Lajme

Superkupa: Prishtina mposhtë me meritë Dritën

Superkupa: Prishtina mposhtë me meritë Dritën

Trofeu i 10-të në historinë e klubit

Lara/Antalya, 23 janar 2021 - Prishtina ka fituar trofeun e Superkupës me shumë meritë duke mposhtur kampionët aktual dhe kampionët vjeshtor të Dritës, 3:1 (2:1). Prishtina sot ishte e pamëshirshme, nga çdo aksion e kërkonte golin, krijoi një mori rastesh dhe sa për meritë të fatit po ashtu edhe të pritjeve të portierit gjilanas, nuk shënoi më shumë se tre gola.

Futbollistët patën motivin e duhur dhe megjithëse ndodhën në mes të fazës përgatitore, dhanë maksimumin që klubi të ketë trofeun e 10-të jubilar në sirtarët e saj.

FC Prishtina Superliga

Golat për Prishtinën shënuan Qendrim Zyba (2’), Besnik Krasniqi nga penalltia (22’) dhe golin e vulës së fitores shënoi Alban Shillova në minutën e 3-të shtesë.

Drita shënoi golin e barazimit në minutën e 8-të nëpërmjet Kastriot Rexhes.

Prishtina pas kësaj ndeshje zhvillon edhe tre duele tjera testuese miqësore para se më 1 shkurt të rikthehet në kryeqendër. Ndërsa me Dritën do takohet edhe dy herë tjera në katër ndeshjet e ardhshme, për Kupë në 1/8 e finales më 10 shkurt dhe pastaj në javën e 21-të, të dyja këto duele në “Fadil Vokrri”.

FC Prishtina

Superkupa

Prishtina - Drita 3-1 (2-1)

Golat: Qendrim Zyba 2’, Besnik Krasniqi (pen) 22’, Alban Shillova 90’+3 - Kastriot Rexha 8’

Gjyqtarë: Abdul Kadir Bitigen, Ismael Sencan, Mustafa Savranlar, Abdullah Bugra Taskinsoy

Pozitat jashtë lojës: Pri 3-1 Dri

Kornerët: Pri 8-4 Dri

Gjuajtjet totale: Pri 12-7 Dri

Gjuajtjet në portë: 7-3 Dri

Prishtina: 35. Eglant Haxho (12. Ardit Nika - 40’) - 2. Besnik Krasniqi, 28. Leotrim Bekteshi, 5. Lumbardh Dellova, 18. Gledi Mici - 88. Sabien Lilaj - 7. Lorik Boshnjaku (4. Tun Bardhoku - 89’) - 20.Qendrim Zyba (17. Alban Shillova - 90’), 10. Endrit Krasniqi, 23. Leonit Abazi (8. Mergim Pefqeli - 85’) - 9. Leotrim Kryeziu. Zëvendësues: Genjtan Muça, Albin Prapashtica, Enis Gavaza.  Kryetrajner: Zekirija Ramadani.

Drita: 94. Leotrim Rexhepi - 5. Ardian Limani /c/, Fidan Gërbeshi (22. Betim Haxhimusa - 88’), 3. Arago Jamal, 18. Ilir Blakçori (77. Vladian Brdarovski - 46’), 7. Hamdi Namani (25. Bujar Shabani - 46’), 20. Erjon Vucaj (8. Ergyn Ahmeti - 72’), 27. Astrit Fazliu, 17. Almir Ajzeraj (97. Festim Alidema - 69’), 10. Xhevdet Shabani, 24. Kastriot Rexha. Kryetrajner: Ardijan Nuhiji.

Qendrim Zyba

Rastet/golat:

2’ Këndorja e parë e Prishtinës, nga e djathta këndoren e nis shkurt Abazi, Endrit Krasniqi harkon për të asistuar për Qendrim Zybën i cili bukur në shtyllën e bukur e godet topin me kokë dhe përfundon në këndin e kundërt - 1:0.

Qendrim Zyba

5’ Abazi depërton nga e majta deri në afërsi të portës dhe e tenton “këndin e vdekur”, por portieri Rexhepi nuk befasohet, pret.

8’ Aksion nga e djathta e Dritës, harkim në zonë, bukur gjuan me kokë Namani, portieri Haxhaj e ndal shkurtë, Kastriot Rexha nga afërsia vendos topin në rrjetë - 1:1.

Kastriot Rexha - Leotrim Bekteshi

21’ Kundërzbritje e shpejtë e Endrit Krasniqit i cili bukur e gjen në krahun e majtë Leonit Abazin i cili në depërtim e sipër në zonë ndalet nga kapiteni, Ardian Limani dhe gjyqtari autoritativ i FIFA-a, Abdul Kadir, jep shenjë në pikën e bardhë.

Besnik Krasniqi

22’ Nga pika e bardhë i saktë Besnik Krasniqi - 2:1.

47’ Endrit Krasniqi provon gjuajtjen nga goditja e dënimit, pret portieri Rexhepi.

51’ E. Krasniqi majtë te Abazi, gjuan rrëmbyeshëm lartë.

54’ Harkim nga e majta, Rexha gjuan rrezikshëm me kokë në këndin e sipërm, intervenon Nika.

55’ Endrit Krasniqi gjuan jashtë zonës, intervenon Rexhepi.

Lorik Boshnjaku

65’ Boshnjaku depërtonht deri para portierit Rexhepi i cili del fitues në duel dhe shpëton gol të sigurt.

80’ Tani harkimin nga e djathta, Rexha e gjuan me kokë, Nika në vend.

81’ Harkim nga e djathta, Alidema në shtyllën e dytë gjuan me kokë, por jashtë.

Leotrim Kryeziu

83’ Aksion i shkëlqyer, Lilaj te Zyba dhe e qet Kryeziun me portierin Rexhepi që bukur e pengon Kryeziun i cili e parabolon, por topi del jashtë portës.

90’+2 Bardhoku gjuan ballore, jashtë portës.

90’+3 E. Krasniqi e nis rivënien anësore, Pefqeli e pason, asiston Alban Shillovën i cili në përballje me portierin Rexhepi del i suksesshëm për 3:1.

Alban Shillova

Deklaruan:

Zekirija Ramadani: “Më kënaqi ritmi i lojës. Patjetër që fitorja më gëzoi. Siç thash, ritmi, posedimi dhe duke e marr parasysh që kemi pasur ngarkesë të madhe gjatë kësaj faze, por u vërejt që futbollistët e deshën fitoren, e donin trofeun duke dhënë maksimumin, si sot në ndeshje, si në seancat stërvitore dhe si shpërblim morëm këtë trofe të çmuar. Të gjithë trofetë janë të mirëseardhur, si për ekip dhe për çdo futbollistë që e fiton atë. Tani mund të them që jemi në rrugën e duhur, jemi duke punuar mirë dhe besoj që shumë shpejtë do të jemi në qindpërqindtëshin e duhur dhe nuk duhet të largohemi nga kjo rrugë”. 

Qendrim Zyba: “Kam pasur shumë raste për të shënuar, sidomos në kampionat, por nganjëherë fati nuk të ecën. Ky gol është shumë i veçantë për mua, të shënon në ndeshjen ku fiton trofe ka rëndësi të madhe dhe të jep shumë gëzim. Këtë gol dua t’ia dedikoj veçmas motrës time që nuk e kam parë qe tre vite. Përndryshe ishte ndeshje mjaft e vështirë, këmbët i kishim të rënduara nga faza përgatitore, por mendoj që e përballuam mjaft mirë dhe jemi në rrugën e duhur”.