Objektivi: Titujt


FC Prishtina ka filluar përgatitjet për sezonin e ri 2010/11.

Prishtinë, 14 korrik – FC Prishtina ka disa ditë që ka nisur përgatitjet për sezonin e ri, nën drejtimin e trajnerit, Ramiz Krasniqi. Ai ka bërë të ditur se sikurse edhe herëve tjera, Prishtina gjithmonë synon titujt.

“Prishtina gjithnjë ka ambicie të larta. Kreu i tabelës do të jetë objektivi ynë dhe besoj se me punën që do të bëhet gjatë stërvitjeve dhe fondin e lojtarëve do t’i arrijmë synimet e klubit”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, futbollistët po angazhohen maksimalisht në seancat stërvitore.

“Në këto ditët e para të stërvitjeve gjithçka po shkon mirë dhe futbollistët po japin angazhohen maksimalisht. Thjesht jam shumë i kënaqur me punën që po bëhet gjatë këtyre ditëve”, shtoi ai.
Krasniqi ka njoftuar se një pjesë të përgatitjeve do ta zhvillojnë në Maqedoni.

“Si çdo vit edhe këtë herë Prishtina një fazë të përgatitjeve do ta zhvillojë jashtë Kosovës. Kemi paraparë që një pjesë të stërvitjeve ta zhvillojmë në Ohër”, pohoi Krasniqi.
Për më të tepër, Krasniqi thotë se në sezonin e ri do të llogarisë në fondin e lojtarëve që ishin në kampionatin e kaluar.

“Kemi një ekip me moshë të re, por me perspektivë. Mosha mesatare e ekipit është jo më shumë se 21 vjeç dhe se të gjithë futbollistët kanë kontratë trevjeçare, që është rast i mirë për të krijuar një skuadër solide”, përfundoi Krasniqi.