Paraqitje e mirë në pjesën e parë, por pësuam tre gola në pjesën e dytë nga një kundërshtar me ekip shumë të mirë.

Bardhekaltrit sot kanë zhvilluar ndeshjen e dytë miqësore gjatë fazës përgatitore në Antalia të Turqisë. Kundërshtari i sotëm vinte nga kategoria superiore e Republikës së Çekisë. Klubi i futbollit, Çeske Budojevice është e ranguar në pozitën e 13-të të kampionatit çek.

Prishtina avancoi e para pas një aksioni shumë të shpejtë dhe të rrjedhshëm. Ishte kryeziu që nga e majta rrezikoi, por nga vija e portës dëboi kapiteni çek Kralik, kurse dy gjuajtjet pasuese të Kryeziut dhe të Ukës i ndali portieri Janaçek, por jo edhe gjuajtjen e saktë të Endrit Krasniqit (24’).

Bardhekaltrit në pjesën e parë patën edhe disa tentime tjera, nëpërmjet Kryeziut (pret portieri – 2’), Uka (pret portieri – 31’).

Skuadra çeke barazoi rezultatin në minutën e 43-të nëpërmjet Tomash Zajiç pas gjuajtjes mjaft të bukur brenda zonës. Por, kishin edhe tentime e raste tjera, si në minutën 10-të (Potoçny gjuajti jashtë), Çermak qëlloi traversën nga afërsia (13’) si dhe pritja e sigurt e Nikës kundrejt Potoçny (14’).

Nika ishte i sigurt edhe në dy raste tjera kur ndali tentimet e Horas (34’) e Mrshiçit (38’).

Pjesa e dytë ndërkohë ishte e tëra në disfavor të prishtinasve duke pësuar edhe tre gola nëpërmjet Patrik Hellebrand (50’), Roman Potoçny (61’) dhe pas penalltisë së shkaktuar nga Gallapeni, Hora shënoi nga pika e bardhë (80’).

Bardhekaltrit në pjesën e dytën patën edhe një tentim për t’u theksuar, kur pas kundërzbritjes së shpejtë të Kryeziut, në dy raste, Uka dhe Kryeziu nuk ia dolën të shënonin (60’).

Ndeshjen e ardhshme të përzgjedhurit e kryetrajnerit Munishi do të luajnë pas dy ditësh me 22 janar kundër skuadrës bullgare, në vendin e dytë të kategorisë dytë, Krumovgrad.  

Prishtina – Ceske Budojevice 1-4 (1-1)

Golat: Endrit Krasniqi 24′ – Tomash Zajiç 43′, Patrik Hellebrand 18′, Roman Potoçny 61′, Jakub Hora 80′ (p)

Prishtina (4-3-3) Ardit Nika – Ramiz Bytyqi, Egzon Belica (Bujar Pllana – 62’), Muhamed Useini (Besir Ramadani – 62’), Gledi Mici /c/ (Dion Gallapeni – 66’) – Kushtrim Gashi, Mergim Pefqeli (Genc Hamiti – 62’) Endrit Krasniqi (Arlind Shabani – 73’) – Kreshnik Uka (Gentrit Begolli – 73’), Leotrim Kryeziu, Shefit Shefiti (Albin Prapashtica – 73’). Kryetrajner: Ismet Munishi.

Budojevice: Martin Janaçek, Lukas Havel, Martin Kralik, Benjamin Çoliç, Roman Potoçny, Tomash Zajiç, Patrik Hellebrand, Marcel Çermak, Jakub Hora, Lukash Skovajsa, Matej Mrshiç. Në pjesën e dytë luajtën edhe futbollistë tjerë. Kryetrajner: Marek Nikl.

prishtina
January 20, 2023