Lajme

Ramadani: Me fitore duam të bëjmë festën e nesërme më madhështore

Ramadani: Me fitore duam të bëjmë festën e nesërme më madhështore

Me Plisat do të jetë forcë shtyse për ne

Prishtinë, 19 korrik, 2021 -  Nesër Prishtina e pret kampionin e Uellsit, Connah’s, kurse para ndeshjes është prononcuar kryetrajneri, Zekirija Ramadani

Ramadani: Me fitore duam të bëjmë festën e nesërme më madhështore

“Nesër kemi kompeticion të ri, dhe kjo vlen për dy ekipet. Përvojë e re kjo si për ne, si për skuadrën tjetër.

Kemi të bëjmë me një kundërshtar që mbrohet mirë, ndoshta janë skuadër që iu mungon eksperienca, por si do që të jetë pretendoj që e njohim mjaft mirë. E kemi parë si luan, si pikat e forta, po ashtu edhe ato të dobëta.

E kam parë ndeshjen kundër Alashkert, skuadër që mbrohet me tërë fuqitë, nuk del fare ose shumë rrallë në sulm dhe atë kryesisht pas ndërprerjeve si armë e tyre më e fortë dhe me futbollistë shtatgjatë. Por, do të provojmë të bëjmë preventivat e duhura dhe të marrim masa, sidomos në ndërprerje.

S’kisha thënë që janë skuadër me e fortë fizike se sa Ferencvarosh, nuk pajtohem me këtë konstatim, sepse u pa se me çfarë skuadre kishim të bënim në dy ndeshjet e kaluara.

Konsideroj se jemi më të mirë, kemi kualitet më shumë, pa e favorizuar Prishtinën, ne këtë aspekt jemi shumë më të barabartë se sa rivali i kaluar. Por, ne cilësitë tona duhet t’i shfaqim në fushë.

Befasi do ta konsideroja eliminimin nga kampioni i San Marinos apo Andorrës, sepse futbolli sjell gjithçka dhe në rast dështimit të kalimit të raundit, aty ku e kemi synim, përgjegjësinë do ta marr unë, por duke i njohur futbollistët e mi e di që një gjë të tillë nuk do ta lejojnë.

Kemi motiv shtesë për ta kaluar raundin, por edhe nuk heqim dorë nga loja e bukur, sido qoftë objektivi kryesor është kalimi i raundit.

Ne duhet bërë punën tonë, megjithëse mungesa si Abazi, Lilaj e sidomos Zyba që ende nuk e dimë se sa gjatë do të mungoj, por edhe Dellova duke mos e harruar, janë evidente, por me futbollistët që kam në dispozicion do të bëjmë maksimumin që mos të vërehet mungesa e ndonjërit dhe që ta kemi sa më lehtë për ndeshjen kthyese pas një jave.

Patjetër që do e të jetë ndjesi e veçantë prezenca e shikuesve. Pa pasur fare adhurues tanë në Budapest ishte ndjesi tjetër, lëre më tani para publikut tonë.

E nga Plisat, si grupet më të organizuara shqiptare, do të kemi përkrahje maksimale dhe për ne do të jenë forcë shtyse nga ta. Normalisht prezent do të kemi edhe adhuruesit tjerë të klubit që në çdo mënyrë do të provojnë të na ndihmojnë.

E di që kemi nesër festë fetare dhe duam që me rezultat të favorshëm, pra me fitore, të ua urojmë të gjithëve dhe tua bëjmë edhe më madhështore festën. Thjesht, me përkrahjen e publikut edhe ne do të jemi krejtësisht më ndryshe”.