FC Prishtina është kthyer sërish te fitorja.

Skuadra jonë të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në ndeshjen e xhiros së 29-të të elitës së futbollit të Kosovës, fitoi përballë Ferizajt me rezultatin 2:0.

Ndeshja e zhvilluar në një teren të përshtatshëm për lojë dhe me përkrahjen e “Plisave” në tribuna, nisi e hapur për të dyja ekipet derisa nuk munguan rastet për shënim.

Skuadra ferizajase kishte mundësi shënimi në minutat 15-të dhe 19-të.

Si fillim Edon Sadriu depërtoi bukur nga e majta pasoi për Filip Gligorov që gjuaji në rrjetën e jashtë.

Katër minuta më pas Drilon Islami lëshoi goditje të fuqishme nga rreth 25 metra për të përfunduar topi në shtyllën e majtë të portës së ruajtur nga “gardiani” Agron Kolaj.

Prishtina në minutat shtesë të pjesës së parë fitoi penallti. Kushtrim Gashi gjiajti drejt portës derisa Gentrit Halili luajti me dorë për t’u akorduar penallti nga gjyqtari Visar Kastarti.

I saktë nga pika e bardhë ishte Leotrim Kryeziou që shënoi për 1:0.

Prishtina edhe në pjesën e dytë zhvilloi lojë të bukur duke e atakuar në disa raste portën kundërshtare.

Albin Prapashtica në minutën e 50-të gjuajti fuqishëm brenda 16-të metërshit, mirëpo topi kësaj radhe shkoi skaj shtyllës së majtë të Ferizajt.

Pas një orë lojë, (60’) Endrit Krasniqi bashkëveproi bukur me Leotrim Kryeziun, i cili nga 20 metra goditi fuqishëm, por topi kësaj radhe përfundoi në tërthorëse.

Loja e mirë e Prishtinës dha rezultat edhe në minutën e 74-të. Ramiz Bytyqi nga e djathta shërbeu jashtë zonës Endirt Krasniqin e ky i fundit e kaloi portierin dhe shënoi në portën e zbrazët për 2:0, rezultat me të cilën përfundoi krejt takimi.

Superliga e Kosovës – Java 29

FC Prishtina – FC Ferizaj 2:0 (1:0)

Gjyqtarë: Visar Kastrati, Besnik Morina, Alban Ejupi, Lirim Jashari. VAR: Isak Ceroviku.

Shënues: Leotrim Kryeziu 45+4′ (pen), Endrit Krasniqi 74′

FC Prishtina: Agron Kolaj, Gledi Mici, Bujar Pllana, Ramiz Bytyqi, Muhamed Useini, Kushtrim Gashi, Mërgim Pefqeli (Jalen Blesa 90+1), Albin Prapashtica (Fitim Susuri 87’), Hasan Hyseni (Genc Hamiti 81’), Leotrim Kryeziu, Endrit Krasniqi. Trajner: Debatik Curri.

FC Ferizaj: Marko Jovanovski, Edon Sadriu, Gentrit Halili, Drilon Islami, Behar Bardhi, Albin Krasniqi, Ergon Hyseni (Jasmin Mecinovikj 31’ – Ramush Ramadani 70’), Filip Gligorov (Enhar Cakolli 64’), Qlirim Avdulli, Gentrit Ramusa (Kenan Orana 64’), Mateo Panadic (Betim Haxhimusa 70’). Trajner: Andrej Panadic.

“Në ndeshjet e futbollit kur ka angazhim, nuk mungojnë rezultatet. Ferizaj ka pasur ndeshje fantastike dhe ka ndalur disa ekipe të mëdha. I jemi qasur ndeshjes në mënyrën më serioze. Kishim probleme në pjesën e parë, por me disa korrigjime në fazën taktike, në pjesën e dytë luajtëm më mirë. E arritëm atë që donim. Falënderoj futbollistët për lojën, qasjen dhe disiplinën”

Debatik Curri, trajner I FC Prishtinës

prishtina
April 15, 2023