Lajme

REAGIM

REAGIM

FC Prishtina është detyruar t’i përgjigjet interesimit të madh të medieve dhe adhuruesve të shumtë të klubit rreth skandalit të ndodhur në futbollin kosovar, i publikuar sot nga “Indeksonline” dhe të përcjella nga të gjitha mediet tjera ku konstatohet “viktimizimi” i FC Prishtinës.

Ky skandal e ka shokuar FC Prishtinën. Jo për shkak të humbjes së atyre tri pikëve, që gjyqtari e pranon se qëllimisht na ka dëmtuar dhe ka planifikuar të na dëmtojë edhe në ndeshjen e së mërkurës, por për shkak dëmit të madh e të pariparueshëm që ia ka shkaktuar futbollit kosovar, pjesë e të cilit jemi edhe ne si klubi më me renome.

FC Prishtina ndër vite është munduar t’i kontribuojë një futbolli normal e të shëndoshë, ani pse ishim të izoluar nga katër anët.

Në vazhdimësi kemi dhënë vërejtjet tona të argumentuara për prezencën e dukurive negative në futbollin tonë, por ato fatkeqësisht janë injoruar nga organet kompetente, të cilat më lehtë ndërmerrnin masa ndëshkuese ndaj FC Prishtinës që jepte vërejtje me qëllime pozitive sesa kundër akterëve të dukurive të ndryshme negative.

Për FC Prishtinën nuk çon fortë peshë humbja e pikëve në këso mënyra. Na vjen shumë keq për shkeljen e djersës së futbollistëve tanë, por më shumë na brengos frika se skandalet e tilla rrezikojnë seriozisht t’i humbas edhe ata pak donatorë që janë kontributdhënës të sinqertë në futbollin tonë.

Por, edhe më tepër se kjo na shqetëson frika e prishjes së imazhit të futbollit tonë në Evropë, të cilën e kërkuam me ngulm, e për të cilën gjenerata të tëra sakrifikuan shumë. Aq më tepër tani kur te UEFA veç kemi nis të bëhemi horë si pasojë e gjendjes së mjerueshme infrastrukturore në vendin tonë, të cilit më së paku në këtë kohë i janë dashtë “goditjet” me skandale trukimesh.

Andaj, FC Prishtina inkurajon FFK-në dhe instancat tjera që t’i përballojnë presionit që sigurisht iu është kanos dhe në mënyrë profesionale situatën ta menaxhojnë. I inkurajojmë që të ndërmarrin masa adekuate në mënyrë që bashkërisht ta tejkalojmë këtë situatë dhe futbollin tonë ta shpëtojmë në mënyrën më të mirë të mundshme


FC Prishtina, 4 prill, 2017