Prishtina ka pësuar humbje nga Drita me rezultat 1:0 në kuadër të javës së 30-të të Albi Superligës së Kosovës.

Ekipi jonë në ndeshjen e zhvilluar në fushën me bari sintetik në Gjilan, nuk arriti që ta shfaq më të mirën në fushën e gjelbër.

Drita në fillim e kishe iniciativën derisa rasti i parë serioz në ndeshje u regjistrua në minutën e 32-të ku skuadra jonë shumë lehtë ka mundur që të kalojë në epërsi.

Pas një gabimi në mbrojtje të futbollistit të Dritës, Leonat Vitija, topi përfundoi në këmbët e sulmuesit Jalen Bleca, i cili goditi nga 20 metra për të shkuar topi skaj shtyllës së djathtë të portierit Florian Smakiqi.

Drita u kundërpërgjigj një minutë më pas me Marko Simonovskin që rrezikoi me një goditje brenda zonës, por jo sa për ta dërguar topin në rrjetë.

Portieri Agron Kolaj edhe në minutën e 37-të e shpëtoi Prishtinën kur Almir Ajzeraj nga e djathta godet fuqishëm, por “gardiani” ynë e largoi rrezikun.

Drita në vazhdim tentoi edhe në dy raste me Blend Baftiun (38′) që nuk e qëlloi portën nga jashtë zonës dhe Muharrem Jasharin në minutën e 39-të, i cili me të majtën provoi nga afërsia, mirëpo Kolaj e grushtoi topin.

Skuadra vendase e përkrahur maksimalisht nga tifozët në tribuna, golin e epërsisë e arriti në minutën e 41-të.

Ajzeraj pas një rivënie nga këndi e gjeti të lirë në zonë Kastriot Selmanin, që nga afërsia me kokë e dërgoi topin në portë për 1:0.

Për dallim nga pjesa e parë, e dyta ishte më e zbehtë sa i përket aksioneve dhe rasteve për shënim me Dritën që golin e kërkoi nga kundërsulmet dhe Prishtinën që e kontrolli më shumë topin, mirëpo nuk gjeti forcë për ta barazuar rezultatin përkundur disa mundësive për shënim.

“Gardiani” Agron Kolaj e dëshmoi edhe një herë veten në minutën e 56-të kur rrezikohet seriozisht nga një goditje e Hajzerajt, por nuk lejoi gol.

Prishtina shumë lehtë ka mundur që t’i barazojë shifrat në minutën e 57-të me ç’rast pas një aksioni të bukur të nisur nga mesi i fushës, Ramiz Bytyqi e gjeti të vetmuar në zonë Endriti Krasniqin, por “predha” e tij përfundoi në duart e Smakiqit.

16-të minuta pa përfunduar koha e rregullt e ndeshjes (74′), Prishtina edhe një herë e shpërdoroi një rast për gol.

Besnik Krasniqi i Dritës dha një top të gabuar në mbrojtje që u fitua nga Leotrim Kryeziu e ky i fundit shërbeu Genc Hamitin, por goditja e tij ishte e dobët për portierin vendas.

Deri në fundit të ndeshjes, Drita tentoi edhe një herë (76′)  me Simonovskin, i cili nga afërsia tentoi, por Kolaj edhe një herë e largoi topin në rivënie nga këndi.

Superliga e Kosovës – Java 30

FC Drita – FC Prishtina 1:0 (1:0)

Gjyqtarë: Dardan Çaka, Besnik Morina, Arbnor Bullatovci, Isak Ceroviku, VAR: Lirim Jashari.

Shënues: Kastriot Selmani 41′

FC Drita: Florian Smakiqi, Ardian Limani, Besnik Krasniqi, Ron Broja, Leonat Vitija, Blend Baftiu (Hamdi Namani 73′), Muharrem Jashari, Kastriot Selmani (Hokemba Ovouka 90+2), Almir Ajzeraj, Ilir Blakçori, Marko Simonovski (Ardit Tahiri 84′). Trajner: Afrim Shahini.

FC Prishtina: Agron Kolaj, Gledi Mici, Bujar Pllana, Ramiz Bytyqi, Muhamed Useini, Mërgim Pefqeli (Genc Hamiti 54′), Kushtrim Gashi, Albin Prapashtica (Shefit Shefiti 58′), Endrit Krasniqi (Fitim Susuri 58′), Leotrim Kryeziu, Jalen Blesa (Arlind Shabani 84′). Trajner: Debatik Curri.

“Drita ka një skuadër të mirë dhe ne ndoshta në pjesën e parë respektuam e më shumë se që duhej. Në pjesën e dytë ndryshuam diçka dhe kishim posedimin e topit, por jo edhe raste për gol, me përjashtim të rastit të Endrit Krasniqit. Dritës ia uroj fitoren, kurse neve na mbetet të përgatitemi për ndeshjen e ardhshme. Sa i përket anës fizike, jemi në nivel dhe tani do ta kemi një javë të plotë për t’u bërë gati për ndeshjen e ardhshme”

Debatik Curri, trajner i Prishtinës

prishtina
April 22, 2023