Lajme

UEL1: Prishtina - Fola 0:0 4:5 pen.

UEL1: Prishtina - Fola 0:0 4:5 pen.

Prishtina e pafat, eliminohet pas penalltive

Mitrovicë, 19 korrik 2018 - Prishtina pas vitit të dytë pjesëmarrje dhe pas kalimit të një raundi, u ndal në tentimin e dytë për të kaluar tutje. Kundërshtari nga Luksemburgu pati shumë fat, sidomos pas penalltive.

Në fakt, ishte Prishtina që dominoi 90-minuta ndeshjen duke lëshuar 2-3 raste të pastra shënimi, por duhet qenë i sinqertë, ishin mysafirët më të mirë në 30 minuta vazhdime, më të freskët dhe me pak fat mund të përfundonin ndeshjen më herët. Kjo nuk do të thotë që Prishtina edhe në vazhdime nuk pati rast ideal, sidomos me Hoxhën e Pefqelin.

Ndërsa, portieri Bekaj sot priti tre penallti, po të shkonte skuadra tutje padyshim që do të ishte heroi i ndeshjes. Megjithatë mbeti futbollisti më i mirë me disa pritje të rrezikshme të mysafirëve.

Nga pika e bardhë për Prishtinës të saktë ishin Dallku, Korenica, Thaqi e Ahmeti, ndërsa gjuajtjet e Pefqelit, Hoxhës e Aragos u pritën nga portieri mysafir, kurse Boshnjaku gjuajti mbi portë. Prishtina kishte dy herë rastin që me penalltinë e shënuar të shkonte tutje, por Prishtina sot nuk pati fat.

Dëshpërimi është i madh si te klubi po ashtu edhe te ekipi, por duhet ngritur kokën lartë dhe për të vazhduar tutje.

UEL Raundi I - ndeshja e dytë

Prishtina - Fola 0:0 4:5 penallti

Pri pen.: Dallku, Korenica, Thaqi, Ahmeti
Pefqeli (pret Hym), Hoxha (pret Hym), Boshnjaku (gjuan jashtë), Arago (pret Hym)

Fola pen: Bensi, Hadji, Chrappan, Klein, Mersch
Nuk shënuan: Sacras (pret Bekaj), Muharemoviç (pret Bekaj), Dikaba (pret Bekaj),

KV: Haliti, Korenica, Dallku, Mustafa - Klein, Dikaba

Pozita jashtë lojës: Pri 2-2 Fola

Kornerët: Pri 6-10 Fola

Gjuajtjet totale: Pri 12-9 Foa

Gjuajtjet në portë: Pri 3-6

Prishtina (4-4-2): Bekaj - Thaqi, Dallku /c/, Ahmeti, Arago - Mankenda (Pefqeli - 76’), Mustafa, Ahmeti (Boshnjaku - 98’), Korenica - Khalid, Jasharoski (Hoxha - 93’). Zëvendësues: Muqiqi, Osmani, Bekteshi, Bashiru. Kryetrajner: Josa.

Fola (4-2-3-1): Hym - Laterza (Marsch - 66’), Bernard (Klein - 46’), Chrappan, Kirch - Muharemoviç, Dikaba - Klapp, Corral, Sahiti (Bensi - 72’) - Hadji. Kryetrajner: Klasen.


Deklaruan:


Mirel Josa (video):

Armend Dallku: Jemi shumë, shumë të zhgënjyer. Mendoj që e kemi bërë një paraqitje mjaft të mirë, sepse ashtu siç ishim marr vesh, kemi luajtur shumë mirë në “bllok”. Sidomos 90-minuta kur kundërshtarit nuk i kemi dhënë asnjë rast. Normalisht, në vazhdime kundërshtari kishte pak një iniciativë të vogël mund të them, mirëpo ne kishim mundësi që të godisnim kundërshtarin gjatë kohës së rregullt dhe mos ta shtyenim deri në penallti. Penalltitë janë lotari, por pavarësisht kësaj ne kishim mundësi dhe fal portierit tonë Bekaj na u dha rasti. Unë mendoj që edhe në penallti duhet të jemi më shumë të koncentuar pavarësisht se edhe këta lojtarë që i gjuajtën penalltitë janë lojtarë të ri dhe normalisht që mund të ketë luajtur rol presioni e shumë gjëra tjera. Përkundër të gjitha këtyre ne duhet të jemi kokëlartë e të vazhdojmë tutje, sepse ky do të jetë një mësim për neve që në të ardhmen të jemi më këmbëngulës, sepse këtë ekip duhet ta kalonim, sepse diferencat nuk ishin të mëdha, ishim aty të barabartë, mirëpo siç e thash, ne u dashtë që gjatë 90-minutave të mbyllnim ndeshjen.

Visar Bekaj: Çfarë të bëjmë!? Besoj se ne luajtëm mirë, por nuk i shfrytëzuam disa raste që na u dhanë gjatë 90-minutave dhe kjo pastaj na kushtoj. Penalltitë krejt e dimë që janë fat. Duhet vazhduar përpara, s’kemi çfarë të bëjmë, megjithëse ndoshta kemi mundur të paraqitemi edhe më mirë, ky nuk është fundi i botës, dikush fiton e dikush humb. Tani duhet të tregojmë vetëm, sepse i fortë je vetëm kur e tregon vetën nga rënia sikurse kjo sot. Jemi shumë të mërzitur, por shpresoj të këndellemi sa më shpejtë, sepse na presin sfida tjera.