Lajme

Zyba: Ndeshje e fortë, por ne duam tre pikët

Zyba: Ndeshje e fortë, por ne duam tre pikët

“Me angazhim e përqendrim, besoj te tre pikët”

Prishtinë, 5 mars 2021 – Prishtina dhe Llapi nesër do të takohen në përballjen e tretë të këtij edicioni. Po ashtu, nesërmja e nesërme e ka edhe një jubile të vogël, zhvillohet përballja e 30-të zyrtare pas luftës.

Dy rivalët, sivjet me ambicie të ndryshme, deri sa Prishtina është inkuadruar sërish në luftë për titull, skuadra llapjane ndodhet në luftë të rreptë për t’i ikur rrezikut.

Sidoqoftë, kjo nuk e ka penguar Llapin që në ndeshjen e parë në Prishtinë të nxirrte barazim (0:0), por megjithatë Prishtina ishte revanshuar me fitore në Podujevë, 2:0.

Ndërkohë, në 29 përballjet e pasluftës, Prishtina i ka fituar 16 sosh, përkundër 5 barazimeve dhe 8 humbjeve me goldallim pozitiv +21, 48:27.

Prishtina është duke gëzuar formë të lartë sportive, nuk ka pësuar humbje në 16 ndeshje zyrtare rresht, prej tyre 13 kampionale nga të cilat i ka fituar 4 ndeshjet e fundit.

Bardhekaltrit kanë disa futbollistë me gjendjen jo më të mirën dhe se a do të mund të paraqiten në 18-she mbetët të shihet nesër, por gëzon fakti që është rikthyer kapiteni Lorik Boshnjaku i cili kishte ftohje para ndeshjes së fundit në Mitrovicë.

Java XXIII
Prishtina – Llapi
E shtunë, 6 mars – ora: 13.00
Stadiumi: “Fadil Vokrri”, Prishtinë
Gjyqtarë: M. Bejtullahu, E. Bica, F. Jashari, E. Zasella
Drejtpërdrejt në Artmotion

Q. Zyba: Ndeshje e fortë, por ne duam tre pikët

“Pa dyshim që ndeshja kundër Llapit do të jetë shumë e vështirë, por në anën tjetër ne dëshirojmë vetëm tre pikë, asgjë tjetër. Jemi duke kaluar në formë optimale, atmosfera është e shkëlqyer, kemi kapur ritmin dhe s’kemi pse mos ta vazhdojmë tutje. Kuptohet, duhet dhënë angazhim maksimal dhe të kemi përqendrim të plotë. Besoj shumë se do të vazhdojmë serinë e fitoreve duke i gëzuar të gjithë qytetarët prishtinas, “Plisat” dhe adhuruesit e klubit anembanë vendit që më në fund të sjellim titullin e kampionit në kryeqendër”, ka thënë mesfushori, Qendrim Zyba.