishtina dhe e falënderoj Qeverinë e Kosovës për këtë vendim të jashtëzakonshëm jo vetëm për futbollin e Prishtinës, por në përgjithësi futbollin tonë”, ka deklaruar drejtori i Shkollës së futbollit, FC Prishtina.

Thaqi: Fëmijët tanë do të stërvitin si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre në Evropë

“Vendimi për ndarjen e pronës nga Qeveria e Kosovës për dhënien në shfrytëzim të parcelës për FC Prishtina, është lajm historik për klubin, për Akademinë e futbollit të FC Prishtina, Federatën e futbollit të Kosovës, qytetin e Prishtinës me regjion, si dhe për të gjithë trajnerët e që shpresoj se në një të ardhme shumë të shkurtër do të mund t’i planifikojnë stërvitjet dhe t’i realizojnë në mënyrë profesionale, duke iu mundësuar fëmijëve që të stërvitin në kushtet e barabarta si gjithë bashkëmoshatarët në klubet evropiane”, është shprehur drejtori sportiv i FC Prishtina.