FC Prishtina është kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll pasi që në 1/8 e finales e ka mundur KF Dukagjinin me rezultat 3:1.

Në ndeshjen e zhvilluar të hënën (sot) në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, Prishtina në një mot të ftohtë, ka shkëlqyer me paraqitjen në fushë, në ndeshjen e parë zyrtare për vitin 2023.

Vetëm pas 11 minutave lojë prishtinasit kaluan në epërsi kur realizoi Leotrim Kryeziu për 1:0. Ky i fundit u shërbye nga Jalen Blesa brenda zonës së rreptësisë.

Ky gol ishte i veçantë për “Leon” pasi që shënoi në ndeshjen e 100-të të tij në fanellën e Prishtinës.

Prishtina edhe në minutat në vijim ushtroi trysni në zonën e Dukagjinit derisa goli i dytë erdhi në minutën e 22-të.

Kësaj radhe Endrit Krasniqi harkoi për mrekulli nga e djathta, e gjeti kokën e Jelen Blesas në zonë, i cili u shkëput bukur për ta dërguar topin në rrjetë për 2:0.

Me këtë gol e me disa gjysmëraste të tjera nga të dyja skuadrat përfundoi edhe pjesë e parë e ndeshjes.

Prishtina ishte më e mirë edhe në pjesën e dytë.

Transferi i ri i ardhur në dimër te “bardhekaltrit”, Jean Blesa, realizoi golin e dytë personal dhe të tretin për Prishtinën për 3:0 në minutën e 50-të.

Blesa shënoi pas një rivënie nga këndi, teksa u gjend mirë në zonë dhe me goditje të fuqishme e dërgoi topin në rrjetë.

Dukagjini në minutat e mbetura u lëshua me të gjitha forcat në sulm. Skuadra nga Klina golin e “nderit” e realizoi në minutën e 78-të përmes Vladyslav Khomutov për 3:1.


Kupa e Kosovës – 1/8 e finales FC Prishtina – KF Dukagjini 3:1 (2:0)

Gjyqtarë: Visar Kastrati, Fatlum Jashari, Hekuran Osmani, Eridon Podvorica

Shënues: Kryeziu 11′, Blesa 22′, 50′ – Khomutov 78′

FC Prishtina: Ardit Nika, Egzon Belica, Gledi Mici, Ramiz Bytyqi, Muhamed Useini (Hasan Hyseni 76’), Mërgim Pefqeli, Kushtrim Gashi, Endrit Krasniqi, Leotrim Kryeziu, Shefit Shefiti (Besir Ramadani 57’), Jalen Blesa (Bujar Pllana 68’). Trajner: Ismet Munishi.

KF Dukagjini: Kenan Haxhihamza, Elton Basri, Ardin Dallku, Arbër Shala (Ilir Syla 55’), Vitor Hugu, Blendrit Morina (Faton Neziri 73’), Ergyn Ahmeti, Iliasa Zulfiji (Ahmed Januzi 55’), Marcelie Cesar (Vladysla Khomutov 55’), Altin Merlaku, Gentrit Salihu (Otto John 55’). Trajner: Armend Dallku.

Deklarata pas ndeshjes e trajnerit të Prishtinës, Ismet Munishi

Jam shumë i kënaqur me qasjen dhe seriozitetin që treguan lojtarët. Fizikisht jemi top të përgatitur dhe duhet përgëzuar stafin e trajnerëve sepse e kemi bërë një punë fantastike në fazën përgatitore. Sot e kishim përballë një kundërshtar të fortë, por e menaxhuam lojën shumë mirë. Jemi afër filozofisë që dua ta instaloj te Prishtina. Kjo lojë na dha shumë shpresë dhe besim. Endrit Krasniqi është tjetër nivel, një super-lojtar dhe jam shumë krenar që e kam në radhët e mia. Fitoren e sotme ia dedikojmë kapitenit Gledi Mici, i cili sot e feston ditëlindjen.

Ismet Munishi

prishtina
February 6, 2023