- Triumf edhe në Prizren
- Prishtina, lidere e Superligës
- Besa – Prishtina 3:1
- Prishtina më e mirë se Hysi
- KEK-u – FC Prishtina 0:1
- 160 mijë € investime në stadiumin e Prishtinës
- Objektivi: Titujt
- Prishtina e dyta
- Hysi – Prishtina 1:2
- Prishtina – Liria 2:1
- Flamurtari – Prishtina 1:1
- Arkivi Lajmeve

Miqësore për bamirësi

Prishtina zhvilloi një ndeshje miqësore me Vllazninë në Shkodër, ndërsa të gjitha të ardhurat nga biletat kanë shkuar në ndihmë për të përmbyturit në këtë zonë.
Shkodër, 27 shkurt - FC Prishtina është mposhtur nga Vllaznia me rezultat 3-1, në ndeshjen miqësore të zhvilluar në Shkodër. Por, rezultati i këtij takimi ishte në plan të dytë, pasi bëhej fjalë për një ndeshje me karakter humanitar. Të ardhurat e biletave nga kjo përballje do të shkojnë për të përmbyturit në veri të Shqipërisë.
Në prag të ndeshjes në fushën e lojës dolën këngëtarët Afrim Muqiqi e Kastriot Tusha, të cilët me këndimin “live” të himnit shqiptar kanë emocionuar të pranishmit në stadiumin “Loro Boriçi”, në Shkodër.
Me të filluar loja u vërejt se vendasit janë më të përgatitur fizikisht, meqë kampionati shqiptar tashmë është duke zhvilluar, për dallim nga bardhekaltrit, të cilët ende janë në fazën përgatitore për stinorin pranveror në elitën e futbollit kosovar.
Shkodranët krijuan më tepër raste dhe për rrjedhojë arritën të shënojnë dy gola në pjesën e parë me autorë Doçin(32’) e Balën(34’).
Derisa në pjesën e parë ka pasur rivalitet në fushë, në të dytën dy trajnerët u kanë kushtuar rëndësi aktivizimit të të gjithë futbollistëve. Saliagiq ka realizuar golin e vetëm të Prishtinës në minutën e 67-të, kurse dhjetë minuta më vonë Nika i Vllaznisë u përkujdes për rezultatin përfundimtar.
“Ka qenë një miqësore e mirë për të dy ekipet, por edhe për tifozët dhe për këtë dua të falënderoj drejtuesit e klubit të Vllaznisë dhe gjithë të tjerët për mikpritjen e bërë. Në fushën e lojës sigurisht që kishte diferenca dhe Vllaznia tregoi se është një ekip më i mirë se ne. Kjo miqësore na shërbeu për të parë defektet që kemi dhe për t’u munduar më pas për t’i riparuar pa filluar kampionati”, tha trajneri i Prishtinës, Ramiz Krasniqi.
MIQËSORE TJETËR NË PRISHTINË
Presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj shpreson që shumë shpejt një ndeshje e ngjashme do të zhvillohet edhe në kryeqytetin kosovar.
“Jam shumë i kënaqur që arritëm të organizojmë një miqësore të tillë, aq më tepër kur të gjitha të ardhurat do të shkojnë për të përmbyturit në zonën e Shkodrës.
Nuk ka rëndësi rezultati i ndeshjes, e rëndësishme për ne është të krijojmë marrëdhënie të mira dhe bashkëpunimi me klubin e Prishtinës dhe këto të na shoqërojnë edhe në të ardhmen, duke shpresuar që shumë shpejt do të kemi edhe një ndeshje në Prishtinë,” ka deklaruar Fushaj.
Ndërsa presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi ka vlerësuar mikpritjen shkodrane.
“Kam kënaqësinë që marr pjesë në një festë të tillë. Vlerësoj shumë mikpritjen e presidentit të Vllaznisë dhe gjithë Shkodrës dhe ju siguroj që ky bashkëpunim mes dy klubeve tona do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Fakti që të ardhurat e kësaj ndeshjeje do shkojnë për të përmbyturit, na obligon edhe më tepër për të organizuar edhe të tjera miqësore me karakter të tillë”, tha Ejupi.




shtypi
