Lajme

Skuadra nis përgatitjet me fitnes

Skuadra nis përgatitjet me fitnes

Dallku: “Otto John 95% afër Prishtinës“

Prishtinë, 6 janar 2020 – Sot skuadra ka nisur zyrtarisht përgatitjet për stinorin vjeshtor. Tre seancat e para skuadra do t’i mbaj në fitnes, tek qendra më e madhe e fitnesit “Fivestar Fitness”, njëherësh sponsor i artë i FC Prishtina.

Për të gjitha hollësitë ka folur edhe shefi i shtabit teknik, Armend Dallku.


Plani i përgatitjeve

“Sot kemi filluar zyrtarisht me përgatitje. Java e parë do të vijoj me një ditë punë, një ditë pushim, sepse normalisht pas pauzës na duhet pak kohë deri sa djemtë të hyjnë në ritëm. Kurse nga java e dytë do të hyjmë në regjim të punës dy herë në ditë deri te shkuarja në Turqi. Gjatë dy javësh në Turqi do të jetë puna kryesore dhe java e fundit do të ngelët për përgatitjet përfundimtare para ndeshjes së Kupës”.


Pas matjeve, shumica e futbollistëve me gjendje optimale

“Na gëzon fakti që hiq dy-tre futbollistëve, të gjithë kanë ardhur në gjendje që kanë shkuar në pushim duke krahasuar matjet nga stërvitja e fundit dhe ato të regjistruara sot, si pesha dhe gjërat tjera. Por, edhe ata dy-tre individë që kanë ardhur me mbipeshë do t’i disiplinojmë dhe me punën në vazhdim do të rikuperojmë, sepse e di edhe vetë si futbollist se sa problematike është mbipesha”.

Agon Xhaka, Art Maloku, Ramush Ramadani, Jon Bajgora, Lis Ahmeti

“Kemi biseduar edhe me futbollistët që nuk i kemi në plan, duke i inkurajuar dhe rekomanduar që të gjejnë skuadra tjera ku do të kenë më tepër hapësirë për të luajtur, sepse neve nuk na intereson t’i mbajmë në ekip dhe mos të kenë mundësi loje. Pra insistimi im personal duke i takuar ka qenë t’iu shpjegohet situata se si e shoh unë FC Prishtinën në këtë gjashtëmujorësh të dytë. Dhe iu kam rekomanduar të gjejnë skuadra tjera si në Superligë apo edhe kategorinë e parë, për të pasur lojë dhe ne t’i përcjellim nga afër paraqitjet e tyre që pastaj në verë të japim përgjigje se a na janë të nevojshëm apo jo”.

Otto John 95% afër Prishtinës

“Ne stafi nuk kemi pasur pushim fare dhe kemi insistuar të gjejmë futbollistë përforcues, sidomos në pjesën ofensive aty ku kemi çaluar më së shumti. Pra, kemi kërkuar lojtarin e përshtatshëm jo vetëm në filozofinë tonë të lojës, por edhe që e njeh kampionatin tonë dhe jo të gjejmë dikë që do të na merrte kohë deri në adaptim. Pra, nuk dua lojtarë të panjohur apo që nuk i njeh rrethanat e futbollit kosovar. Besoj se do t’ia arrijmë të sjellim atë që kemi dashur dhe mund të konfirmoj se jemi afër pothuajse 95% me Otto John”.