Pas katër fitoreve radhazi, dy në Superligë dhe dy në Kupën e Kosovës, FC Prishtina është ndalur nga skuadra e Dukagjinit.

Ekipi nga Klina triumfoi në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë në kuadër të xhiros së 28-të të Superligës së Kosovës në futboll me rezultat 2:1.

Skuadra jonë e nisi ndeshjen mjaft mirë duke rrezikuar që në fillim të takimit. Mërgim Pefqeli në minutën e tretë provoi nga distanca, topi u largua nga mbrojtja e dukagjinasve në rivënie nga këndi.

Një minutë ma pas rrezikoi Hasan Hyseni nga distanca, por portieri i mysafireve, Kenan Haxhihamza evitoi rrezikun.

Derisa Prishtina, po e kontrollonte lojën, Dukagjini në minutën e nëntë kaloi në epërsi.

Goditja e Blerind Morinës u devijua nga Muhamed Useini, i cili shënoi autogol (0:1).

Prishtina u kundërpërgjigj në minutën e 26-të duke e barazuar rezultatin në 1:1 nëpërmjet Mërgim Pefqelit, i cili shënoi gol të bukur pas harkimit të Gledi Micit nga krahut i majtë.

Pesë minuta më pas Prishtina ka mundur që të shënojë sërish kur Bujar Pllana harkoi nga e djathta për Endrit Krasniqi goditjen e të cilit me kokë me vështirësi e priti portieri i Dukagjinit.

Deri në fund të pjesës së parë u regjistruan edhe dy raste për shënim. Iljasa Zulfiji (41’) rrezikoi nga 20 metra duke e gjuajtur topin afër portës teksa në minutën e 45-të, për Prishtinën provoi Albin Prapashtica që pasi pranon një top në zonë nga Endrit Krasniqi gjuan, por jo aq për ta dërguar topin në portë.

Edhe në pjesë e dytë u zhvillua lojë e hapur. Prishtina në minutën e 51-të nëpërmjet Hasan Hysenit ka mundur ta realizojë edhe golin e dytë me ç’rast pasi Hyseni kalon dy futbollistë, gjuan furishëm për ta grushtuar topin portieri në formë i Dukagjinit, Kenan Haxhihamza.

Futbollistët nga Klina tentuan edhe në minutën e 54-të me Vladyslav Khomutov, mirëpo “gardiani” Agron Kolaj kësaj radhe “fluturoi” për ta larguar topin në këndore.

Dukagjini shënoi golin që edhe ia siguroi pikët e plota në këtë udhëtim në minutën e 61-të me kapitenin Altin Merlaku (60’). Ai e tundi rrjetën nga afërsia pas asistimit të Ahmed Januzit.

Rast të mirë në minutat e mbartura për kryeqytetasit pati Pefqeli në minutën e 71-të, por kësaj radhe nuk arriti të gjejë portën.

Prishtina deri në fund të ndeshjes e kërkoi me ngulm golin e barazimit, mirëpo nuk e arriti.

Skuadra “bardhekaltër” ndeshjen e radhës e zhvillon sërish në “Fadil Vokrri” ndaj Ferizajt, sfidë e cila i takon xhiros së 29-të të Albi Mall Superligës.

Superliga e Kosovës – Java 28

FC Prishtina – KF Dukagjini 1:2 (1:1)

Gjyqtarë: Mervan Bejtullahu, Hekuran Osmani, Enis Bejtullahu, Arben Halilaj. VAR: Bardh Ajeti.

Shënues: Mërgim Pefqeli 26′ – Muhamed Useini 9′ (ag), Altin Mërlaku 61′

FC Prishtina: Agron Kolaj, Gledi Mici, Bujar Pllana, Muhamed Useini, Genc Hamiti, Mërgim Pefqeli, Kushtrim Gashi, Hasan Hyseni (Shefit Shefiti 76’), Albin Prapashtica (Fitim Susuri 86’), Endrit Krasniqi, Leotrim Kryeziu (Jalen Blesa 63’). Trajner: Debatik Curri.

KF Dukagjini: Kenan Haxhihamza, Arbër Shala, Elton Basriu, Ardin Dallku, Rinor Kuqi (Çendrim Kameraj 60’), Hugo, Vladyslav Khomutov, Blerind Morina (Dior Zabërgja 79’), Iljesa Zulfiu (Ilir Syla 66’), Altin Mërlaku (Otto John 79’), Marclei Santos (Ahmed Januzi 60’). Trajner: Armend Dallku.

prishtina
April 9, 2023