Lajme

UEL: Fola - Prishtina 0-0

UEL: Fola - Prishtina 0-0

Përformancë e mirë me rezultat pozitiv për ndeshjen kthyese

Esch/Luksemburg, 11 korrik 2018 - Prishtina ka merituar sot fitoren, por megjithatë u tregua e kujdesshme dhe rezultati është shumë pozitiv për ndeshjen kthyese pas një jave në Mitrovicë.


Ishte skuadra vendase që bëri trysni më të madhe në pjesën e parë, por Prishtina kreu detyrat duke u mbrojtur mirë, e shpesh sikur të ishte më e përqendruar mund të dënonte kundërshtarin me kundërsulmue. Vendasit nuk patën asnjë rast shënimi në pjesën e parë.

Pjesa e dytë në tërësi foli në të mirë të Prishtinës dhe pak edhe fati ishte me vendasit, sidomos te gjuajtja e Pefqelit kur me mund të madh portieri vendas dëboi në këndore. Vendasit u këndellen vetëm në minutat e fundit kur njëherë rrezikuan seriozisht, por ishte portieri Bekaj që intervenoi.

Me mbështetjen e bashkatdhetarëve tanë, e që në fund u ndanë të kënaqur, Prishtina në përgjithësi pati paraqitje shumë të pëlqyer dhe me rezultat pozitiv, për çka edhe kishte ardhur, që mos të mposhtej.

UEL Raundi I - Ndeshja e parë

Fola - Prishtina 0-0

Shikues: Afër 1.000

Gjyqtarë: Ivar Orri Kristjansson, Birkir Sigurdarson, Bryngeir Valdirmarsson - Islandë

KV: Mehdi Krich - Armend Thaqi, Ahmed Januzi

Pozita jashtë lojës: FOLA 1-0 PRI

Kornerët: FOLA 6-6 PRI

Gjuajtjet totale: FOLA 6-6 PRI

Gjuajtjet në portë: FOLA 4-2 PRI

Fola: 1. Thomas Hym, 4. Rodrigue Dikaka, 6. Billy Bernard, 8. Veldin Muharemoviç /c/, 11. Corentin Kocur (7. Ken Corral - 69’), 15. Samir Hadji, 23. Tom Laterza, 24. Mehdi Kirch (14.Cedric Sacras - 46’), 26. Ryan Klapp, 29. Moussa Seydi (22. Enis Sahiti), 44. Peter Chrappan. Kryetrajner: Thoms Klasen.

Prishtina (4-4-2): 12. Visar Bekaj - 2. Armend Thaqi, 4. Armend Dallku /c/, 8. Ahmet Haliti, 3. Jamal Arago - 15. Gauthier Mankenda (77. Mërgim Pefqeli - 80’), 21. Argjend Mustafa, 66. Ergyn Ahmeti, 10. Meriton Korenica (13. Abdul Bashriu 90+2’) - 9. Basit Abdul Khalid, 27. Ahmed Januzi (7. Lorik Boshnjaku - 84’). Zëvendësues: Alban Muqiqi, Përparim Osmani, Debatik Curri, Alen Jasharoski. Kryetrajner: Mirel Josa.

Minutë pas minute:

Këndohet himni Kombëtar nga adhuruesit tanë dhe futbollistët e Prishtinës e përshëndesin atë.

12’ Aksion i rrezikshëm i vendasve nga e majta, por tentimi për krosim spastrohet me vetëmohim nga Dallku.

17’ Vendasit humbin topin në gjysmëfushën e tyre, Januzi niset përpara e faullohet. Korenica gjuan nga kjo goditje rreth 25m., e lartë.

21’ Arago gabon e Klapp futet në qendër e gjuan, por e lehtë për Bekajn.

22’ Kocur nga pozita ballore e harkon gjuajtjen e lirë, e lojtari më i rrezikshëm në ndërprerje, Chrappan nga afërsia gjuan mbi portë me kokë.

26’  Edhe një tentim i krosimit, sërish Dallku e spastron situatën me start të rrëshqitshëm.

34’ Aksion i mirë i vendasve e majta e topin e harkuar e Klapp e kthen me kokë, por Bekaj në vend.

37’ Aksionin e gjatë e mbyll Januzi nga e majta, gjuan skaj pingules së majtë.

45’ Bernard shkakton penallti në Januzin, por nuk e panë gjyqtarët, të dy nga ta ishin të mbuluar.

51’ Januzi e vazhdon djathtë te Mankenda e ky ia shtyen Thaqit që hyn në qendër para zonës e gjuan me të majtën, por pak e lartë.

53’ Tani Ahmeti ia vazhdon Mankenda-s djathtë e që hyn në qendër para zonës e gjuan me të majtën, por pak jashtë.

60’ Pas nisjes së topit nga këndorja, Enis Sahiti harkon rrezikshëm, topi del jashtë pingules së majtë.

62’ Arago pak nga e djathta, gjuan nga ndërprerja në këndin e sipërm dhe portieri vendas me mund e hedh topin mbi traversë.

66’ Janë minutat e Prishtinës që këmbëngul, Mankenda e harkon topin nga e djathta, Januzi se mbërrin, por topi shkon te Khalid që ia lëshon Thaqit e diku nga 20 metra gjuan me të majtën të furishme, por bllokohet e këndore.

76’ Sahiti sërish rrezikshëm futet nga e majta e kroson rrezikshëm, por e pret Bekaj e Haliti e pastron zonën.

76’ Hadji provon ballore, në vend Bekaj.

89’ Hadji ia vazhdon Sahitit majtë që futet shumë pranë pingules së majtë, por është Bekaj që e ngushton këndin dhe pret e shpëton skuadrën.

90’ Pefqeli nga kundërzbritja përpak shënon, gjuan ballore, topin e devijon njëri prej mbrojtësve dhe portieri Hym me mund të madh pothuajse e largon topin nga vija e portës.



Deklaruan:

Josa: Mund të bënim më mirë, por edhe mund të kishim probleme, kështu që duhet të jemi të kënaqur me këtë rezultat dhe normal që na interesonte mos të pësonim gol. Them se ndeshja e dytë do të jetë shumë herë më e vështirë se sa kjo. 

Bekaj: Besoj që u ndamë mirë edhe pse kemi mundur t’i shfrytëzonim disa raste në fund që na u dha mundësia. E them që ishte ndeshje e mirë, të dy skuadrat luajtën kujdesshëm duke tentuar të ruanin portën pa pranuar gol e pastaj të bënin diçka më shumë përpara. Unë jam i kënaqur, është rezultat i kënaqshëm dhe shpresoj se në Mitrovicë do të kalojmë raundin, sepse na duhet fitorja gjithqysh. 

Mankenda: Është e rëndësishme që arritëm rezultat pozitiv dhe besoj se për ndeshjen kthyese mund të bëjmë gjëra edhe më të mira, sepse mendoj se mund të fitojmë, por së pari me punën me trajnerin duhet përmirësuar ato gjëra që ndoshta nuk shkuan sot mirë, sepse ne kishim rast edhe sot të mbyllim ndeshjen, por në Mitrovicë do jetë edhe më mirë se sa sot.