Lajme

Statistikat: Prishtina – Ferizaj

Statistikat: Prishtina – Ferizaj

Të mërkurën zhvillohet përballja e 40-të pas luftës

Prishtinë, 2 mars 2020 – Përballjen e të mërkurës (4 mars, 17:00h) shumë kush mund ta sheh si të lehtë, por skuadra e Ferizajt din të befasoj bardhekaltrit nga kryeqendra, duke i parë statistikat e së kaluarës. Ferizaj po lufton me mish e me shpirt për të shpëtuar nga rënia, ndërsa nga ana tjetër, varësisht edhe nga duelet tjera, Prishtina duke e harruar barazimin e fundit me Ballkanin dhe me fitore kundër Ferizajt, mund të kap kreun e klasifikimit. Për Prishtinën tre pikët me Ferizajn janë jetike, sidomos para duelit të fundit të fazës së dytë me pretendentin tjetër për titull, Dritën, në Gjilan.

Prishtina dhe Ferizaj pas luftës në garat zyrtare janë ndesh 39 herë. Kuptohet, Prishtina ka bilanc plotësisht pozitiv, 24 fitore, 11 barazime dhe vetëm 4 humbje me goldallim +39, 60:21.

Prishtina nuk ka pësuar humbje në 9 ndeshje rresht, kurse me Ferizajn në 11 takimet e fundit nuk din për humbje. Por, vitin e kaluar Ferizaj i kishte rrëmbyer dy barazime Prishtinës, njërin në “Fadil Vokrri”. Ndërsa dy duelet e fundit ka fituar Prishtina me rezultat identik, 2:0.

Ferizaj, nga 18 takimet e zhvilluara në Prishtinë, nuk ka fituar asnjëherë, por ia ka dal të ndal vendasit 4 herë duke luajtur baras.