Pas tri ndeshjeve pa fitore, FC Prishtina është rikthyer te pikët e plota në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll, në kuadër të xhiros së 26-të.

Prishtina ka fituar ndaj Drenicës me rezultat 1:0, në ndeshjen e zhvilluar të shtunën në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.

Në këtë mënyrë, trajneri Debatik Curri vazhdoi me fitore në krye të ekipit “bardhekaltër” pasi të mërkurën fitoi edhe ndaj Ballkanit në kuadër të çerekfinales së Kupës së Kosovës.

Prishtinasit në ndeshjen ndaj Drenicës treguan futboll të bukur duke organizuar aksione të shumta.

Që në minutën e dytë, skuadra jonë ka rrezikuar me Kreshnik Ukën, i cili futet në zonë nga e majta, gjuan fuqishëm drejt portës së Altin Gjokajt, por topi shkoi skaj shtyllës së majtë.

Tre minuta më pas Mërgim Pefqeli goditi nga 25 metra, topi përfundoi në duart e Gjokajt.

Skuadra jonë vazhdoi me futboll sulmues. Genc Hamiti në minutën e 18-të harkoi nga e majta në 16-mëtërsh, Kreshnik Uka godet nga e majta, pret Gjokaj, i cili e grushton topin deri te Pefqeli, mirëpo as goditja e këtij të fundit nuk përfundon në portë.

Prishtina për herë të parë e gjeti rrjetën në minutën e 22-të kur Endrit Krasniqi e gjeti për mrekulli Leotrim Kryeziun afër portës, mirëpo topi i dërguar në rrjetë nga ky i fundit nuk kishte vlerë, pasi ishte në pozitë jashtë loje.

Goli i parë dhe i fundit në ndeshje u realizua në minutën e 33-të. Kreshnik Uka gjendet mirë në zonë, lëshon “predhë” drejt portës, portieri Gjokaj e grushton topin deri te Bujar Pllana që brenda zonës godet saktë për ta dërguar topin në portë për 1:0. Deri në fund të pjesës së parë u zhvillua lojë e qetë.

Prishtina edhe në pjesën e dytë ishte skuadër më e mirë në fushë.

Në minutën e 55-të. Hasan Hyseni depërton për mrekulli nga e djathta dhe pasi kalon disa futbollistë, shërben Kryeziun, por në fund ndërhyjnë mbrojtësit drenicas për ta larguar rrezikun.

Drenica e kërkoi golin e barazimit në minutën e 66-të me ç’rast pas ndërprerjes, Agim Zeka tentoi nga 25 metra, por gardiani jonë Ardit Nika e grushtoi topin në rivënie nga këndi.

Sfida u bë edhe më e “nxehtë” në minutën e pestë të kohës shtesë (95’).

Portieri i prishtinasve, Ardit Nika shkaktoi ndërhyrje të palejuar jashtë zonës së rreptësinë dhe gjyqtari Mervan Bejtaullahu e ndëshkoi me karton të kuq.

Vendin e Nikës në portë e zuri mesfushori Mërgim Pefqeli, i cili vetëm në një rast ishte në rrezik, gjithsesi pas ndërprerjes, futbollisti i Drenicës, Hussein e dërgoi mbi portë.

Superliga e Kosovës – Java 26

FC Drenica – FC Prishtina 0:1 (0:1)

Gjyqtarë: Mervan Bejtullahu, Edmond Zeqiri, Fatmir Sekiraqa, Ardit Halilaj. VAR: Vigan Ibërdemaj.

Shënues: Bujar Pllana 33’

FC Drenica: Altin Gjokaj, Shkëlzen Lushtaku (Ardian Hoti 63’), Viktor Kuka, Lukman Hussein, Ermal Veliqi (Osman Mëziu 46’), Kastrati, Arbios Thaqi, Besfort Dervishaj (Ilir Çitaku 90’), Diego Armando Lopez Da Silva, Bintsouka Koxy, Agim Zeka (Diar Geci 78’). Trajner: Bujar Devolli.

FC Prishtina: Ardit Nika, Bujar Pllana, Muhamed Useini, Gledi Mici, Kushtrim Gashi (Egzon Belica 90+3’), Genc Hamiti, Mërgim Pefqeli, Hasan Hyseni (Jalen Blesa 90’), Endrit Krasniqi (Igball Jashari 90+3’), Leotrim Kryeziu, Kreshnik Uka (Shefit Shefiti 73’). Trajner: Debatik Curri.

“E kemi përgatitur mirë ndeshjen. Historikisht ndaj Drenicës kemi pasur probleme. Kemi pasur përballje të forta. Por, sot e kemi respektuar maksimalisht, sikur të ishte ndeshje ndaj skuadrës së Dritës apo Ballkanit që luftojnë për titull kampioni. Kemi pasur orar të ngjeshur me shumë ndeshje dhe ka qenë lodhje për futbollistët. Atë që e deshëm, e arritëm. Epilogu final ishte fitorja me meritë dhe këto tri pikë na ndihmojnë që të jemi më të qetë”

Debatik Curri, trajner i Prishtinës

prishtina
March 18, 2023