FC Prishtina është rikthyer te fitoret në xhiron e 22-të të Albi Mall Superligës së Kosovës duke e mposhtur Llapin në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë me rezultat 2:0.

Prishtina në këtë mënyrë e ka arritur fitoren e parë në stinorin pranveror pas tre humbjeve radhazi.

Skuadra jonë në këtë ndeshje tregoi futboll të bukur duke krijuar raste të shumta për shënim.

Në stadiumin e mbushur me shikues, Prishtina rrezikoi që në minutën e gjashtë të ndeshjes.

Pas një super-aksioni të organizuar nga Mërgim Pefqeli, i cili pason te Jalen Blesa në të djathtë, ky i fundit harkon për Endrit Krasniqi që gjuan me kokë, por pret Ilir Avdyli duke e dërguar topin deri te Albin Prapashtica. Edhe goditjen e këtij të fundit e pret Avdyli.

Prishtina edhe në minutat në vijim e diktoi lojën. Pefqeli provoi në dy raste (8’) dhe (11’), mirëpo nuk e gjeti rrjetën.

Llapi goditjen e parë në portë e pati te minuta e 30-të. Pas një kundërsulmi, Festim Alidema provoi jashtë zonës, mirëpo portieri Agron Kolaj që për herë të parë në këtë edicion e ruajti portën e Prishtinës, e largoi rrezikun.

Prishtina golin e epërsisë e gjeti në minutën e 41-të. Endrit Krasniqi me mjeshtëri nga jashtë zonës e shërbeu në zonë Albin Prapashticën, i cili me lëvizje mashtruese i nxori nga loja dy lojtarë të Llapit dhe i vetëm me portierin Avdyli u tregua i pagabueshëm duke e dërguar topin në rrjetë për 0:1.

Prishtina golin  dytë në ndeshje e arriti në minutën e tretë të lojës shtesë (45+3).

Portieri i llapjanëve, Ilir Avdyli në tentim për ta larguar një top e dërgoi në trupin e Endrit Krasniqit, i cili shënoi për 0:2.

Llapi në nisje të pjesës së dytë (46’) rrezikoi më Trimror Selimin, i cili depërtoi bukur drejt zonës, gjuajti, por Kolaj sërish u tregua i vëmendshëm.

Kolaj edhe në minutën e 61-të u tregua portier me shumë cilësi. Firmino godet fuqishëm nga afërsia, Kolaj reaguan për mrekulli duke e grushtuar topin që shkoi deri te Aleksandar Milic, goditja e të cilit përfundoi në shtyllën e majtë e për të mbetur porta e Prishtinës e paprekur.

Ekipi kryeqytetas në këtë pjesëlojë e kërkoi golin më shumë nga kundërzbritjet. Llapi deri në përfundim të takimit rrezikoi edhe dy herë.

Bekim Maliqi në minutën e 81-të nuk e shfrytëzoi në zonë një top të harkuar nga e majta teksa “gardiani” jonë Kolaj në minutën e pestë të kohës shtesë, edhe një herë e dëshmoi veten duke e zotëruar topin.

Futbollisti i Llapit, Gerhard Progni goditi bukur nga 17-të metra, por edhe më bukur reagoi Kolaj duke e larguar topin që shkoi deri te Bekim Maliqi, mirëpo edhe goditjen e tij e priti Kolaj.

Prishtina ndodhet e katërta në tabelë me 30 pikë. Ndeshjen e radhës e zhvillon ndaj Ballkanit.

Superliga e Kosovës – Java 22

KF Llapi – FC Prishtina 0:2 (0:2)

Gjyqtarë: Gramos Shala, Gëzim Mehmeti, Visar Kelmendi, Isak Ceroviku. VAR: Lirim Jashari.

Shënues: Albin Prapashtica 41’, Endrit Krasniqi 45+3’

Llapi: Ilir Avdyli, Aleksandar Milic, Ilir Krasniqi, Bianor Neto, Arbër Bytyqi, Kushtrim Shabani, Francisco Rivera (Gerhard Progni 39’), Gentrit Limani (Drilon Fazliu 64’), Festim Alidema (Bekim Maliqi 79’), Firmino (Albion Kurtaj 64’), Trimror Selimi (Rinor Hoxha 64’). Trajner: Tahir Batatina.

Prishtina: Agron Kolaj, Ramiz Bytyqi, Egzon Belica (Bujar Pllana 46’), Besir Ramadani, Gledi Mici, Mërgim Pefqeli, Kushtrim Gashi, Albin Prapashtica (Kreshnik Uka 93’), Leotrim Kryeziu (Genc Hamiti 71’), Endrit Krasniqi (Arlind Shabani 97’), Jalen Blesa. Trajner: Ismet Munishi.

Sot besoj që ishte niveli i koncentrimit më i lartë, ishte koncentrim i madh dhe dëshira për fitore ishte shumë e madhe nga lojtarët, të cilët i përgëzoj për lojën dhe angazhimin. Ndeshjet që i kemi humbur, kemi luajtur mirë, por pësuar nga gabimet individuale dhe disa gabimeve tjera që nuk dua t’i përmend. Nuk mundemi t’i sjellim gjithë faktorët e Japonisë e Anglisë këtu, duhet të përballemi me faktorët që i kemi brenda. Fituam ndaj një ekipi shumë të mirë. Ia kemi shkaktuar humbjen e parë Llapit. Unë jam trajneri më i mirë në Kosovë. Për çdo gjë mund të më sulmojnë. Por, unë dhe futbollistët e mi jemi shtylla më e fortë e ekipit, ndërsa unë jam shtylla më e fortë e futbollit të Kosovës

Ismet Munishi

prishtina
February 26, 2023