FC Prishtina ka barazuar me FC Malishevën me rezultat 1:1 në kuadër të javës së 34-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë ishte me shumë raste, të cilat në fund prodhuan dy gola.

Sfida nisi e qetë teksa rastin e parë për shënim e patën vendasit.

Bleart Tolaj harkoi nga e majta në zonë për Fiton Hajdarin, ky i fundit goditi me kokë, topi shkoi mbi portë.

Dhjetë minuta më pas (30′), Roland Sobowale rrezikoi brenda zonës duke goditur fuqishëm, por portieri ynë Agron Kolaj reagoi për mrekulli duke e pritur topin.

Kolaj e dëshmoi veten edhe në minutën e 31-të kur Tolaj goditi nga 25 metra, teksa “gardiani” jonë e largoi topin duke e grushtuar pasi u devijua nga mbrojtja prishtinase.

Deri në fund të pjesës së parë malishevasit e tentuan portën tonë edhe në dy raste, me Sobowalen (38′) që brenda zonës gjuajti mbi portë dhe Tolajn, i cili u fut në zonë por goditjen e tij e priti Kolaj me vështirësi.

Prishtina në pjesën e dytë ishte skuadër shumë më e rrezikshme.

Në minutën e 48-të Endrit Krasniqi e gjen në 16-metërsh Leotrim Kryeziun që gjuan me kokë, por topi shkon pak jashtë portës.

Prishtina e kërkoi golin edhe në minutën e 53-të kur Ramiz Bytyqi fut një top te Mërgim Pefqeli, ai nuk e qëllon cakun.

Prishtina golin e epërsisë e arriti në minutën e 60-të. Endrit Krasniqi harkoi nga e majta teksa Pefqeli realizoi pas një goditje me kokë për 0:1.

Golin e dytë ekipi jonë ka mundur që ta realizojë në minutën e 78-të kur Leotrim Kryeziu gjuajti brenda zonës derisa topi pas pritjes së portierit vendas, Flamur Gashi, përfundoi në shtyllë.

Malisheva i barazoi shifrat në 1:1 me Bleart Tolajn, i cili realizoi me një goditje të saktë brenda zonës.

“Bardhekaltrit” e tentuan golin e dytë edhe në minutën e 84-të përmes Hasan Hysenit, gjithsesi topin në fund e largoi portieri vendas.

Sulmuesi Muhamed Dugova i inkuadruar në minutat e fundit të ndeshjes ka mundur që ta realizojë edhe golin e dytë dhe të fitores për Prishtinën kur për mrekulli u inkuadrua në zonë pasi dribloi disa mbrojtës të Malishevës, mirëpo topi në fund u largua nga mbrojta.

Superliga e Kosovës – Java 34

FC Malisheva – FC Prishtina 1:1 (0:0)

Gjyqtarë: Genc Nuza, Fatlum Berisha, Bujar Selimaj, Arben Halilaj. VAR: Ersen Janovali.

Shënues: Bleart Tolaj 79′ – Mërgim Pefqeli 60′

FC Malisheva: Flamur Gashi, Dreni Kryeziu (Faruk Bihorac 84′), Arlind Veliu, Arbër Pira, Agon Xhaka, Florent Avdyli (Ilir Mustafa 62′), Alush Gavazaj (Agron Bruqi 92′), Behar Maliqi, Bleart Tolaj, Roland Sobowale, Fiton Hajdari (Drilon Hazrollaj 62′). Trajner: Bylbyl Sokoli.

FC Prishtina: Agron Kolaj, Gledi Mici, Egzon Belica, Muhamed Useini, Ramiz Bytyqi, Mërgim Pefqeli, Fitim Susuri (Genc Hamiti 81′), Hasan Hyseni (Muhamed Dubova 90′), Endrit Krasniqi, Shefit Shefiti (Jalen Blesa 78′), Leotrim Kryeziu (Albin Prapashtica 81′). Trajner: Debatik Curri.

prishtina
May 14, 2023