FC Prishtina në Zvicër, sërish për titull


FC Prishtina të dielën do të jetë pjesëmarrëse e turneut të Futsallit në Zvicër, ndërsa synon mbrojtjen e titullit, të cilin e fituan vitin e kaluar.

Prishtinë, 7 janar  — Futbollistët e FC Prishtinës të shtunën do të nisen drejt Zvicrës, për të marrë pjesë në turneun e Futsallit në Winterthur. Këtë e kanë bërë të ditur drejtuesit e klubit bardhekaltër, në një konferencë për media.
Drejtori gjeneral i klubit, Edmond Rugova njoftoi se ekspedita e FC Prishtinës do të udhëtojë të shtunën nga kryeqyteti kosovar në ora 9:30 dhe pritet të arrijë në Zurich në ora 11:30. Ndërsa, rikthimi në Kosovë pritet të bëhet të hënën.

“Pres paraqitje dinjitoze të ekipit, i cili nuk e përfaqëson vetëm Prishtinën, por edhe të gjithë futbollin kosovar”, theksoi Rugova.

Kurse Presidenti i klubit, Remzi Ejupi pohoi se ky turne është një mundësi e mirë për futbollistët që t’i tregojnë vlerat e tyre.

“Synimi ynë është që të prezantojmë futbollin tonë në mënyrë më të mirë të mundshme. Besoj se do ta arrijmë suksesin e vitit të kaluar”, tha Ejupi.

Edhe trajneri i Prishtinës, Skënder Shengyli beson se mund ta përsërisin suksesin e vitit të kaluar, kur prishtinasit në ndeshjen finale e patën mposhtur me rezultat bindës, 6:0, FC Aaraun, duke triumfuar në këtë turne të Futsallit.  

“Edhe pse na mungojnë lojtarët ekspertë të Futsallit, jemi përgatitur mjaft për këtë turne dhe atje shkojmë për ta mbrojtur titullin e fituar një vit më parë. Sidoqoftë, ne besojmë në forcën e futbollistëve tonë”, tha Shengyli.

Ai ka bërë të ditur se nuk do të mund të llogaritë në Agron Skerajn, i cili do të provohet tek Tus Koblenz, sikurse edhe në Isuf Llumnicën e lënduar.

FC Prishtina do të jetë me një grup me nikoqirin, Winterthur dhe me Aaraun, ndërsa në grupin tjetër bëjnë pjesë Thun, Luzern dhe St. Gallen.

SHTYHEN DY NDESHJET TJERA MIQËSORE
Kryetari Remzi Ejupi dhe drejtori gjeneral, Edmond Rugova kanë bërë të ditur se dy ndeshjet tjera miqësore të parapara të zhvillohen në Evropë, janë shtyrë për shkak të motit të keq.

“Me Schaffhausen do të luajmë në muajt e ardhshëm, ndoshta edhe gjatë verës në Prishtinë. Ndërsa edhe ndeshjen tjetër, të cilën e kishim planifikuar ta luanim me një klub gjerman, gjithashtu nuk do ta zhvillojmë për shkak të motit të keq që po mbretëron atje”, deklaroi Presidenti Ejupi.