Muharrem Neziri një ndër figurat më te njohura të qytetit tonë, ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare.

“Ustahi”, nofkë me të cilën njihej Muharremi, me disa shokë nga Lagjja e “Muhaxherëve”, e ka formuar Klubin e Futbollit “Besëlidhja”, dhe ka qenë kapiteni i parë i kësaj skuadre.

Besëlidhja është formuar në vitin 1956, kurse Neziri ka kaluar nëpër të gjitha gjeneratat e ekipit si futbollist.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Neziri iu përkushtua zejes së rrobaqepësit, mirëpo asnjëherë nuk iu nda futbollit duke qenë në kryesi të Besëlidhjes.

Ai ka qenë edhe tifoz i zjarrtë i Prishtinës, derisa në një rrëfim televiziv të disa viteve më parë, të realizuar nga doajeni i gazetarisë, Xhavit Kajtazi, e kujton kohën kur i ka përcjell ndeshjet e skuadrës sonë.

“Kur Prishtina në vitet e 70-ta dhe më vonë luante në mesjavë, e mbyllnim dyqanin e rrobaqepësisë dhe shkonin në stadium. Kushtet kanë qenë të rënda, sepse nuk kishim as çadra. Në një ndeshje me shi, pasi u kthyem në dyqan, pronari na tha: “edhe gomari do të largohej nga shiu e nuk do të qëndronte lagur”.

Kurrë nuk jemi ndalur, edhe në shi, edhe në borë e kemi përcjell Prishtinën”, kishte deklaruar tashmë i ndjeri Muharrem Neziri.

FC Prishtina në emër të kryetarit, Hakif Gashi, anëtarëve të Bordit, stafit administrativ, trajnerëve dhe të gjithë futbollistëve, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Neziri.

U prehtë në paqe shpirti yt i bardhë… 

prishtina
December 28, 2022