FC Prishtina dhe Gjilani kanë marrë nga një pikë nga ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” të dielën në Prishtinë.

Dueli në fjalë u mbyll pa gola (0:0), ndërsa i takoi xhiros së 33-të të Albi Mall Superligës.

Prishtina që ndeshje vuante nga mungesa të rëndësishme të përbërjes bazë si Gledi Mici, Bujar Pllana, apo edhe Kreshnik Ukës, kishte raste më të mira për shënim gjithsesi, golat munguan.

Që në minutën e 10-të të ndeshjes, zëvendës-kapiteni Endrit Krasniqi, ka mundur të realizoi kur harkoi nga e majta, teksa topi për pak ka mundur që ta befasojë portierin mysafir, Enea Koliçi.

Gjilani rastin e parë për gol në këtë sfidë e pati në minutën e 13-të me ç’rast pas një bashkëveprimi të bukur në mes Arbnor Ramadanit dhe Mevlan Zekës, ky i fundit godit dobët brenda zonës, drejt e në duart e portierit Agron Kolaj.

Prishtina një minutë më pas (14’) u kundërpërgjigj. Mërgim Pefqeli harkoi për Endrit Krasniqin, i cili nga 12-13 metra nuk goditi mirë për t’u larguar topi më pas nga mbrojtja e gjilanasve.

Prishtina vazhdoi dominimin në pjesën e parë. “Bardhekaltrit” patën një numër të madh të rasteve teksa Shefit Shefiti në minutën e 16-të rrezikoi edhe një herë nga distanca, e topi kësaj radhe shkoi pranë portës.

Pefqeli (30’) lëshoi një “predhë” nga rreth 35 metra drejt portës, portieri Koliçi edhe kësaj radhe e shpëtoi ekipin gjilanas nga pësimi i golit.

Kryeqytetasit e kërkuan rrjetën edhe në minutën e 35-të me Krasniqin, i cili as kësaj radhe nuk e gjeti portën.

Deri në fund të 45-minutave të para, Gjilani tentoi edhe në dy raste me Zekën në minutën e 39-të që provoi nga jashtë zonës dhe Përparim Islamin në minutën e 45-të që goditi drejt portës nga afërsia, mirëpo Kolaj ishte i vëmendshëm.

Për dallim nga e para, pjesa e dytë ishte më e zbehtë sa i përket rasteve. Prishtina edhe në këtë pjesëlojë e kishte posedimin e topin, kurse Gjilani e kërkoi golin nga kundërzbritjet.

Mevlan Zeka në këtë pjesë e huqi një mundësi të mirë për shënim në minutën e 64-t kur për mrekulli u shërbye nga Ramadani, rrezikun për Prishtinën në këtë moment e largoi Genc Hamiti duke e larguar topin nga afërsia e vijës së fundit të portës.

Kur kaluan 70-të minuta të lojës, Prishtina tentoi edhe një herë golin. Endrit Krasniqi pas ndërprerjes e dërgoi një top në zonë, mbrojtja mysafire në tentativë për ta larguar e dërgoi deri te Shefiti, i cili u shkëput me kokë, mirëpo nuk e dërgoi topin në cak.

Nga minuta e 78-të, Gjilani luajti me një futbollist më pak në fushë, për shkak se me kartonin e dytë të verdhë e pastaj të kuqin ndëshkua Arbnor Ramadani.

Deri në fund të ndeshjes, Prishtina rrezikoi edhe me zëvendësuesin Fitim Susuri në minutën e 89-të kur u shërbeu brenda 16-metërshit nga Leotrim Kryeziu, rrjeta mbeti e paprekur pas goditjes së lehtë të Susurit.

Superliga e Kosovës – Java 33

FC Prishtina – SC Gjilani 0:0

Gjyqtarë: Dardan Çaka, Besnik Morina, Arbnor Bullatovci, Ilir Mehmeti. VAR: Eridon Podvorica.

FC Prishtina: Agron Kolaj, Egzon Belica, Ramiz Bytyqi, Muhamed Useini, Genc Hamiti (Dion Gallapeni 87’), Kushtrim Gashi (Fitim Susuri 80’), Mërgim Pefqeli, Hasan Hyseni (Albin Prapashtica 63’), Shefit Shefiti (Jalen Blesa 80’), Endrit Krasniqi, Leotrim Kryeziu. Trajner: Debatik Curri.

SC Gjilani: Enea Koliçi, Egzon Sinani, Përparim Islami, Besar Musolli, Yll Hoxha, Granit Jashari, Oltion Bilalli, Redon Ismajli, Arbnor Ramadani, Elton Cale, Mevlan Zeka (Edison Kçiku 77’). Trajner: Zekirija Ramadani.

“Kishim dy mungesa shumë të rëndësishme si ajo e Gledi Micit dhe Bujar Pllanës. Kur e dominon ndeshjen të nevojitet edhe finalizimi që nuk e patëm. Jam i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve të rinj. Kemi pasur presion që të fitojmë, ndërsa Gjilanit i duhej edhe barazimi. Ne në çdo ndeshje japim maksimumin, por të shohim se çfarë do të ndodh deri në fund të edicionit”

Debatik Curri, trajner i Prishtinës

prishtina
May 7, 2023