Lajme

UEL: Tetë skuadrat që mund të ndeshet Prishtina

UEL: Tetë skuadrat që mund të ndeshet Prishtina

Bardhekaktrit me koeficientin 1,750 nuk janë bartës

Prishtinë, 30 korrik 2020 - FC Prishtina, pas triumfit në Kupën e Kosovës, sërish, për herë të katërt rresht, do të marr pjesë në UEFA Europa League.

Prishtina i bashkohet 15 skuadrave tjera në raundin paraeliminator. Në këtë raund ndodhet edhe skuadra e Gjilanit, debutuese e cila e merr automatikisht koeficientin e përgjithshëm të Kosovës për klube, 0.800.

Por, as Prishtina me koeficientin 1.750 nuk është bartëse dhe sipas praktikës, nëse nuk ka vendim tjetër të UEFA-s, si p.sh. të hyjnë të gjitha skuadrat pa ndarje në short, apo edhe për shkak pandemisë të ndahen vazot në rajone, atëherë bardhekaltrit që tani mund të dinë tetë kundërshtarët e mundshëm, disa të njohur për ne e disa të panjohur.

Në mesin e tetë skuadrave kundërshtare eventuale, një është nga Gjibraltai, dy nga Adorra, tre nga Ishujt Faroe dhe dy nga San Marino. Shorti për këtë raund garash hedhet më 9 gusht. Do të zhvillohet vetëm një ndeshje, pa vajtje-ardhje, sipas shortit skuadra që tërhiqet e para konsiderohet vendase. Ndeshjet zhvillohen më 20 gusht.

Lincoln, Gjibraltar (5.250)

Kundërshtari me koeficientin më të lart janë kampionët e shumëfishtë nga Gjibraltari (5.250), Lincoln Red Imps FC. Skuadra ka fituar 14 tituj nga viti 2003-2016. Nga viti 2014 kur Gjibraltari është pranuar si shtet i UEFA-s, skuadra ka fituar katër nga pesë titujt e fundit duke mos llogaritur këtë edicion të fundit kur kampionati ishte ndërprerë dhe Gjibraltarin në “Champions” e përfaqëson Europa FC të cilët Prishtina i kishte eliminuar (1:1/5:0). Lincoln është takuar dy herë me skuadra kosovare dhe në të dy rastet është eliminuar nga Drita (1:4) dhe Feronikeli (0:1).

Skuadra merr pjesë në Evropë pa ndërprerë nga viti 2014/15 dhe nga 11 paraqitje mi ka dy kalime tutje duke regjistruar 19 ndeshje me 4 fitore, 4 barazime dhe 11 humbje. Fitore historike kanë regjistruar ndaj Celtic-ut të Skocisë më 2016/17 në “Champions” 1:0 megjithëse ishin mposhtur në Glasgou, 0:3.

Santa Coloma (4.500) - UE Engordany (2.000) - Andorrë

Skuadra më e trofeshme nga shteti i vogël i Andorrës është FC Santa Coloma. Skuadra ka fituar 13 tituj kampioni dhe ky është edicioni i parë që e humb titullin pas 6 edicionesh rresht.

Nga viti 2001, skuadra ka 20 paraqitje në Evropë në të dy garat dhe vetëm njëherë kanë kaluar turrin më 2014/15 duke eliminuar kampionët e Armenisë, Bananats (1:0/2:3). Në fakt skuadra nga 37 ndeshje ka fituar vetëm 4 prej tyre, 5 barazime dhe 28 humbje. Nuk kanë ndonjë paraqitje për t’u kujtuar, por publiku ynë e mban mend vitin e kaluar përballjen dhe eliminimin nga Feronikelin në Prishtinë, 1:2.

Në anën tjetër, skuadra modeste e Engordany nuk ka asnjë titull kampioni dhe me vetëm 4 paraqitje evropiane në UEL, por duke kaluar dy herë turrin në dy edicionin rresht kundër skuadrave të San Marinos, La Fiorita-n 2:1/1:0 më 2019, dhe Folgore-s, 2:1/1:1 më 2018.

B36 Torshavn, Ishujt Faroe (3.750)

Skuadra nga Ishujt Faroe është skuadra e tretë më e suksesshme e shtetit të vogël ishullor. Ka fituar 11 tituj kampioni, të fundit para gjashtë vitesh më 2015. Nga viti 1992 kur Ishujt Faroe u pranuan në UEFA, skuadra e B36 ka 20 vite paraqitje. Ndërsa ka edhe tre kalime turresh, më  2005/06 kishte kaluar në raund në ish-UEFA Cup, më 2006/07 një kalim tutje në “Champions” dhe së fundi ka kaluar dy turre në UEL më 2018/19 duke eliminuar të njohurit tanë të St Joseph’s e pastaj edhe OFK Titogradin për t’u ndal pastaj nga skuadra e madhe turke, Beshiktash. Më 1997 kishin marrë pjesë në grupet e Intertoto Cup, por kishin regjistruar katër ndeshje po aq humbje.

Nga 48 ndeshje evropiane, kanë arritur 8 fitore, 10 barazime dhe 30 humbje. Nuk kanë asnjë fitore të rëndësishme nga ndonjë skuadër më serioze përveç ndoshta barazimit në shtëpi (2:2) me skuadrën daneze, Midtjylland (2006).

La Fiorita (3.000) - Tre Penne (2.250) - San Marino

Skuadrat nga San Marino kanë plasmanin më të dobët nga shtetet evropiane. Prishtina do të dëshironte që ndeshjen ta zhvillonte si vendas, por nëse nuk do të përtonte dhe po qe nevoja do të preferonte të udhëtonte në San Marino. Edhe është shteti me lidhjet më të mira udhëtimi, edhe më i afërti dhe padyshim më të lehtat në letër.

La Fiorita është skuadra e dytë e suksesshme që ka fituar 5 tituj, ndërsa Tre Penne ka fituar 4 sosh.

La Fiorita ka 9 paraqitje në Evropë duke mos kaluar asnjëherë raundin dhe nga 17 ndeshje ka arritur vetëm një barazim (Linfield, Irlandë e Veriut 0:0) dhe 16 humbje.

Në anën tjetër, Tre Penne nga 8 paraqitje po ashtu ka 8 eliminime, por të paktën nga 15 ndeshje ka arritur një fitore (2013, Shirak, Armeni 1:0) dhe 14 humbje.

NSI Runavik (2.250) - HB Torshavn (2.000) - Ishujt Faroe

NSI ka fituar vetëm një titulli kampioni më 2007. Një Evropë ka 14 paraqitje dhe asnjëherë nuk e ka kaluar ndonjë raund garash. Nga 26 ndeshje ka regjistruar 2 fitore, 2 barazime dhe 22 humbje. Dy fitoret vetme i ka kundër Dinamo Tbilisit të Gjeorgjisë më 2008 (1:0) dhe Linfield të Irlandës së Veriut më 2015 (4:3).

Havnar Boltfelag apo HB Torshavn është skuadra më e trofeshme e vendit me 23 tituj kampioni. Ka 29 paraqitje evropiane dhe prej tyre dy kalime raundi, më 1993 duke eliminuar Jelgava të Letonisë në Kupë të Kupave dhe më 2014 duke eliminuar në “Champions” Lincolnin e Gjibraltarit.

Nga 54 ndeshje kanë regjistruar 5 fitore, 14 barazime dhe 35 humbje.