Lajme

Zyrtare: ndeshja e parë në Prishtinë më 27 qershor

Zyrtare: ndeshja e parë në Prishtinë më 27 qershor

Ndeshja kthyese në Gjibraltar më 2 korrik

Prishtinë, 11 qershor 2019 – Është bërë zyrtare orari i dy ndeshjeve të raundit paraeliminator ndërmjet Prishtinës dhe St Joseph’s të Gjibraltarit.

Ndeshja e parë zhvillohet në “Fadil Vokrri” të enjten më 27 qershor (ora caktohet më vonë). Ndërsa ndeshje kthyese pas pesë ditësh të martën më 2 korrik.

Përndryshe, skuadra e tretë e kampionatit të Gjibraltarit, nga 27 ndeshje kanë 17 fitore, 4 barazime dhe 6 humbje me goldallim +40, 69:29 me 55 pikë të grumbulluara, apo 11 më pak se kampionët e Lincoln dhe 9 më pak se Europa e dyta.

Edhe St Joceph’s sikurse Prishtina, për herë të parë ka marrë pjesë në Evropë në vitin 2017 dhe nga dy pjesëmarrjet e saj në UEFA Europa League ka dy eliminime. Më  2017 është eliminuar nga AEL Limassol 0:4/0:6, ndërsa vitin e kaluar nga B36 e Torshavn të Ishujve Faroe pas dy barazimeve 1:1 ishte eliminuar me penallti. 

“Po, St Joshep’s ishte ekipi i parafundit në renditjen me koeficient dhe e konsideroj se është fat i joni dhe po ashtu është fat që prapë do të luajmë kundër një ekipi nga Gjibraltari të cilët tani më i njohim dhe ku po shpresoj që të kemi po ashtu edhe fat edhe në rezultat, sepse siç e dini vitin e kaluar kishim përball një kundërshtar nga ky shtet ku rezultati final nga dy ndeshjet ishte shumë i kënaqshëm për ne. Mirëpo ne duhet t’i bëjmë hyzmetin punës e sidomos lojës që fatin ta kemi me vete.
Po ashtu i ftoj të gjithë dashamirët e futbollit nga të gjitha qytetet e Kosovës e posaçërisht qytetarët e Prishtinës që të na përkrahin dhe të jenë sa më shumë në numër duke iu bashkangjitur tifozëve tanë të flaktë Plisave që së bashku të arrijmë rezultat të kënaqshëm në ndeshjen e parë, sepse ndeshjen e parë do të luajmë në stadiumin tonë dhe është shumë i rëndësishëm rezultati pozitiv që ndeshjen e kthimit të udhëtojmë me përparësi”, ka thënë kapiteni Dallku.

Dallku i ka 6 paraqitje me Prishtinën në Evropë dhe dy gola të realizuar kundër Europa-s së Gjibraltarit.