FC Prishtina ka barazuar me Ballkanin me rezultat 2:2 në kuadër të xhiros së 23-të të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll.

Skuadra jonë ishte afër fitores së dytë radhazi, por u humbën pikët e plota shkaku i një penalltie në minutat shtesë në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan.

Përballja nisi e barabartë me të dyja skuadrat që u treguan të kujdesshme në minutat e para.

Prishtina me kapitenin Gledi Mici provoi e para për t’i ndryshuar shifrat në minutën e 26-të, i cili pas një aksioni të gjatë gjuajti nga 20 metra, por portieri i mysafirëve, Damir Luljanovic ishte në vendin e duhur.

Ballkani në minutën e 32-të rrezikoi portën prishtinase, kur Nazmi Gripshi gjuan bukur brenda zonës, por portieri jonë, Agron Kolaj “fluturoi” për ta larguar topin e në vazhdim të aksionit, Albion Rrahmani tentoi nga 15-16 metra, mirëpo topi shkon mbi portë.

Ekipin “bardhekaltër” në minutën e 40-të sërish e rrezikoi Nazmi Gripshi që u gjend mirë në zonë, por topi i goditur nga ai përfundoi në shtyllë.

Spektakli i golave ishte rezervuar në pjesën e dytë.

Prishtina në minutën e 61-të kaloi në epërsi prej 1:0 kur pas një rivënie nga këndi nga Endrit Krasniqi, topi përfundoi në këmbët e mbrojtësit Bujar Pllana, i cili shënoi për 1:0.

Dhjetë minuta më vonë (61’), Prishtina e dyfishoi rezultatin.

Pas një bashkëveprimi në mes Leotrim Kryeziut dhe Endrit Krasniqit, ky i fundit gjuajti bukur nga 17 metra për ta dërguar topin në rrjetë për 2:0.

Deri në minutën e 80-të Prishtina e menaxhoi lojën mirë.

Në këtë minutë, pas një aksioni individual, Nazmi Gripshi e ngushtoi rezultatin në 2:1 me një gol të realizuar nga rreth 25 metra.

Gjyqtari kryesor i ndeshjes, Genc Nuza, në minutën e pestë të kohës shtesë, akordoi penallti për Ballkanin, e cila sipas tij dhe sistemit VAR, u shkaktua pasi portieri Agron Kolaj, i cili në tentim për ta larguar një top brenda zonës, e goditi Albin Berishën.

Pas tre minutave analiza në fushë në VAR, i saktë nga 11-të metra u tregua Albion Rrahmani për ta barazuar rezultatin në 2:2, me të cilën përfundoi edhe ndeshja.

Superliga e Kosovës – Java 23

FC Prishtina – FC Ballkani 2:2 (0:0)

Gjyqtarë: Genc Nuza, Besnik Morina, Arbnor Bullatovci, Bardh Ajeti. VAR: Erdall Zasella.

Shënues: Bujar Pllana 51′, Endrit Krasniqi 61′ – Nazmi Gripshi 80′, Albion Rrahmani 90+8 (pen)

FC Prishtina: Agron Kolaj, Gledi Mici, Bujar Pllana, Ramiz Bytyqi, Genc Hamiti (Shefit Shefiti 94’), Muhamed Useini, Albin Prapashtica (Fitim Susuri 46’), Mërgim Pefqeli, Endrit Krasniqi (Kreshnik Uka 93’), Leotrim Kryeziu, Jalen Blesa (Diar Halili 90’). Trajner: Ismet Munishi.

FC Ballkani: Damir Luljanovic, Bajram Jashanica (Albin Berisha 80’), Armend Thaqi, Arbër Potoku (Lorenc Trashi 73’), Astrit Thaqi, Edvin Kuç (Van Dame Gbwoea 70’), Lumbardh Dellova, Lindon Emërllahu (Qëndrim Zyba 73’), Nazmi Gripshi, Meriton Korenica (Veton Tusha 80’), Albion Rrahmani. Trajner: Ilir Daja.

“Kampionati jonë është bërë kualitativ. Ka skuadra kualitative, luajnë futboll mirë. Duhet të marrim masa taktike. Me qëllim e kam tërhequr ekipin në pjesën e parë. Në pjesën e dytë arritëm t’i shënojmë dy gola. Jam i kënaqur me angazhimin e futbollistëve. Disa gjera janë tepruar. Në Ferizaj na prishet VAR-i, në Klinë na vjen goli prej aeroplani. Me Dritën na bëhet penallti. E sata lojë që nuk ka kriter të njëjtë  për ne. Bëj apel të mos na dëmtojnë. Po derdhim djersë, mund, nuk janë këto rastësi. Kjo gabim, ajo gabim. Kampionati po vazhdon, pikët po shkojnë. Jemi në tranzicion, kemi lojtarë shumë të talentuar. Kisha pas dëshirë të na lënë të qetë të bëjmë punën tonë”.

Ismet Munishi

prishtina
March 5, 2023