Prishtina ka pësuar humbje nga Malisheva në kuadër të xhiros së 24-të të Albi Mall Suerligës së Kosovës në futboll me rezultat 2:1.

Në ndeshjen e zhvilluar të dielën në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan aty ku ekipi jonë po i zhvillon ndeshjet si vendas, Prishtina nuk ka qenë në ditën e saj përderisa asgjë nuk shkoi sipas parashikimeve.

Ishin mysafirët nga Malisheva që realizuar gol vetëm pas shtatë minutash lojë, me Ronald Sobowalen që shënoi pas një solo aksioni për 0:1.

Goli i pësuar herët, sikur “ua preu këmbët” lojtarëve “bardhekaltër”, të cilët në asnjë moment në pjesën e parë nuk arritën që ta rrezikojnë portën e Malishevës, skuadër e cila në 45-minutat e para e pati edhe një mundësi shumë të mirë shënimi.

Në minutën e 33-të pas një kundërsulmi, Ilir Mustafa godet brenda zonës, por portieri Agron Kolaj reagon për mrekulli duke e larguar rrezikun.

Kur pritej që Prishtina të kthjellej në pjesën e dytë, në minutën e 48-të, mbeti me 10-të futbollistë në fushë.

Mbrojtësi Besir Ramadani pas dy kartonëve të verdhë përjashtohet me të kuq nga gjyqtari Alban Shala teksa ndërhyrjen e dytë e shkaktoi ndaj Drilon Hazrollajt.

Malisheva në minutat në vijim e kërkoi golin nga kundërzbritjet derisa arriti që të mbrohet mjaft mirë karrshi aksioneve të Prishtinës.

Bleart Tolaj në minutën e 62-të e rrezikoi edhe një herë portën prishtinase me një goditje nga distanca nga rreth 25 metra, mirëpo “gardiani” Agron Kolaj reagoi sërish duke e larguar rrezikun e në aksionin vijues provoi edhe Drilon Hazrollaj që gjuajti mbi portë.

Hazrollaj edhe katër minuta më pas (66’) tentoi nga 18-të metra, por sërish Kolaj evitoi golin duke e grushtuar topin.

Malisheva e dyfishoi rezultatin në minutën e 81-të me Drilon Hazrollajn që shënoi pas një ndërprerje nga e djathta me një goditje të saktë direkt në portë.

Prishtina e ngushtoi rezultatin në 1:2 me një gol të shënuar nga Shefiti Shefiti në minutën e 84-të.

Pas një topi të dërgua në zonë nga Endrit Krasniqi dhe të larguar keq nga Arlind Veliu, Shefiti gjendet mirë në zonë dhe nga afërsia e dërgoi topin në rrjetë.

Superliga e Kosovës – Java 25

FC Prishtina – KF Malisheva 1:2 (0:1)

Shënues: Shefit Shefiti 84′ – Ronald Sobowale 7′, Drilon Hazrollaj 81′

Karton i kuq: Besir Ramadani 48’

Gjyqtarë: Alban Shala, Bekim Rama, Visar Kelmendi, Ardit Halilaj. VAR: Eridon Podvorica.

FC Prishtina: Agron Kolaj, Gledi Mici (Arlind Shabani 67’), Besir Ramadani, Ramiz Bytyqi, Muhamed Useini (Leotrim Kryeziu 46’), Albin Prapashtica (Fitim Susuri 55’), Kushtrim Gashi, Mërgim Pefqeli (Shefit Shefiti 55’), Endrit Krasniqi, Jalen Blesa (Hasan Hyseni 72’). Trajner: Ismet Munishi.

KF Malisheva: Armend Blakqori, Dreni Kryeziu, Arlind Veliu, Behar Maliqi, Ilir Mustafa, Ronald Sobowale (Fiton Hajdari 89’), Drilon Hazrollaj (Altin Aliu 89’), Donart Vitija (Kastriot Rapuca 62’), Agon Xhaka (Agron Bruqi 79’), Faruk Bihorac, Bleart Tolaj. Trajner: Bylbyl Sokoli.

“Pësuam golin e parë me gabim individual. Në pjesën e dytë, kur u desh të kthehemi në lojë, marrim karton të kuq. I përgëzoj lojtarët për luftën dhe angazhimin, por është humbje e dhimbshme. Malisheva fitoi me meritë. Sot pësuam nga gabimi individual, më herët kemi pësuar prej disa gjërave tjera. Në pjesën e dytë patëm raste dhe shënuam golin. Më shumë raste patëm me 10-të lojtarë sesa me 11-të. Ndoshta ka ardhur në shprehje edhe lodhja e lojtarëve. Kemi luajtur në vikend e në mesjavë. Më vjen keq për këtë humbje”

Ismet Munishi, trajner i FC Prishtinës

prishtina
March 12, 2023