FC Prishtina në ndeshjen e fundit të edicionit 2022/23 në Albi Mall Superligën e Kosovës, ka humbur nga Trepça ’89 me rezultat 2:1 në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë.

Ndeshja u zhvillua në një teren shumë të papërshtatshëm për lojë për shkak të shiut të rrëmbyeshëm që nuk pushoi pothuajse gjatë gjithë takimit.

Pas një loje të qetë nga të dyja ekipet, rastin e parë për shënim e patën mitrovicasit me afrikanin Madi Fatty, i cili në minutën e 18-të pasi pranoi një top brenda zonës, goditi fuqishëm, për të përfunduar topi në duart e portierit tonë, Agron Kolaj.

Ishte sërish Fatty që e kërkoi golin në minutën e 25-të, kësaj radhe me kokë, por Kolaj sërish e kontrolloi topin.

Prishtina në minutën e 36-të fitoi penallti.

Muhamed Useini u pengua në zonë nga Samir Sahiti për të bërë që gjyqtari Visar Kastrati të bëjë me shenjë në pikën e bardhë.

I saktë nga 11-të metra ishte Leotrim Kryeziu që e kaloi Prishtinën në epërsi prej 0:1 në minutën e 37-të.

Pjesa e dytë i takoi mitrovicasve, të cilët luftuan me të gjitha forcat për fitore për të mbijetuar në elitë.

Ishte minuta e 85-të e takimit, kur mitrovicasit shënuan nëpërmjet Rilind Nimanit, i cili realizoi nga afërsia pasi asistohet nga Ermir Rashica.

Skuadra nga Mitrovica ia doli të përmbyste rezultatin, duke shënuar me anë të Egzon Fazliut në minutën e 90+6-të për rezultatin përfundimtar, KF Trepça ’89 – FC Prishtina 2:1.

Prishtina e mbyll edicionin në Albi Mall Superligë në vendin e pestë me 48 pikë.

Skuadra jonë tashmë e pret finalen e Kupës së Kosovës ndaj SC Gjilanit, ndeshje kjo që luhet më 5 qershor në stadiumin “Fadil Vokrrri” në Prishtinë.

Superliga e Kosovës – Java 36

Trepça ’89 – FC Prishtina 2:1 (0:1)

Gjyqtarë: Visar Kastrati, Lumturije Muhadri, Granit Hyseni, Dardan Çaka. VAR: Alban Shala.

Shënues: Rilind Nimani 86′, Egzon Fazliu 90+7′ – Leotrim Kryeziu 37′

KF Trepça ’89: Donat Kaçiu, Samir Sahiti (Milazim Bajraktari 90+8’), Erdin Dushi, Happy Takalani, Rilind Nimani, Egzon Fazliu, Agustine Ameworlorna, Lulzim Peci, Madi Karamon Fatty (Armend Gashi 71’), Abdulai Oyebowale, Ermir Rashica. Trajner: Shpëtim Idrizi.

FC Prishtina: Agron Kolaj, Gledi Mici, Egzon Belica, Muhamed Useini (Dion Gallapeni 78’), Ramiz Bytyqi, Genc Hamiti (Korab Luma 90+2’), Mërgim Pefqeli, Hasan Hyseni (Amar Demolli 78’), Albin Prapashtica, Endrit Krasniqi (Diar Halili 46’), Leotrim Kryeziu (Igball Jashari 46’). Trajner: Debatik Curri.

prishtina
May 28, 2023