FC Prishtina e ka fituar Kupën e Kosovës në futboll, pasi të hënën në mbrëmje, ka shënuar fitore në ndeshjen finale kundër Gjilanit, me rezultat 2:0 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Sfida nisi e qetë me dy skuadrat e kujdesshme teksa 45 minutat e para nuk sollën gola, përkundër disa rasteve.

Futbollisti i prishtinasve, Endrit Krasniqi lëshoi një goditje të fortë në minutën e 38-të, mirëpo u bllokua nga mbrojtja kundërshtare.

Prishtina e drejtuar nga trajneri Debatik Curri tregoi më shumë nga loja e tyre dhe krijuan më shumë raste në pjesën e dytë.

Në minutën e 48-të, Prishtina fitoi një gjuajtje të lirë, por Endrit Krasniqi nuk ishte i saktë, pasi topi shkoi mbi portë.

Ishte minuta e 67-të e takimit, kur zëvendësuesi Genc Hamiti e kaloi ekipin tonë në epërsi prej 0:1 me një goditje volej brenda zonës pasi asistohet nga Mërgim Pefqeli.

Për të shuar shpresat e Gjilanit dhe për trofeun u përkujdes Mergim Pefqeli, që realizoi një super-gol nga distanca në minutën e 76-të për rezultatin 2:0.

Gjilani në minutën e 88-të e gjeti golin përmes Mevlan Zekës, i cili realizoi me kokë, por dhoma e VAR-it bëri të ditur se sulmuesi kishte qenë në pozicion jashtë loje.

Përkundër tetë minutave lojë shtesë, golat e Hamtiti dhe Pefqelit mbetën të vetmet dhe në fund Prishtina e fitoi trofeun e çmuar.

Në fund, medaljet për ekipet finaliste dhe trofeun për kapitenin e Prishtinës, Gledi Mici i ndanë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi.

Kjo Kupë ishte e veçantë edhe për trajnerin tonë, Debatik Curri, i cili në vitin e parë si kryetrajner i Prishtinës fiton trofe në moshën 39-vjeçare.

Klubi “bardhekaltër” e ka kthyer këtë trofe në kryeqytet pas tre vjetësh.

Për Prishtinën ky është trofeu i tetë në këtë garë nga 11-të finale të zhvilluara.

Finalja e Kupës së Kosovës

SC Gjilani – FC Prishtina 0:2 (0:0)

Gjyqtarë: Visar Kastrati, Fatlum Berisha, Bujar Selimaj,  Alban Shala. VAR: Burim Jahmurataj.

Shënues: Genc Hamiti 67’, Mërgim Pefqeli 76’

SC Gjilani: Enea Koliçi, Granit Jashari, Egzon Sinani, Përparim Islami, Albert Dabiqaj (Arbër Prekazi 89’), Arbnor Ramadani (Oltion Bilalli 80’), Elton Cale (Redon Ismaili 80’), Besar Musolli, Baton Zabërgja, Yll Hoxha, Mevlan Zeka. Trajner: Zekirija Ramadani.

FC Prishtina: Agron Kolaj, Egzon Belica, Gledi Mici, Ramiz Bytyqi, Muhamed Useini, Mërgim Pefqeli, Kushtrim Gashi (Genc Hamiti 46’), Hasan Hyseni (Diar Halili 90+5’), Endrit Krasniqi (Albin Prapashtica 90+8’), Leotrim Kryeziu, Jalen Blesa (Bujar Pllana 83’). Trajner: Debatik Curri.

prishtina
June 5, 2023