Lajme

Qeveria e Kosovës ka aprovuar kërkesën e parcelës për ndërtimin e kompleksit modern

Qeveria e Kosovës ka aprovuar kërkesën e parcelës për ndërtimin e kompleksit modern

Prishtinë, 21 nëntor 2018 - Vetëm një ditë pas suksesit historik të Përfaqësueses së Kosovës, një tjetër lajm i mirë ka ardhur nga Qeveria e Kosovës. Kjo e fundit, në mbledhjen e radhës të mbajtur sot e ka aprovuar kërkesën e FC Prishtinës për ndarjen e parcelës për ndërtimin e një kompleksi modern.

Ministri i Sportit, Kujtim Gashi para kabinetit qeveritar e përcolli kërkesën e klubit më të madh në vend, i cili u aprovua unanimisht në mbledhjen e Qeverisë.

“Me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për zhvillimin e kushteve sa më të mira për sportin e Kosovës dhe bazuar në kërkesën e klubit futbollistik Prishtina, i cili ka qenë i autorizuar sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës me numër 15/68 i datës 09.10.2018 që t’i ndërmarrë të gjitha masat përgatitore, kërkoj nga Qeveria ta bëjë aprovimin për dhënien në shfrytëzim të parcelës me numër 1197/2 me sipërfaqe prej 100 mijë metra katrorë në zonën kadastrale Bërnicë e Poshtme – Prishtinë. Afati kohor për dhënien në shfrytëzim të kësaj prone do të jetë 40 vjet dhe pa kompensim. Mënyra dhe kushtet për shfrytëzimin e kësaj prone do të përcaktohen me kontratë, që do të lidhet në mes të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe përfaqësuesve të shfrytëzuesit”, ka thënë ministri Gashi.

FC Prishtina qysh moti e ka bërë projektin, por institucionet ia pamundësonin ta jetësonin. FC Prishtina e planifikon të ndërtojë  kompleksin modern në vlerën prej 3.5 milionë eurosh. Projekti parasheh ndërtimin e disa fushave ndihmëse me bar sintetik dhe me bar natyral. Po ashtu planifikohet edhe ndërtimi i një konvikti për të rinjtë e Akademisë.