FC Prishtina ka arritur fitore ndaj Vushtrrisë me rezultat 2:1 në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Kosovës.

Kryeqytetasit kishin më shumë nga loja në pjesën e parë, duke krijuar raste, por një pakujdesi iu kushtoi me gol në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën në stadiumin “Ferki Aliu në Vushtrri.

Hennry Chibueze në minutën e 21-të përfitoi nga një pakujdesi në mbrojtjen e Prishtinës për të shënuar për 1:0.

Paraprakisht, Prishtina organizoi dy aksione të mira ku rezultati ka mundur të ndryshojë, por goditjet e Bujar Pllanës (4’) dhe Albin Prapashticës (8’) nuk përfunduan në portë.

Katër minuta pa përfunduar pjesa e parë (41’), skuadra jonë rrezikoi edhe Leotrim Kryeziu, i cili gjuajti fuqishëm brenda zonës, por topi në fund u largua nga mbrojtja vendase.

Prishtina në pjesën e dytë ishte skuadër më kërkuese se në të parën.

Kreatori i lojës së Prishtinës, Endrit Krasniqi në minutën e 49-të tentoi nga goditja e lirë nga rreth 25 metra, por gjuajtja e tij ishte e lehtë për portierin e vushtrriasve, Marly Koubassanth.

Prishtinasit nuk u ndalën së kërkuari golin e barazimit. Pas disa gjysmërasteve, Endrit Krasniqi pas një veprimi individual në minutën e 83-të, gjuajti fuqishëm dhe shënoi për 1:1 pasi asistohet nga Genc Hamiti.

Prishtina ka përmbysur rezultatin në minutën e fundit të ndeshjes (90’).

Endrit Krasniqi ka shënuar edhe golin e dytë për skuadrën prishtinase pas një aksioni me nga një prekje në mes tij, Shefiti Shefitit e Gledi Micit, i cili në fund e shërbeu Krasniqin për rezultatin 2:1 në të mirë të prishtinasve.

Ekipi “bardhekaltër” në këtë mënyrë shkon drejt fitores së katërt rresht në të gjitha garat.

Ndeshja e kthimit mes Prishtinës e Vushtrrisë do të zhvillohet më 19 prill në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kupa e Kosovës – faza gjysmëfinale (ndeshja e parë)

FC Vushtrria – FC Prishtina 1:2 (1:0)

Gjyqtarë: Mervan Bejtullahu, Edmond Zeqiri, Fatmir Sekiraqa, Lirim Jashari. VAR: Alban Shala.

Shënues: Hennry Chibueze 21′ – Endrit Krasniqi 83′, 90′

FC Vushtrria: Marly Koubassanth, Leuart Avdyli, Rron Statovci, Taulant Avdyli (Gentian Sahiti 80’), Landrit Rama (Ardi Shala 46’), Lis Behrami, Dren Ahmeti (Shqiprim Zogu73’), Zeki Ademi (Bashkim Shala 76’), Etrit Halimi, Daut Maxhuni, Hennry Chibueze. Trajner: Rizvan Jetullahu.

FC Prishtina: Agron Kolaj, Gledi Mici, Bujar Pllana, Genc Hamiti, Muhamed Useini, Mërgim Pefqeli, Kushtrim Gashi (Arlind Shabani 90’), Hasan Hyseni (Jalen Blesa 68’), Albin Prapashtica (Shefit Shefiti 73’), Leotrim Kryeziu (Ramiz Bytyqi 90’), Endrit Krasniqi. Trajner: Armend Simnica.

“Ekipi u angazhua maksimalisht dhe sigurisht që nuk ishte lehtë të kthehemi pas disavantazhit, por ia dolëm mbanë dhe arritëm ta fitojmë ndeshjen. Është një fitore e rëndësishme, por kemi edhe duelin e kthimit pasi asgjë nuk ka përfunduar. E kemi edhe pjesën e dytë, pasi e kemi përfunduar vetëm të parën”

Armend Simnica, ndihmëstrajner i Prishtinës

prishtina
April 5, 2023