Lajme

UEL: Europa - Prishtina 1-1

UEL: Europa - Prishtina 1-1

Me eurogolin e Korenicës skuadra merr rezultat premtues

Gjibraltar, 28 qershor 2018 - Prishtina nuk kënaqi me lojë, sidomos në pjesën e parë kur edhe u mposhtë nga penalltia (45’), kurse pjesa e dytë u përmirësua dukshëm çka edhe u kurorëzua me gol të bukur të Korenicës (49’) nga gjuajtja e lirë. Pra, rezultati është i kënaqshëm për ndeshjen e kthimit. Dhe, mbase nuk u njohë shumë mirë kundërshtari i cili para publikut të vetë (rreth 500) u tregua skuadër mjaft e mirë dhe mesiguri që loja e skuadrës tonë do të jetë krejt ndryshe pas një jave në fushë me bari artificial.

UEL raundi preliminar

Europa FC - FC Prishtina 1-1 (1-0)

Golat: Enrique Carreno 45’ (pen) - Meriton Korenica 49’

Shikues: 500

Gjyqtarë: Capela Santos - Moniz Cordeiro, Ribeiro Ferreira - Nobre Carvalho

KV: Tornay - Januzi

Pozita jashtë lojës: Eur 2-0 Pri

Kornerët: Eur 4-5 Pri

Gjuajtjet totale: Eur 4-5 Pri 5

Gjuajtjet në kuadrat: Eur 2-4 Pri

Europa: 1. Javier Munoz Arevalo - 5. Ibraim Ayew, 14. Jesus Toscano, 22. Martin Belforti, 11. Toni Garcia - 17. Guillermo Roldan, 6. Ivan Moya Tornay, 20. Mustapha Yahaya - 10. Lian Walker, 27. Enrique Carreno, 13. Rubo Blanco (24. Jose Miguel Gonzales). Kryetrajner: J. Gallardo.

Prishtina (4-4-2): 12. Visar Bekaj - 88. Përparim Osmani, 4. Armend Dallku /c/, 8. Ahmet Haliti, 3. Jamal Arago - 15. Gauthier Mankenda, 21. Argjend Mustafa, 66. Ergyn Ahmeti (7. Lorik Boshnjak - 83’), 10. Meriton Korenica - 9. Basit Abdul Khalid (Alen Jasharoski - 65’), 27. Ahmed Januzi (Arbër Hoxha - 88’).
Zëvendësues: 1. Alban Muqiqi, 22. Lorik Maxhuni, 6. Debatik Curri, 77. Mërgim Pefqeli.  Kryetrajner: Mirel Josa.

Komenti:

Ndeshja nisi furishëm me rast ideal të Khalid nga 18 metra pas pasimit të Januzit, por që topi shkoi shumë lart portës. Pastaj, ishin vendasit që dominuan, por pothuajse pa krijuar ndonjë rast shënimi. Në fakt patën 2 gjuajtje shumë lartë portës. Kurse, në portë gjuajti vetëm me Korenicën pas një goditje dënimi nga anash, por që dëboi portieri. Dhe, kur pritej përfundimi i pjesës së parë, Dallku shkaktoi penallti brenda zonës, çka në dukje të parë u duk ndërhyrje mjaft e lehtë. Sidoqoftë vendasit krijuan epërsinë.

Pjesa e dytë foli në të mirë të Prishtinës. Vendasit patën edhe dy tentime, njëra jashtë portës e tjetra gjuajtje jashtë zonës jo e fortë për Bekajn. Kurse, Prishtina e nisi sërish me Khalid, ishte Mankenda që depërtoi dhe pasoi nga e djathta, ndërsa sulmuesi ganez doli i vetëm me portier dhe nga afër i priti gjuajtjen që ishte rast i qindpërqindtë. Por, nuk vonoi shumë dhe diku nga 20 metra nga pozitë ballore, Meriton Korenica e barazon rezultatin me gjuajtje precize duke shënuar gol jashtëzakonisht të bukur (49’). Deri në fund bardhekaltrit nuk lejuan të rrezikoheshin, por patën vetëm edhe një gjuajtje, sërish me Korenicën, por që portieri vendas pastroi situatën pas ndërhyrjes së dytë. Ndërsa, Korenica pa dyshim që ishte lojtar i ndeshjes, duke shënuar gol, duke gjuajtur edhe dy herë tjera në portë, por edhe duke pasur saktësi të madhe si në pasime dhe ndihmoi jashtëzakonisht shumë si mesfushën, por edhe mbrojtjen nga e majta.

Për Prishtinën ky është rezultat i kënaqshëm dhe tani njihet shumë më mirë kundërshtari e që besojmë shumë se edhe me një qasje edhe më të përqëndrueshme skuadra do të kaloj në raundin e parë.

Minutë pas minute:

1’ Top i gjatë nga mbrojtja pas ndërprerjes, Januzi në dyluftim ia del t’ia shtyj topin Khalidit i cili gjuan shumë keq nga 20-metra, furishëm e pothuajse jashtë stadiumit.

27’ Korenica nga e majta provon gjuajtjen në shtyllën e parë, por dalje e saktë e portieri dhe grushtim nga ana e tij.

30’ Garcia harkon nga gjuajtja e lirë prej të majtës, ndërsa Carreno gjuajti lartë.

34’ Ndërprerjen nga e majta e nis Arago krejtësisht në krahun e majtë i cili kroson horizontale te Januzi dhe topi në drejtim të Korenicës, por edhe një dalje e saktë e portierit vendas.

34’ Tornay gjuan nga jashtëzona ballore, e pak e lartë.

40’ Sërish është Tornay që provon pothuajse nga distancë e njëjtë, por e lartë.

43’ Nga e majta aksion i vendasve ndërkohë Dallku nga afërsia pengon futbollistin që po ruante Blancon dhe u krijua përshtypja se gjyqtari portugez dha penallti shumë të lehtë.

45’ Enrique Carreno shënon nga pika e bardhë - 1:0.

48’ Mankenda depërton në kontra nga e djathta dhe si me dorë në qendër e qet Khalidin vetëm me portier i cili u afrua shumë tij dhe i priti gjuajtjen. Ishte rast i ndeshjes.

49’ Khalid u pengua para zonës. Korenica mjeshtërisht gjuajti në këndin e majtë të portierit dhe shënoi gol jashtëzakonisht të bukur - 1:1.

60’ Garcia depërton nga e majta e gjuan nga jashtëzona, por e lartë.

73’ Sërish Korenica me gjuajtje ballore nga goditja e dënimit, portieri Aravelo e pret e pastaj me panik e dëbon në këndore.

80’ Ayew gjuan nga 20 metra e ulët dhe jo e fortë për Bekajn.

Deklaruan:

Mirel Josa: Ne duhet parasysh përgatitjet që kemi bërë për ndeshjen, pavarësisht kundërshtarit që kishim. Ne duhet ngremë, se s’bënë nivelin tonë dhe besoj se sot ishte 90-minutëshi i parë i lojtarëve, bile po të kisha pasur mundësi do t’i bëja edhe dy-tre ndërrime tjera bie fjala. Me rezultatin në përgjithësi jam i kënaqur, por me lojën duhej të kishim qenë më kualitativ, si në mbledhjen e topit dhe qarkullimin e topit. Ne humbëm shumë topa dhe i dhamë kundërshtarit mundësi që me topa tanë të na sulmonte. Është një gjë, mirë kjo ekip na shënoi gol, por çfarë mund të na bëjnë ekipet tjera që do të vijnë më mbrapa. Kështu që ne duhet shohim njëherë të përfundojmë këtë ndeshje duke ngritur gjendjen fizike tonën për ndeshjen e kthimit dhe gjithashtu duke i bë hyzmet kualifikimit dhe pastaj të shohim për lojërat tjera. 

Meriton Korenica: Në përgjithësi mendoj se gjithçka ka shkuar mirë e ku ka mundur të shkoj edhe më mirë, mirëpo ky rezultat na konvenon për ndeshjen kthyese në Kosovë. Përndryshe pjesa e dytë shkoi shumë më mirë se sa e para ku edhe shënuam e ku kemi mundur të shënojmë edhe gol tjetër. Në përgjithësi besoj se kaluam mirë dhe besoj shumë që do të kalojmë raundin.