FC Prishtina është rikthyer të fitoret duke e mundur KF Drenicën me rezultat 4:1 në kuadër të xhiros së 35-të të Superligës së Kosovës.

Prishtina që në minutat e para të ndeshjes u lëshua në sulm në kërkim të golit të epërsisë, i cili erdhi në minutën e 11-të.

Shefit Shefiti depërtoi nga e majta në zonë dhe asistoi për Leotrim Kryeziun që shënoi nga afërsia për 1:0.

photo by: @Shpend Ahmeti

Drenica u “njoftua” me portën e Prishtinës në minutën e 14-të kur Armend Abazi nga distanca goditi për të pritur pa problem portieri jonë, Agron Kolaj.

Tre minuta më pas (17′) Leotrim Kryeziu tentoi nga 25 metra, topin e largoi portieri Arlis Shala deri te Endrit Krasniqi që shënoi, por në këtë rast ishte në pozitë jashtë loje.

Një minutë më pas skuadra “bardhekaltër” e dyfishoi rezultatin në 2:0 teksa pas një aksioni të gjatë, Hasan Hyseni shënoi me një goditje nga jashtë zonës.

photo by: @Shpend Ahmeti

Drenica e ngushtoi rezultatin në 2:1 me Besfort Dervishajn, i cili shënoi pas një pakujdesie të mbrojtjes dhe portierit tonë me një goditje nga jashtë 16-metërshit në minutën e 27-të.

Prishtina rrezikoi edhe në gjashtë minuta pa përfunduar koha e rregullt e pjesës së parë (39′) më kapitenin Gledi Mici që depërtoi nga e majta në zonës, por goditja e tij në fund përfundoi në trupin e portierit drenicas.

photo by: @Shpend Ahmeti

Sikurse në pjesën e parë, edhe në të dytën, Prishtina nuk u ndal së kërkuari gola të tjerë.

Hasan Hyseni e tentoi golin e dytë personal në ndeshje në minutën e 51-të kur e kaloi edhe portierin, mirëpo nuk e dërgoi topin në portë e në vijim të aksionit pasoi për Shefit Shefitin, por as ky nuk e dërgoi topin në rrjetë.

Prishtinasit e qëlluan transversalen e drenicasve në minutën e 57-të, me ç’rast Hasan Hyseni shërbeu Kryeziun e ky i fundit nga 7-8 metra e dërgoi topin në shtyllë.

Golin e tretë Prishtina e shënoi në minutën e 59-të teksa Hyseni pasi e morri një top jashtë mesit të fushës u fut në zonë nga e djathta për të goditur fuqishëm e larguar topin “gardiani” Shala deri te Endriti Krasniqi që “fluturoi” me kokë për ta dërguar topin në rrjetë për 3:1.

photo by: @Shpend Ahmeti

Krasniqi edhe në minutën e 70-të ka mundur ta thellojë epërsinë kur Shkëlzen Lushtaku dha një top të gabuar, të cilin e rrëmbeu bukur Endriti, gjithsesi gjuajtja e tij shkoi jashtë portës.

Pesë minuta pa përfunduar koha e rregullt e ndeshjes (85′) Jalen Blesa asistoi për Albin Prapashticën, i cili shënoi nga afërsia për rezultatin përfundimtar, FC Prishtina – KF Drenica, 4:1.

Superliga e Kosovës – Java 35

FC Prishtina – KF Drenica, 4:1 (2:1)

Gjyqtarë: Erdall Zasella, Meriton Berisha, Alban Ejupi, Ardit Halilaj. VAR: Lirim Jashari.

Shënues: Leotrim Kryeziu 11′, Hasan Hyseni 25′, Endrit Krasniqi 59′, Albin Prapashtica 85′ – Besfort Dervishaj 27′

FC Prishtina: Agron Kolaj, Gledi Mici, Egzon Belica, Besir Ramadani, Ramiz Bytyqi, Mërgim Pefqeli (Diar Halili 82′), Shefit Shefiti (Albin Prapashtica 60′), Endrit Krasniqi, Fitim Susuri (Genc Hamiti 64′), Hasan Hyseni (Jalen Blesa 64′), Leotrim Kryeziu (Muhamed Dubova 82′). Trajner: Debatik Curri.

KF Drenica: Arlis Shala, Shkëlzen Lushtaku, Arbios Thaqi, Besfort Dervishaj (Albion Avdyli 74′), Diego Armando Lopez (Luan Dobra 74′), Armend Abazi (Erion Idrizi 46′), Azem Bejta (Endrit Shala 46′), Ermal Veliqi, Archange Koxy, Arblert Beka (Muharrem Musa 65′), Lukman Olayemi. Trajner: Bledar Devolli.

prishtina
May 20, 2023