Skuadra jonë e përmbyll edicionin kalendarik 2022/23, me ndeshjen finale të Kupës së Kosovës ndaj SC Gjilanit, sfidë e cila zhvillohet të hënën, nga ora 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kryeqytet.

Optimizmi në kampin “bardhekaltër” është maksimal për ta përmbyllur këtë edicion me trofe.

FC Prishtina është kualifikuar për herë të 11-të në finale të Kupës së Kosovës, që nga pavarësimi i futbollit tonë.

Nga 10 finale, Prishtina e ka fituar shtatë herë trofeun e çmuar të Kupës.

Kjo përballje do të jetë e veçantë edhe për trajnerin tonë, Debatik Curri, i cili në vitin e parë si kryetrajner i Prishtinës synon trofe.

Curri ka folur për finalen e së hënës, për faqen zyrtare të klubit, “prishtinafc.com”.

“Kjo është ndeshje shumë e rëndësishme për Prishtinën, një finale, e cila e përmbyll një vit shumë të mundimshëm dhe me shumë sakrifica. Trofetë kanë qenë prej fillimit objektivi jonë dhe normalisht se nesër do të synojmë që të kurorëzohemi me këtë trofe”.

“Përparësi e Prishtinës në këtë ndeshje është stadiumi “Fadil Vokrri” pasi luajmë para qytetarëve të Prishtinës, para “Plisave”, që mendoj se do të jenë shtytje e madhe për neve, për këtë trofe. Skuadra është përgatitur mjaft mirë. Të gjithë lojtarët kanë punuar maksimalisht dhe të gjithë janë të gatshëm që ta përmbyllim këtë vit me një trofe që është i rëndësishëm edhe për sfidat që i kemi pasur gjatë gjithë edicionit”.

“Ftoj të gjithë qytetarët dhe tifozët “Plisat” që të vijnë masovikisht në stadium për ta përkrahur ekipin në mënyrë që trofeun ta mbajmë në Prishtinë. Ne si ekip ju premtojmë maksimumin që nesër t’ju bëjmë të lumtur”.

prishtina
June 4, 2023