Lajme

Remzi Ejupi ideator, Nait Hasani bartësi kryesor i procesit të Ligjit për Sponsorizim

Remzi Ejupi ideator, Nait Hasani bartësi kryesor i procesit të Ligjit për Sponsorizim

Nuk mbahet mend që në futbollin e Kosovës të jetë investuar më shumë sesa që po investohet këtë herë.

Pa asnjë dyshim, të gjithë tashmë e kanë të qartë se në këtë ka ndikuar aprovimi i Ligjit për Sponsorizim, i cili ka hyrë në fuqi, i ka shtyrë donatorët t’i afrohen futbollit dhe të investojnë në të, shkruan gazeta Zëri.

Megjithatë, cila është historia dhe nga cili model u mor ky ligj. Ligji për Tatim mbi të Ardhurat në Korporata, i cili e kompleton dhe e mundëson implementimin e Ligjit për Sponsorizim, është i njëjti me atë që përdoret në Gjermani, ide kjo që në Kosovë për herë të parë ishte sjellë nga presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, shkruan gazeta “Zëri”.

Ai ishte ideatori ku edhe nisën bisedimet në vitin 2016 me disa deputetë në atë kohë, duke ua propozuar këtë ligj, ku më pas formuan një komision për të udhëtuar drejt Gjermanisë e ku ishin mysafirë të presidentit të FC Prishtinës Remzi Ejupit, atje ku edhe e ka zanafillën sot Ligji për Sponsorizim në Kosovë.

Qysh në vitin 2016 Komisioni Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, i përbërë nga Nait Hasani, pastaj Bekim Haxhiu, Shpejtim Bulliqi, Ismajl Kurteshi, Teuta Haxhiu, Shukrije Bytyqi dhe Mufera Sinik, bashkë me Remzi Ejupin zhvilluan takime me deputetë, me udhëheqës të sportit gjerman, me biznese gjermane dhe me zyrtarë të Ministrisë së Financave gjermane, prej të cilëve kishin marrë këshilla, modalitete dhe përvoja se si ta bëjnë edhe Kosovën me një ligj të mirë dhe në interes të shpëtimit dhe të zhvillimit të sportit.

Letra dërguar Remzi Ejupit në vitin 2016

Kontribuues i madh për ligjin ishte edhe Helmut Hack i cili ishte nënkryetar i Federatës së Gjermanisë.

Ai në vitin 2016 i kishte dërguar një letër Remzi Ejupit.

“I nderuar z. Remzi Ejupi! Siç jemi marrë vesh në bisedën telefonike më 19 maj 2016 me zotin Hack, ne duam t’ju japim një udhëzim për trajtimin e tatimeve në shpenzimet për sponsorizim në futbollin profesional gjerman. Tatimi në të ardhura në entitetet gjermane para rregullimeve në ligjin gjerman të taksave kalkulohet si diferencë mes të ardhurave dhe shpenzimeve. Në përgjithësi, të gjitha shpenzimet janë të zbritshme, që janë të detyruara nga aktivitetet e biznesit.

Kjo përfshin shpenzimet për sponsorizim të paguara për ekipet profesionale të futbollit gjerman, për shembull për sponsorizimin në stadiumet e sportit dhe në fanellat e futbollit, të bëra në interes të kompanisë gjermane. Nëse për shembull e ardhura në të ardhura për një kompani gjermane është 1000 euro, shpenzimet për sponsorizim janë 100 euro, për shembull për sponsorizimin e stadiumit të sportit të një klubi profesional të futbollit si Prishtina tatimi duhet të reduktohet, kështu që tatimi në të ardhura pas shpenzimeve të tilla merret për 900 euro. Duke supozuar se shkalla e tatimit është 30%, tatimi reduktohet për 30 euro (=30% e 100 eurove). Ne me shumë kënaqësi do të t’ju jepnim edhe më shumë këshilla të detajuara. Në ndërkohë ne besojmë se informacioni i mësipërm ju ndihmon. Çdo të mirë!”, shthuhet nw letrën e Helmut Hack.

Ejupi, krenar që kontribuoi në këtë fushë

Pa dashur askujt t’i minimizohet puna e cila është bërë që Kosova sot ta ketë Ligjin për Sponsorizime, ligj që tashmë po kërkohet me ngulm edhe nga klubet në Shqipëri të iniciohet sa më shpejt, gjithsesi meritë e madhe shkon për numrin një të FC Prishtinës Remzi Ejupin, që ishte vazhdimisht afër dhe dha ndihmën e tij që Kosova të bëhet me këtë ligj.

Ejupi në një bisedë për gazetën “Zëri” ka thënë se ndihet krenar që dha kontribut në këtë rrugëtim 3-vjeçar deri në ditën që ligji mori miratimin në Kuvendin e Kosovës.

Ai beson se ky ligj klubeve tona sportive do t’ua bëjë shumë më të lehtë të mbijetojnë financiarisht dhe do të gjejnë rrugë më lehtë për të ardhur te financat.

“Së pari dua që ta falënderoj zotin Helmut Hack, i cili e ka bërë një punë të madhe sa i përket Ligjit për Sponsorizim. Me Halmut Hackun kam diskutuar gjatë për këtë çështje derisa e kemi gjetur metodën më të mirë”, ka thënë Ejupi, duke folur më pas për detaje se çfarë është diskutuar në ato takime. “Dihet se si fillim është propozuar që 5 për qind e të ardhurave të tatimit në fitim të shkojnë në sport, pastaj është bërë 10 për qind, derisa e kemi arritur ta bëjmë 30 për qind dhe unë jam shumë i lumtur për këtë”, ka përfunduar Remzi Ejupi.

Gjithsesi sot Kosova po mburret që ka një ligj me të cilin funksionon edhe sporti në Gjermani, derisa ky vendim i Kosovës ka shtyrë edhe komunitetit sportiv në Shqipëri të bëjë trysni te ligjvënësit që ta marrin model Kosovën dhe sa më shpejt të implementohet edhe atje.

Nait Hasani, njeriu që dha kontribut të madh në këtë punë

Njëri nga më meritorët që sot Kosova e ka Ligjin për Sponsorizim pa asnjë dyshim është Nait Hasani, i cili dha kontribut të madh.

Ai në mënyrë kronologjike e ka përshkruar rrugëtimin dhe pavarësisht shumë kundërshtimeve që kishin marrë nga forca të ndryshme politike, ata arritën t’i bindin deputetët ta votojnë atë.

“Puna ka nisur në kohën kur ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka qenë Kujtim Shala. Kemi biseduar gjatë dhe pas konsultave të shumta me ekspertë gjermanë në një takim në Frankfurt kemi konstatuar se suksesi i sportit gjerman është modeli më i mirë dhe kemi vendosur ta marrim atë. 30 për qind në tatim janë për sport, 20 për qind në kulturë, edhe pse them se për kulturë janë pak. Gjithsesi ka qenë një punë e madhe, kemi pasur kundërshtime se kjo e ngarkon shumë buxhetin e shtetit e që në fakt nuk e ngarkon. Gjithsesi në fund, pas rrethanave të krijuara nga suksesi i Majlindës dhe sportistëve tjerë dhe me insistim të komunitetit sportiv, ligji arriti të kalojë, ne sot e kemi një ligj që i ndihmon shumë sportit”, ka thënë ndër të tjera Nait Hasani për gazetën “Zëri”. /Zëri.info