Prishtina është kualifikuar në finalen e Kupës së Kosovës në futboll pasi në gjysmëfinale e eliminoi Vushtrrinë.

Ekipi jonë e konfirmoi kalimin në finale me fitoren e thellë në ndeshjen e kthimit, që u luajt të mërkurën në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Këtë ndeshje, Prishtina e fitoi me shifrat 6:0 kurse në finale avancoi me rezultatin e përgjithshëm 8:1, falë edhe fitores së parë 2:1 në Vushtrri.

Prishtina e drejtuar nga trajneri Debatik Curri në këtë ndeshje ishte skuadër superiore duke dominuar totalisht në fushën e gjelbër.

Shkëndijat se do të kemi shumë gola në këtë takim erdhën që në minutat e para të ndeshjes.

Që në minutën e tretë të takimit, Prishtina rrezikoi dy herë me Leotrim Kryeziun dhe Hasan Hysenin, të cilët goditën brenda zonës, por në rastin e parë Marley Prince dhe Rron Statovci në të dytin e shpëtuan portën vushtrriase.

Prishtina golin e parë në ndeshje e shënoi në minutën e tetë. Endrit Krasniqi me pasim maestral e gjeti në zonë Hasan Hysenin, i cili me goditje të saktë brenda zonës, e kaloi skuadrën tonë në epërsi prej 1:0.

Prishtina golin e dytë e shënoi në minutën e 16-të. Sërish Endrit Krasniqi për mrekulli asistoi brenda zonës, kësaj radhe për Leotrim Kryeziun që nga afërsia e dërgoi topin në rrjetë për 2:0.

Vushtrria për herë të parë me portën e Prishtinës u “njoftua” në minutën e 20-të kur Daut Maxhuni goditi nga jashtë zonës, por pa rrezik.

Prishtina goditi sërish në minutën e 26-të me Leotrim Kryeziun, i cili për 3:0 realizoi pasi asistohet nga Hasan Hyseni.

Edhe në pjesën e dytë Prishtina nuk e ndal hovin, duke shënuar fillimisht me Bujar Pllanën në minutën e 54-të për 4:0.

Qendërmbrojtësi realizoi me kokë pasi u asistua nga Mërgim Pefqeli.

Mesfushori Pefqeli shënoi në minutën e 74-të për 5:0 pasi asistohet nga Jalen Blesa, ndërsa golin e fundit në ndeshje e shënoi Igball Jashari nga penalltia për 6:0.

Vet Jashari e fitoi penalltinë pasi pengohet në 16-metërsh nga Bashkim Shala.

Prishtina në finalen e madhe të Kupës së Kosovës do të takohet me SC Gjilanin.

Kjo është finalja e nëntë, në të cilën Prishtina kualifikohet pasluftës.

Prishtina nga viti 1992 ka fituar shtatë herë Kupën e Republikës, prej tyre pesë herë pas luftës.

Prishtina trofeun e fundit të Kupës e ka të fituar në edicionin 2019/20.

Kupa e Kosovës – faza gjysmëfinale (ndeshja e dytë)

FC Prishtina – FC Vushtrria 6:0 (3:0)

Gjyqtarë: Mervan Bejtullahu, Edmond Zeqiri, Fatmir Sekiraqa, Lirim Jashari. VAR: Alban Shala.

Shënues: Hasan Hyseni 8′, Leotrim Kryeziu 16′ 26′, Bujar Pllana 54′, Mërgim Pefqeli 74′, Igball Jashari’ 83′ (pen)

FC Prishtina: Agron Kolaj, Gledi Mici (Dion Gallapeni 46’), Bujar Pllana, Ramiz Bytyqi, Muhamed Useini, Mërgim Pefqeli, Kushtrim Gashi (Jalen Blesa 60’), Hasan Hyseni, Albin Prapashtica (Igball Jashari 46’), Endrit Krasniqi (Diar Halili 46’), Leotrim Kryeziu (Amar Demolli 68’). Trajner: Debatik Curri.

FC Vushtrria: Marley Prince, Rron Statovci, Leuart Avdyli, Zeki Ademi (Gentian Sahiti 57’), Lis Behrami (Bashkim Shala 57’), Daut Maxhuni, Edon Pasoma (Ard Shala 46’), Dren Ahmeti (Medin Gashi 46’), Taulant Avdyli (Kushtrim Fazliu 65’), Arlind Rashani, Henry Chibueze. Trajner: Rizvan Bejtullahu.

“Kam kërkuar të kemi një qasje serioze ndaj Vushtrrisë dhe lojtarët janë angazhuar prej fillimit të ndeshjes. Natyrisht, nuk kam pritur një fitore kaq të thellë por jam i lumtur që kemi kaluar në finale”

Debatik Curri, trajner i Prishtinës

prishtina
April 19, 2023