Golat shënuan Dubova 65 dhe Prapashtica 82’

Kadryie/Antalya, 26 janar, 2023

Bardhekaltrit sot kanë zhvilluar ndeshjen e pestë testuese në përgatitjet e Antalyas. Kundërshtari i sotëm vinte nga Liga e parë e Kosovës, kampionët e vjeshtor të grupit “B”, Feronikeli.

Prishtina sot pati paraqitje mjaft të mirë e ku disa nga futbollistët e rinj lanë përshtypje jashtëzakonisht të mirë.

Prishtina pati tre tentime në pjesëlojën e parë, duke nisur nga gjuajtja shumë e mirë e Gallapenit nga e majta prej jashtëzonës, intervenimit të portierit dhe në vazhdim të këtij aksioni, ishte Demolli që brenda zonës kaloi nëpërmjet dy kundërshtarëve duke e mbyllur aksionin me plasim fare pranë pingules. Krejt kjo ndodhi në minutën e 33-të, kurse një minutë më vonë u zhvillua edhe një aksion tjetër i mirë ku pas depërtimit dhe pasimit të dhënë nga Prapashtica, Jashari gjuan drejt në portë, por ishte e lehtë për portierin e drenicasve, Terziu.

“Industrialistët” patën vetëm një tentim gjatë kësaj pjese të lojës, në minutën e 40-të Cërvadiku tentoi nga pozita ballore, por pa problem intervenoi Kola.

Në pjesën e dytë më mirë nisën Feronikeli ku në minutën e 53-të nëpërmjet Gashit dy herë tentuan në një aksion, por në të dyja rastet në vend u ndodh portieri zëvendësues, Bulliqi.

Në minutën e 65-të u zhvillua aksion i mirë në ndeshje, Olt Pllana depërtoi duke shtyrë topin deri para zonës, duke bashkëvepruar me Berishën i cili asiston për Muhamet Dubovën duke i ikur mbrojtësit që po e ndiqte dhe duke shënuar sigurt në përballje një-me-një me portierin zëvendësues të Niklit, Blakqori.

Në minutën e 82-të, nga presioni i Shabanit fitojmë top, kurse përfitoi Prapashtica duke shënuar gol të bukur nga zona ballore.  

Feronikeli kishte edhe një rast në fund të ndeshjes, në minutën e 88-të, por Bulliqi ishte në vend duke shpëtuar skuadrën pa pranuar gol.

Prishtina ndeshjen e fundit e zhvillon nesër me skuadrën e elitës së futbollit bullgar, Lokomotiva e Plovdivit.

Prishtina: Agron Kolaj (Butrint Bulliqi – 46’) – Genc Hamiti (Reart Bajrami – 83’), Bujar Pllana, Besir Ramadani, Dion Gallapeni (Blendrit Krasniqi – 84’) – Korab Luma (Donart Llabjani – 77’), Arlind Shabani, Muhamed Dubova (Arlind Dobroshevci – 70’) – Igball Jashari (Naxhi Berisha – 60’), Amar Demolli (Olt Pllana – 54’), Albin Prapashtica (Gert Sinani).

Feronikeli: Petrit Terziu – Donat Hasanaj, Gentrit Olluri, Labinot Ibrahimi, Granit Musa, Donart Sheqerolli, Ibrahim Cervadiku, Fitim Susuri, Dren Gashi, Adem Maliqi, Muhamet Hyseni.

prishtina
January 26, 2023