Lajme

U-15: T’i sfidojmë vlerat tona

U-15: T’i sfidojmë vlerat tona

Konferencë para nisjes për Gjermani – flasin akterët e turnirit


Prishtinë, 20 janar, 2017 – FC Prishtina U-15, sonte niset për në Gjermani, Iserlohn të Dortmundit. Pas turnirit të U-19, para tre vitesh në Dortmund, kur Prishtina ishte përball me skuadrat si, Arsenal i Londrës, Zenit St.Petersburg, Wolfsburg,...ky është turniri tjetër më i fortë që skuadrat kosovare, të gjitha moshave, përballen dhe marrin pjesë.

Të rinjtë 15-vjeçar të Prishtinës, kanë premtuar angazhim, të japin shembull në sjelljet e tyre dhe t’i tregojnë vlerat e futbollit tonë vendor dhe punës në grupmoshat e reja.


Ali Osmani: Besoj se me paraqitjet tona nuk do ta koritim më të merituarin, Ilir Mulakun

“Djemtë janë përgatitur mjaft mirë. Djemtë janë shumë entuziast që për herë të parë do të luajnë jashtë vendit. Besoj dhe jam optimist se do të arrijnë sukses. Besoj se do të jemi të mirëpritur, kurse padyshim falënderim i madh shkon për Ilir Mulakun, i cili ka kryer shumë obligime për ne dhe jemi mysafir të tij çka shumë besoj që me paraqitjet tona nuk do ta koritim Ilirin”, ka thënë ndër të tjera, trajneri, Ali Osmani.


Arsim Thaqi: T’i tregojmë vlerat që ka Prishtina – sfidë loja grupore

“Falënderim i veçantë shkon për Ilir Mulakun, bashkatdhetarit tonë, që na ka mundësuar, përveç ftesës që na ka bërë, dhe në mbulimin e të gjitha shpenzimeve. Normalisht, edhe klubin tonë, që na ka mbuluar pjesën tjetër të shpenzimeve. Çka është më rëndësi, ky grup është me fat, sepse në aspektin financiar nuk ka pasur asnjë obligim. Pra, ne ju kemi dhënë mundësinë këtyre lojtarëve më të mirë që i kemi, që ta provojnë nivelin tonë me ekipet e nivelit evropian. Në këtë drejtim, nuk presim të jemi në nivel më të lartë se Arsenali i Londrës e Borussia e Dortmundit, por të paktën të jemi aty diku në një nivel me ta. Sepse, këto aktivitete janë për lojtarët më atraktiv, që kanë cilësi individuale dhe ne këtu jemi mirë, por të shohim se ky grup a do ta ketë edhe cilësinë, për neve pak sfiduese, pjesa e grupit, e lojës kolektive. Dhe, trajneri Osmani, kohëve të fundit ka punuar në këtë aspekt që mos të kemi vetëm individ të dalluar, por të kemi grup cilësor që luan pak edhe për rezultatet. Në fund, në emër të gjithë trajnerëve dhe Shkollës së futbollit, FC Prishtina, iu dëshiroj sukses fëmijëve dhe normalisht të kenë fat, sepse këta janë e ardhmja e Prishtinës dhe t’i tregojnë vlerat që kanë edhe pse Prishtina në historinë e saj ka kushtet më të këqija për punë, në  mungesë të stadiumit e vendit për stërvitje e punë. Por, sido që është, për Prishtinën ky vit është i mbar me të gjitha këto aktivitete ndërkombëtare që po merr pjesë”, ka thënë menaxheri i Shkollës së futbollit, FC Prishtina, Arsim Thaqi.     


Erjon Morina: Të përfaqësojmë klubin sa më mirë

“Si skuadër jemi shumë të lumtur që po shkojmë në Gjermani ku na është dhënë rasti t’i tregojmë cilësitë tona si ekip. Mendoj se jemi përgatitur si klub dhe me punë me trajnerin tonë Osmani. Shpresoj të përfaqësojmë klubin sa më mirë, edhe pse do ta kemi vështirë duke marrë parasysh se përballemi me skuadra si Hamburg, Schalke, Stuttgart etj., por ne do të japim maksimumin që të paraqitemi sa më mirë”, ka thënë anëtari i Kombëtares shqiptare, sulmuesi i majtë, Erjon Morina. 


Jon Krajkova: Do të na jep më shumë eksperiencë

“Do të jetë aktivitet që ne si futbollistë të ri do të na ndihmon shumë për të ardhmen. Do të na jep eksperiencë më shumë se që kemi dhe do të na motivoj edhe më shumë për punë. Pres po ashtu të japim pak shembull ekipeve tjera, sepse as ne, besoj, nuk jemi aq mbrapa”, ka thënë njëri ndër lojtarët më të mirë të kësaj grupmoshe në Kosovë, sulmuesi i djathtë, Jon Krajkova .


Fatos Sinani: Kemi grup të mirë, kemi besim në vete

“Kemi një trajner të mirë me të cilin kemi punuar shumë mirë, sidomos gjatë muajit dhjetor, për çka jemi përgatitur enkas për këtë turnir, si në seancat e përgatitjes fizike e po ashtu kemi pasur mjaft punë edhe me top. Ato ekipe me të cilat përballemi janë shumë klube të mëdha, por edhe ne kemi një grup të mirë, kemi besim në vete dhe do të shkojmë të shohim e të krahasohemi se ku jemi”, ka thënë portieri 186 centimetra i gjatë, Fatos Sinani.


Ekspedita e Prishtinës

1. Fatos Sinani, portier - 186 cm.
12. Ron Arifi, portier - 185 cm.
4. Lorik Kamberi, mbrojtës qendror - 176 cm.
5. Rron Mustafa, mbrojtës qendror - 174cm.
6. Altin Llumnica, mbrojtës i majtë - 182cm.
8. Gentian Gashi, mesfushor i majtë - 179cm.
7. Gentris Leci, mesfushor qendror - 169 cm.
11. Merdijan Sejdiu, mesfushor i djathtë - 180 cm.
10. Erjon Morina, sulmues i majtë – 169 cm.
18. Arbër Xheladini, sulmues qendror – 177 cm.
9. Jon Krajkova, sulmues i djathtë – 169 cm.
17. Gent Krasniqi, sulmues qendror – 169 cm.

Trajner: Ali Osmani
Menaxher: Arsim Thaqi
Gazetar i klubit: Avni Durmishi