Prishtina ka barazuar me Llapin pa gola (0:0) në kuadër të javës së 31-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Kryeqytetasit e nisën më mirë ndeshjen dhe tentuan në disa raste të kalonin në epërsi, por mbrojtja e llapjanëve nuk u thye.

Prishtina në fakt arriti që të shënonte në minutën e pestë të ndeshjes kur Bujar Pllana u gjend mirë në zonë dhe me goditje me kokë e dërgoi topin në rrjetë, por gjyqtarët e anuluan golin me pretekstin se Pllana më parë ka shkaktuar ndërhyrje të palejuar.

Prishtina në minutat në vijim e kishte posedimin e topit teksa Llapi e kërkoi golin nga ndërprerjet dhe kundërzbritjet.

Llapi në minutën e 22-të ka rrezikuar me Arbër Bytyqin, i cili pas ndërprerjes goditi fuqishëm, mirëpo portieri jonë Agron Kolaj e largoi rrezikun.

Prishtina në minutën e 28-të tentoi me Hasan Hysenin që goditi nga distanca, topi shkoi mbi portë.

Hyseni në rast të mirë shënimi u ndodh edhe në minutën e 42-të kur mori një top nga Shefit Shefiti, i vetëm me portierin e shtyu topin drejt portës, por në fund golin ia mohoi Gentrit Limani.

Mundësinë më të mirë për shënim në pjesën e parë, Prishtina e pati përmes Shefitit që nga 18-19 metra e rregulloi topin, por për fat të tij, topi përfundoi në shtyllën e majtë të portës së ruajtur nga Ilir Avdyli.

Sikurse në pjesën e parë, Prishtina ishte dominuese edhe në të dytën, por efikasiteti ne fazën e sulmit mungoi.

Hasan Hyseni si fillim (50’) rrezikoi për skuadrën tonë duke goditur nga distanca, por jo aq sa për të shënuar.

Një minutë më pas (51’) edhe Llapi tentoi me Trimror Selimin që tentoi nga jashtë 16-metërshit, gjithsesi, Kolaj edhe një herë e priti topin.

Ekipi kryeqytetas e kërkoi golin edhe në minutën e 58-të me ç’rast Gledi Mici e gjeti për mrekulli në zonë kokën e Endrit Krasniqit, që gjuajti shumë pranë portës.

Prishtina në minutat e mbetura rrezikoi edhe dy herë me Hasan Hysenin në minutën e 61-të që gjuajti nga 20 metra shumë afër portës së Ilir Avdlit dhe Genc Hamitin në minutën e 71-të që provoi nga distanca nga rreth 30 metra, por as kësaj radhe nuk u tund porta e Llapit.

Superliga e Kosovës – Java 31-të

FC Prishtina – FC Llapi 0:0

Gjyqtarë: Mervan Bejtullahu, Gëzim Mehmeti, Hekuran Osmani, Lirim Jashari. VAR: Isak Ceroviku.

FC Prishtina: Agron Kolaj, Gledi Mici, Bujar Pllana, Ramiz Bytyqi, Genc Hamiti (Arlind Shabani 82′), Muhamed Useini, Kushtrim Gashi, Hasan Hyseni (Fitim Susuri 75′), Shefit Shefiti (Albin Prapashtica 65′), Endrit Krasniqi, Leotrim Kryeziu. Trajner: Armend Simnica.

FC Llapi: Ilir Avdyli, Alef Firminho (Drilon Fazliu 67′), Francisco Rivera, Aleksandar Milic, Ilir Krasniqi, Arbër Bytyqi, Andri Stafa (Alex Leyi 67′), Gentrit Limani, Trimror Selimi (Albion Kurtaj 88′), Festim Alidema (Bekim Maliqi 88′), Bianor Neto. Trajner: Tahir Batatina.

prishtina
April 30, 2023