Qendërmbrojtësi 21 vjeçar, Bujar Pllana, në ndeshjen e javës së fundit kundër Trepçës ’89, ka shënuar dygolësh, duke mos harruar as edhe asistimin në golin e parë.

Këta dy gola të Pllanës, bënë që ky futbollist të shkruhet në analet e klubit si futbollisti i dytë i cili nga pozita e qendërmbrojtësit të arrijë deri të shënimi i “dopietës”.

Këtë gjë më parë, duke i llogaritur statistikat që nga viti 1999, kishte arritur vetëm Armend Dallku duke shënuar dy herë, nga penaltia në të dy rastet, në ndeshjen kthyese të Europa Ligës kundër skuadrës nga Gjibraltari, FC Europa (5-0).

Ndërsa, Pllana autor i tre golave në dy ndeshjet e fundit, i ka shënuar Drenicës (1-0) – me këmbë të majtë, ashtu siç i shënoi edhe golin e dytë Trepçës ’89, ndërsa të parin realizoi pas gjuajtjes me kokë.

Pllana ka realizuar edhe në barazimin kundër Ballkanit në javën e 23-të (2-2), kur kishte shënuar me të djathtën pas harkimit nga këndorja.

Që nga transferimi prej Feronikelit në janar të vitit 2022, Pllana ka regjistruar 44 ndeshje, 4 gola edhe 2 asistime.   

prishtina
April 3, 2023