Bardhekaltrit mbyllin përgatitjet

Prishtina – Lokomotiva Plovdiv 3-1

Kadryie/Antalya, 27 janar, 2023

Bardhekaltrit sot zhvilluan ndeshjen e fundit përgatitore gjatë qëndrimit dyjavor në Antalya. Për kundërshtar kishte skuadrën e katërt të ranguar në elitën e futbollit bullgar, Lokomotiva nga Plovdivi.

Në fakt, era e madhe e njohur në Antalya, nuk lejoi të zhvillohej ndonjë lojë cilësore, skuadrat pak a shumë nuk ia dolën të dëshmonin cilësi të mëdha, por kjo nuk e pengoi Prishtinën që të shënonte tre herë nga tre raste që në pjesën e parë. Megjithatë, edhe nën këto rrethana, prishtinasit patën paraqitje mjaft të mirë duke lënë të kënaqur shtabin teknik me paraqitjen e ekipit.

Goli i portierit Ardit Nika mund të konsiderohet historik, nuk mbahet në mend të ketë shënuar ndonjë portieri bardhekaltër gol nga porta e tij. Po zhvillohej minuta e 19-të kur Nika degazhoi topin i cili mori shpejtësi marramendëse duke befasuar portierin bullar që kishte lëshuar portën dhe 1-0.

Goli i dytë ishte aksion i vërtet. Në minutën e 34-të Prishtina po atakonte nga e djathta me Shefitin e Belsën kurse në fund Endrit Krasniqi nga distanca gjuan furishëm duke qëlluar së pari pingulen dhe pastaj rrjetën.

Në sekondat e fundit të pjesës së parë, Prishtina po bënte presing mu në zonë të kundërshtarit duke i hutuar dhe duke ua rrëmbyer topin dhe pas pasimit të afërt të Belsës, Endrit Krasniqi realizoi edhe golin e tij të dytë në ndeshje.

Përderisa bullgarët nuk krijuan asnjë mundësi në pjesën e parë, në të dytën patën disa tentime, kryesisht jashtë portës, por në dy raste intervenimet shumë të sakta të portierit Ardit Nika shpëtuan skuadrën.

Golin e vetëm skuadra nga Plovdivi shënoi nëpërmjet Ewandro (76’).

Prishtina edhe në pjesë të dytë pati dy tentime, të dyja Belsa, kurse ai i minutës 80-të ishte dal, por në përballjen me portierin Horkas, ky i fundit doli më i sigurt.

Skuadra nesër në mëngjes mban seancën e fundit stërvitore, kurse vonë pasdite merr rrugën e kthimit në kryeqendër për të bërë përgatitjet e fundit para duelit të Kupës me Dukagjinin.

Prishtina: Ardit Nika – Ramiz Bytyqi, Besir Ramadani, Egzon Belica (Bujar Pllana – 46’), Gledi Mici – Kushtrim Gashi, Mergim Pefqeli (Gentrit Begolli – 66′), Endrit Krasniqi (Mendurim Hoti – 46’) – Shefit Shefiti (Olt Pllana – 68′), Leotrim Kryeziu (Hasan Hyseni – 46’), Jalen Blesa.

Dinko Hrokast – Giovanni Troupee, Todor Pavlov, Luan, Aleksandar Georgiev, Petar Vitanov, Georgi Karakashev, Hristo Ivanov, Ewandro, Pedrinho Figueredo, Ivaylo Dimitrov.

prishtina
January 27, 2023