Prishtina dhe Gjilani kanë luajtur baras (0:0) në ndeshjen e vlefshme për javën e 24-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Në takimin e zhvilluar të enjten në stadiumin me bari sintetik në Gjilan, skuadra “bardhekaltër” ishte shumë më kërkuese se Gjilani, por golat munguan, edhe falë intervenimeve të portierit Ene Koliçi.

Rasti i parë për gol u arrit në minutën e 12-të kur Kushtrim Gashi provoi jashtë zonës me një goditje nga rreth 20 metra, por topi shkoi mbi portë.

Nëntë minuta më vonë (21’), kapiteni Gledi Mici rrezikoi sërish me një goditje nga distanca, topi sërish shkoi afër portës së mbrojtës nga Enea Koliçi.

Prishtina vazhdoi më sulme dhe aksione të ndërtuara mirë. Endrit Krasniqi në minutën e 24-të harkoi nga e djathta ku në zonë e gjeti kokën e Mërgim Pefqelit, por as goditja e këtij të fundit nuk e gjeti portën.

Një minutë pa përfunduar koha e rregullt e ndeshjes, Prishtina rrezikoi përsëri. 

Albin Prapashtica nga e majta harkoi në zonë për Jalen Blesan, ky i fundit e dërgoi topin deri te Leotrim Kryeziu që gjuan fuqishëm, topi kësaj radhe përfundoi në trupin e Koliçit.

45-minutat e pjesës së dytë sërish prodhuan raste. Gjilani (52’) rrezikoi për herë të parë seriozisht portën e ekipit tonë.

Dior Zabërgja krosoi për Arbnor Ramadanin, i cili rrezikoi më kokë, por portier ynë, Agron Kolaj e kontrolli topin.

Kolaj edhe në minutën e 82-të u tregua i vëmendshëm teksa topin e goditur nga Yll Hoxha e largoi me saktësi.

Pesë minuta pa përfunduar koha e rregullt e ndeshjes, mesfushori i ekipit tonë, Shefit Shefiti pas ndërprerjes e dërgoi një top në zonë, Egzon Sinani i Gjilanit në tentim për ta larguar e testoi edhe një herë Enea Koliçin, i cili me shumë vështirësi e dërgoi topin në rivënie nga këndi.

Në minutën e parë të kohës shtesë, Koliçi sërish u shndërrua në hero te Gjilani kur gjuajtjen e fuqishme Shefitit nga e majta pas ndërprerjes, e largoi me sukses.

Superliga e Kosovës – Java 24

SC Gjilani – FC Prishtina 0:0

Gjyqtarë: Visar Kastrati, Bujar Selimaj, Besnik Morina, Egzon Dakaj. VAR: Dardan Çaka.

SC Gjilani: Enea Koliçi, Besar Musolli (Oltian Bilalli 87’), Armend Halili (Yll Hoxha 46’), Granit Jashari, Mevlan Zeka, Arbnor Ramadani, Elton Kale (Shend Kelmendi (74’), Albert Dabiqaj, Egzon Sinani, Përparim Islami, Baton Zabërgja. Trajner: Zekirija Ramadani.

FC Prishtina: Agron Kolaj, Gledi Mici, Bujar Pllana, Albin Prapashtica (Kreshnik Uka 46’), Leotrim Kryeziu (Hasan Hyseni 60’), Endrit Krasniqi (Shefit Shefiti 83’), Ramiz Bytyqi, Muhamed Useini, Mërgim Pefqeli (Fitim Susuri 60’), Kushtrim Gashi, Jalen Blesa. Trajner: Debatik Curri.

“Ndeshje pas ndeshje kemi ardhur në ritmin tonë. Është ngarkesë të kemi çdo të tretën ditë lojë. Por, pas kësaj ndeshje do të kemi ndeshje më të lehta në letër dhe më shumë mundësi për të shënuar fitore.  Portieri i Gjilanit, Enea Koloçi pati dy pritje të mira, që mendoj se ndonjë portier tjetër i Superligës nuk do të kishte mundur t’i priste. Thjesht fati nuk ishte me neve”

Debatik Curri, ndihmëstrajner i FC Prishtinës

prishtina
March 9, 2023