Prishtina eliminohet në gjysmëfinale


Futbollistët e Prishtinës janë eliminuar nga Luzern në gjysmëfinale të turneut të futsallit në Zvicër.

Futbollistët e Prishtinës arritën vendin e  katërt në turneun e futsallit në Zvicër.

Ekipi i drejtuar nga Skender Shengyli në gjysmëfinale të këtij turneu u eliminua nga Luzern( me rezultat 5:2), ekip ky që më pas u shpall kampion.

Në fakt bardhekaltrit e filluan me dy fitore turneun ndërkombëtar në Winterthur. FC Prishtina fillimisht mposhti nikoqirët, Winterthur me rezultat 4:3, ndërsa me të njëjtin rezultat fitoi edhe ndaj Aaraut.

Pas humbjes nga Luzern në gjysmëfinale, prishtinasit pësuan disfatë edhe nga St. Gallen(8:7) në ndeshjen për vendin e tretë, duke e përfunduar turneun në këtë mënyrë në pozitën e katërt.

Përkundër faktit që nuk arritën ta fitojnë turneun, futbollistët e Prishtinës patën një paraqitje të mirë duke e kënaqur publikun shqiptar, që kishte mbushur tribunat e palestrës në Zvicër.

FC Prishtina vitin e kaluar triumfoi në këtë turne ndërkombëtar. Futbollistët e Prishtinës do të kthehen në Kosovë, të hënën.