
FC Prishtina në radhët e saj ka shumë futbollistë të rinj e me potencial të ofruar si nga Shkolla e Futbollit, por edhe nga Shkolla e klube të tjera në Kosovë.
Ata po “gradohen” dita-ditës në skuadrën e parë të drejtuar nga kryetrajneri Debatik Curri.
Në ndeshjen e sotme të Kupës së Kosovës ndaj FC Vushtrrisë, golin e parë në fanellën “bardhekaltër” e ka realizuar sulmuesi, Igball Jashari.
“Igi” që aktivizohet si sulmues është pasardhës i familjes Jashari nga Prekazi i Skenderjat, familje e cila në mars të vitit 1998 në luftimet me Ushtrinë dhe Policinë e Serbisë humbi 58 anëtarë, të cilët ranë dëshmorë për të mos vdekur kurrë në krye me komandantin legjendar Adem Jashari.
Ai e shënoi golin e fundit në fitoren e Prishtinës me rezultat 6:0.
Jashari shënoi nga penalltia, të cilën e fitoi vet në fund të takimit.

Sfida gjysmëfinale ndaj Vushtrrisë e zhvilluar të mërkurën në stadiumin “Fadil Vokrri” sikurse për Jasharin, do të mbetet gjithmonë në memorien edhe të Dion Gallapenit dhe Amar Demollit, të cilët debutuan në ekipin e parë të Prishtinës.


Gallapeni (18-vjeçar) e zëvendësoi Gledi Micin në fillim të pjesës së dytë ndërkohë që Demolli (16-vjeçar) u inkuadrua në lojë në minutën e 68-të në vend të Leotrim Kryeziut.
Krahas tyre edhe në këtë takim për herë të dytë në këtë edicion, trajneri Curri ia dha rastin edhe 19-vjeçarit Diar Halilit, të ardhur në dimrin që shkoi te Prishtina nga Porto e Portugalisë.

Të gjithë futbollistët e lartpërmendur patën paraqitje të kënaqshme.
FC Prishtina edhe në takimet e tjera do t’i inkuadrojë gradualisht në skuadrën e parë edhe shumë lojtarë të tjerë të talentuar.